Regjistrimi që vërtetoi përfundimisht ADN-në e njëjtë të Ramës dhe Berishës!
Ende ngelet mister se përse u nxor pikërisht tani nga pluhuri një bisedë pikante e 4 janarit 1991 mes Sali Berishës, Edi Ramës, Azem Hajdarit dhe piktorit të shquar Sali Shijaku, në momentet më historike të Shqipërisë. Nga ajo bisedë opinioni publik, por veçanërisht demokratët, janë surprizuar më së shumti për rezonancën dhe mirëkuptimin gati për çdo çështje, mes Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Pa u futur në teknikalitete të atij diskutimi, ajo që bie në sy është se Sali Berisha aprovon dhe madje përshëndet me “Bravo” qëndrimet e Edi Ramës, edhe kur ai e thotë hapur se gjithçka bëhet për pushtet. Ndryshe nga Azem Hajdari që flet për mobilizimin e shqiptarëve, të PD-së në bazë dhe shtrirjen e saj në të gjithë vendin, Rama dhe Berisha në koherencë flasin për “lojën e mitingjeve’, për “diplomaci” në mënyrën se si duhet trajtuar Ramiz Alia dhe madje, edhe vetë figura e Enver Hoxhës.
E gjithë fryma e retorikës së Ramës dhe Berishës përqendrohet te mjetet dhe mënyrat pragmatike që duhen përdorur, për të rrëzuar një regjim komunist dhe zëvendësimin e tij me pushtetin e tyre. Në asnjë moment të asaj bisede nuk flitet për një ofertë ndaj shqiptarëve, për demokraci perëndimore.
Gjithçka rrotullohet rreth mënyrave makiaveliste për të marrë thjesht pushtetin; pra kalimi nga një regjim, në një tjetër “demokratik”. Madje edhe kur flitet për Enver Hoxhën dhe veçanërisht për pinjollin e tij të denjë që drejtonte ende regjimin, Ramiz Alinë, fryma e diskutimit veçanërisht nga Berisha është në formën; “Ai të lëshojë- ne të lëshojmë”.
Duket si plan për një pazar në tentativë i cili nëse nuk do të funksiononte, atëherë “të mbledhim 80 mijë shqiptarë”, ta rrëzojmë dhe ti marrim pushtetin.
Një pikë e errët e këtij fakti historik, (biseda), që ka nevojë për shpjegim, është ajo e marrëdhënies mes Sali Berishës dhe Edi Ramës. Janë të vetmit që janë gjallë nga katërshja e regjistrimit, por ende nuk kanë folur.
Gjatë këtyre 30 viteve të dy këta, por edhe dëshmitarëve të shumtë protagonistë të ngjarjeve të vrullshme të viteve 90-të, kanë deklaruar se Berisha me Ramën janë ndarë me njëri tjetrin përfundimisht, që në datën 13 dhjetor të vitit 1990.
Edi Rama i cili mungoi në themelimin e PD-së në 11 dhjetor 1990, sapo ishte kthyer nga Greqia në datën 13 dhjetor dhe direkt ka shkuar në një sallë në katin e dytë të Drejtorisë në Qytetin Studenti, ku nën drejtimin e Gramoz Pashkos mbahej mbledhja e parë, (e zgjeruar), e Komisionit Nismëtar të PD. Pas debateve të ashpra, Rama u shkëput dhunshëm nga PD.
Berisha gjithmonë ka deklaruar se atë ditë “e përzumë ne”, kurse Rama ka mbrojtur variantin se iku vetë, pasi nuk rrihej më me Berishën e të tjerë si ai. Pra të gjithë shqiptarët e dinin, (deri natën që u publikua biseda te Blendi Fevziu), se Edi Rama i kishte ndërprerë marrëdhëniet me PD-në dhe Sali Berishën në datën 13 dhjetor 1990.
Por ja që historia nuk mund të fshihet përgjithmonë. “Çuditërisht” vetëm 20 ditë pas “ndarjes plot urrejtje”, të dy shfaqen në studion e piktorit Ramadan Karanxha te “Mine Peza”. Jo si kundërshtarë apo “armiq” siç janë vetë-shitur gjatë këtyre 32 viteve, por në koherencë të plotë me njëri tjetrin. Të dy në mirëkuptim thurin plane për “pushtetin e ri”.
A janë këto 20 ditë të retushuara deri më tani nga historia, koha kur u ngjiz një plan dhe projekt për pushtetin e ri dhe tranzicionin shqiptarë dhe kush është Kumbari?!
Pavarësisht se me klasën politike të këtyre 32 viteve nuk ka vend më që të habitesh për asnjë lloj gjëje, personalisht nuk besoj se Berisha dhe Rama kanë qenë “grup” i pandashëm teknikalisht gjatë këtyre 3 dekadave, ku kanë qenë protagonistë të “demokracisë” sonë. Por ajo që nuk diskutohet më është se ata kanë qenë bashkë në thelb dhe në mjete; në mënyrën se si e kanë konceptuar dhe shfrytëzuar demokracinë dhe pluralizmin.
Të dy që në fillesat e tyre në politikë kanë qenë bashkë për pushtetin. Pushteti është aliazhi që i bashkon. Janë vërtet dy të kundërt nga pikëpamja sipërfaqësore, por në fakt janë anët e një monedhe e cila ka të njëjtin aliazh; pushtetin personal dhe të klanit.
Ky bashkim 32 vjeçar duket qartë brenda partive që kanë drejtuar dhe drejtojnë. PS e Ramës ngjan si dy pika uji me PD-të e Berishës, vetëm ngjyrat formale i dallojnë. Të dy kanë deformuar dhe shkatërruar demokracinë e brendshme nëpër partitë shqiptare dhe pastaj këtë e kanë imponuar edhe te shteti hibrid autokratik e korruptiv, që shënjon vendin që nga koha kur i hoqën frenat, (ose i dorëzoi me pakt), Ramiz Alisë.
Rruga drejt pushtetit personal me çdo kusht dhe mënyrë, i ka bërë që bashkë të kenë oligarkët, pasuritë, dhe mbi të gjitha kontrollin mbi sistemin politik, ekonomik dhe mediatik në Shqipëri. Bashkë e kanë kthyer korrupsionin në “art dhe shkencë”, duke habitur gjithë botën.
Ndaj duhet kuptuar përfundimisht, se të dy janë tulla e parë e Tranzicionit lëngues të Shqipërisë. Nuk kemi makinë kohe që të kthehemi pas në 4 janar 1991 te studio e piktorit të ndjerë Karanxha, që të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo dyshe.
Por sot që po i shohim lakuriq dhe të vërtetë si kanë qenë që kur ju futën politikës për pushtet e pasuri, kush nuk e kupton se ata janë Një, nuk e do Shqipërinë dhe fëmijët e vetë. Kanë të njëjtën ADN; atë në funksion të pushtetit dhe korrupsionit!/Alfapress.al
-
Deri sa të shpëtohet PD nga Sali Berisha: Rroftë Edi Rama!
4 Janar, 12:37 -
-
Shteti nën thundrën e ramizmit dhe berishizmit
29 Dhjetor, 17:28
ide
Pse Sali Berisha po baltos Altin Dumanin?
Rama duhet të iki, Berisha s’duhet të vijë!
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128