Shqipëria ka nevojë për programin e djathtë të PD së Lulzim Bashës!

5 Qershor 2024, 10:14 / IDE NGA NAMIR LAPARDHAJA

Shqipëria ka nevojë për programin e djathtë të PD

Shpeshherë në diskursin politik shqiptar, nuk ka pasur kurrfarë rëndësie programi, për arsye të mbizotërimit të një populizmi të thellë, i cili nuk i ka fituar zgjedhjet si pasojë e atyre që ka premtuar, por si rezultat i shfaqjes dhe show-it. Edi Rama është shembulli më i mirë i kësaj.

Duke mos pasur asnjë program, ai është shfaqur në fushatë elektorale një herë me def e çitjane, pastaj me timon dhe tepsi.

Pasojat e kësaj sjelljeje teatraleske shqiptarët i vuajnë përditë, ndërsa gjysma e qeverisë është nën hetim për korrupsion nga SPAK, kurse pjesa tjetër në pritje për t’u thirrur nga Prokuroria e Posaçme.

Nuk është rastësi që programi i Partisë Demokratike të Shqipërisë vjen në një kontekst të polarizimit ekstrem të debatit politik jo te hallet dhe shqetësimet e qytetarëve shqiptarë, por te hallet dhe shqetësimet e politikanëve.

Edi Rama përditë në media i duhet të mbrohet nga akuzat për korrupsion të njerëzve të tij të afërt, duke u justifikuar në çdo dalje se pyll pa derra nuk ka, Sali Berisha nga ballkoni i katit të 8-të i duhet përditë të sulmojë SPAK dhe GJKKO-në, Ilir Meta ka marrë malet, sepse mendon se i ka shpëtuar hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pjesa tjetër që u vete nga prapa këtyre të treve, vijojnë me shpresat “bëje Zot ëndërr”, duke pritur që t’i bien ‘ato’ dashit dhe ata të kapin ç’të kapin.

Pikërisht në këtë kontekst, PD e drejtuar nga Lulzim Basha, paraqiti përpara shqiptarëve një program ambicioz, të djathtë, me në qendër nevojën e njerëzve për të dalë nga kriza ekonomike, me orientim të qartë te individi i shëndoshë dhe familja e fortë. Iniciativa për themelimin e Fondit për Mirëqenien e Familjes, i cili pritet të marrë përsipër gjithçka që ka të bëjë me familjen, duke filluar nga çiftet e reja dhe shkollimi i fëmijëve, është një praktikë e mirënjohur perëndimore, e cila do ishte lehtësisht e realizueshme nga një qeveri e cila ka vullnetin e duhur për t’i adresuar shqetësimet e njerëzve siç duhen dhe ka forcë që të jetë e ashpër ndaj korrupsionit, sepse vetëm kështu lekët që pushtetarët vjedhin, do të shkonin për të ndihmuar familjet shqiptare.

Premtimi i PD-së për taksën e sheshtë 9%, tatim fitimi 9%, tatim për të ardhurat personale 9%, dividenti me taksën e sheshtë 9% edhe për profesionet e lira, pritet t’i japë frymëmarrje sipërmarrjes, duke oksigjenuar gjendjen ekonomike dhe duke e nxjerr atë nga kriza e kamxhikut të arbitraritetit të sotëm.

Zgjidhja e problematikës së stërzgjatur të pronës, nëpërmjet krijimit të obligacionit për pronarët me vlerën e plotë të tregut dhe qartësia e një fature financiare të majmë për shtetin shqiptar, do të bënte që PD t’i shlyente përfundimisht gabimet e së kaluarës, që ka bërë me pronën dhe pronarët, njëkohësisht do t’i kthente kësaj shtrese, historike mbështetëse ndaj saj, një detyrim moral dhe financiar.

Ashtu sikurse premtimi për të zgjidhur statusin e të përndjekurve politik, duke e njehsuar atë me vlerë monetare të barabartë me statusin e ish-ushtarakut, i shërbejnë qartësisë së orientimit të djathtë të PD.

Thelbi i programit të paraqitur nga PD-ja, Basha dhe ekspertët e tij, është krijimi i shtresës së mesme, gjë që ka munguar deri më sot, e cila është baza e një shoqërie të fortë, ndërkohë që forcimi i saj do ta transformonte ekonominë shqiptare dhe do t’i bënte njerëzit të jetonin të lirë nga vargonjtë dhe nga pengmarrja 30-vjeçare e një politike që i përdor dhe i vjedh njëkohësisht. Sikur vetëm kaq të realizonte PD, do të jepte një kontribut të jashtëzakonshëm kombëtar. Sigurisht që ka një skepticizëm të thellë që vjen si pasojë e një politike që shpeshherë i ka tradhtuar aspiratat dhe shpresat e njerëzve, por në kushtet e një narrative ku politika dhe politikanët flasin vetëm për hallet dhe problemet e tyre, alternative e paraqitur nga PD-ja ngelet e vetmja rreze drite në errësirën e pafundme të tunelit politik.

Po ndodh...