SHBA e futi Berishën në udhëkryq dhe ai ra në kurthin që ngriti vetë!

11 Qershor 2026, 23:33 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA
SHBA e futi Berishën në udhëkryq dhe ai ra në kurthin

Sot duhej të ishte një ditë feste, një ditë triumfi për Sali Berishën dhe për ata që i kanë shkuar pas gjatë këtyre viteve. Por, çuditërisht, Berisha u tregua i kujdesshëm në çdo fjalë, madje edhe në çdo frymëmarrje. Ndryshe nga disa prej mbështetësve të tij më entuziastë, ai e di mirë se ky vendim i Departamentit të Shtetit ka pasoja politike.

Donald Trump nuk është nga ata që bëjnë favore pa përfitime. Dhe natyrisht nuk bëhet fjalë vetëm për 11 milionë eurot që Berisha, u ka paguar kompanive të lobimit.

Sot Berisha ndodhet përballë dy rrugëve: Ose të tërhiqet, siç ka bërë Milorad Dodik, ose të ndihmojë Edi Ramën t’i mbijetojë pakënaqësisë qytetare dhe të realizojë projektin e Ivanka Trump.

Edhe pse Berisha u kujdes që lajmin ta shpërndante shpejt në mëngjes pa pritur reagimin e Departamentit të Shtetit e në mënyrë të koordinuar nxori deputetët me të njëjtin tekst, efekti te shqiptarët rezultoi pothuajse zero. "Rama në Burg dhe Berisha në burg", u dëgjuar madje dhe më fort te Protesta madhështore anti-estabilishmentit të korruptuar, për shkak të bindjes se Berisha për hallin e tij, nuk kursen askënd dhe asgjë.

Por përtej kësaj për pesë vite me radhë, në përpjekje për të mbrojtur veten, Berisha u ka thënë shqiptarëve se shpallja non grata nuk të pengon të fitosh zgjedhjet, se vendimet e SHBA-së nuk përcaktojnë politikën shqiptare dhe se Amerika nuk vendos, se kush qeveris Shqipërinë.

Sot ai po përpiqet t’u shesë të kundërtën. Por problemi është se njerëzit kanë besuar për pesë vite atë që u ka thënë vetë Berisha. Pasi e zhvlerësoi vazhdimisht rëndësinë e SHBA-së dhe ndikimin e saj, sot ai ka rënë në kurthin që ngriti vetë. Prandaj askujt si bëhet më vonë çfarë thotë Amerika e aq më pak kur vendimi, (Vizë udhëtimi siç e pranoi edhe vetë), është blerë me para dhe mbështetje që Sazanin ta marrë vajza e Trump. 

Shumë shqiptarëve nuk u bën më përshtypje, se çfarë thotë Uashingtoni për Berishën. Aq më tepër në një moment kur vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te investimet e familjes Trump në Shqipëri dhe protestat që kanë shoqëruar këto projekte në Tiranë.

Shqiptarët sot duket se kanë shpallur politikisht non grata si Sali Berishën, ashtu edhe Edi Ramën. Dhe, siç ka thënë vetë Berisha, SHBA nuk të jep vota e as mbështetje në vënd. Sheshi po e tregon se shqiptarët nuk duan as Ramën e as Berishën. 

Në këtë kuptim, një vendim që i lejon Berishës të marrë vizë, pavarësisht nëse arsyeja është shëndetësore, familjare apo tjetër, ka zero vlerë, sepse vetë ai ka punuar për vite me radhë për ti hequr rëndësinë politike vendimeve të Washingtonit.

Në SHBA, mes Ramës dhe Berishës, askush nuk e beson se administrata Trump nuk do të zgjidhte kryeministrin, ndërsa në lojë janë investime strategjike të familjes së tij.

Në Europë, situata është ndryshe. Sanksionet nga Britania e Madhe për korrupsion dhe lidhje me krimin nuk janë vendim politik, por rezultat i procedurave të saj ligjore. Për shumë liderë europianë, kjo mbetet pika kryesore e referencës që e bën Berishën një figurë të padëshiruar në Bruksel.

Edhe në rastet kur SHBA ka ndryshuar qasje ndaj individëve të caktuar, Londra ka mbajtur në fuqi vendimet e saj. Në rastin e presidentit të serbeve të Bosnjës Dodic edhe pse SHBA i hoqi sanksionet Britania i ka në fuqi. Në rastin e Berishës, fakti që edhe me vendim gjykate,Britania la në fuqi sanksionet, kjo e bën çështjen të pamundur për t’u ndryshuar përmes një vendimi politik.

Çfarëdo vendimi të ketë marrë SHBA për Berishën është pa vlerë, sepse ra në kurthin që ngriti vetë./Alfapress.al

Po ndodh...