Revolucioni mbaroi, Edi Rama vazhdon i qetë

27 Janar 2026, 11:33 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Revolucioni mbaroi, Edi Rama vazhdon i qetë

Pas protestës së opozitës, gazit lotsjellës, arrestimeve dhe ulërimave të deputetëve, sot pritej që Parlamenti të “ndizej flakë”. Deputetët duhej të kërkonin llogari pse u helmuan qytetarët dhe pse u përdorën kimikate të skaduara– gjë që, të paktën, dukej si përpjekje për të fshehur gjurmët e një afere korruptive.

Çuditërisht, asnjë deputet i PD-së nuk kërkoi llogari. Vetëm pasi Tedi Blushi e përmendi çështjen, u “kujtua” organizatori i protestës, kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi, me një retorikë formale, sa për t’u thënë.

Gjithçka u kthye në normalitet. Deputetë të bindur, që janë emëruar personalisht nga Taulant Balla në Këshillin e Integrimit, iu bashkuan atij për të hequr nga rendi i ditës disa projektligje. Me qetësi, respekt dhe deri në përulje ndaj atyre që i quajnë “ushtarë të krimit”, “ramaduristë”, e të tjera.

Pra, një seancë model. Në një Shqipëri normale, kjo s’do kishte asgjë të keqe. Por në situatën aktuale, duket qesharake. E gjithë zhurma e mëparshme rezulton të ketë qenë vetëm për të mbuluar bashkëpunimin mes “Saliduros” dhe “Ramaduros”.

Pasi i bënë nderin më të madh karrierës politike të Edi Ramës, duke e çuar në Shtëpinë e Bardhë me ftesë të posaçme, tani gjithçka ecën normalisht.

Duket se kjo është një lojë e mirëmenduar e atyre që presin t’i zënë vendin Berishës. Mungesa e Sali Berishës në një seancë që vazhdon të jetë “model” është një mesazh i mirë-llogaritur: T’u tregohet ndërkombëtarëve, se problemi është Berisha. Ai bën dhunë, bllokim, kaos. Në mungesë të tij, gjithçka qenka normale.

Loja e Gazment Bardhit duket se i funksionon: Bën revolucionarin kur është Berisha, bën të moderuarin kur ai mungon, për ta paraqitur Berishën si “delen e zezë”.

Ndërkohë, Edi Rama vazhdon i qetë. Revolucioni mbaroi. Intrigat kundër Berishës, brenda dhe jashtë vendit, nga oborri i tij, vazhdojnë./Alfapress.al

Po ndodh...

ide