Si i "mashtroi" Lulzim Basha demokratët për Sali Berishën!
Në politikën shqiptare, kujtesa është shpesh më e shkurtër se interesi. Ajo që dje shitej si “kauzë”, sot rezulton një iluzion i mirëorkestruar. Demokratëve iu kërkua të mos besonin atë që shihnin — vizionin dhe të ardhmen — por të besonin tek e shkuara dhe nostalgjia. Siç thoshte Voltaire: “Ata që mund t’ju bëjnë të besoni absurditete, mund t’ju bëjnë të kryeni edhe padrejtësi.” Pikërisht mbi këtë absurditet u ndërtua narrativa që i hapi rrugën rikthimit të Sali Berishës ndërsa Lulzim Basha u kthye në figurën që duhej rrëzuar për ta bërë këtë rikthim të pranueshëm.
Nuk ishte një gabim. Nuk ishte as një keqkuptim politik. Ishte një manipulim i pastër që i kushtoi Partisë Demokratike jo vetëm përçarjen, por edhe humbjen e besimit tek vetvetja. Ajo që sot duket si krizë, në të vërtetë është produkt i një strategjie të ndërtuar mbi emocionin, mitin dhe deformimin e së vërtetës.
Kur Lulzim Basha mori vendimin për të përjashtuar Sali Berisha nga PD-ja dhe artikuloi hapur trekëndëshin politik Berisha–Rama–Meta, ai vendosi një vijë të qartë ndarëse: Mes një politike të bazuar mbi aleanca strategjike dhe një politike të mbështetur mbi interesa personale.
Në atë moment, “pushteti i thashethemeve” ndërtoi një mit: Berisha u paraqit si viktimë e SHBA-ve dhe “klaneve të Sorosit”, por njëkohësisht edhe si i vetmi njeri që mund të rrëzonte Edi Ramën. Një paradoks që vetëm një parti në krizë mund ta përtypte. Demokratëve iu servir një narrativë emocionale dhe primitive: “Babai nuk prihet në besë”. E kështu, një forcë politike u reduktua në një marrëdhënie thuajse familjare, duke braktisur standardin racional, sepse kur emocioni sundon mbi arsyen, e vërteta bëhet viktima e parë.
Paradoksi u thellua edhe më shumë kur vetë Edi Rama nisi ta quante Berishën “burrë shteti”. Por faktet tregojnë të kundërtën: një burrë shteti nuk e djeg shtëpinë e tij për të shpëtuar veten. Ndërsa ajo që ndodhi me Partinë Demokratike ishte pikërisht kjo një djegie dhe shkatërrim i kontrolluar për interesa personale.
Ndërkohë, narrativa se Berisha ishte i vetmi që mund të sillte fitoren mbyti çdo debat mbi parimet. Në vend të një opozite pro-perëndimore, nisi të kultivohej një frymë antiamerikane, një devijim i rrezikshëm për një parti që lindi për të qenë e lidhur me SHBA-të.
Më pas erdhi faza më cinike: Pazaret. Deputetë që lëviznin jo për bindje, por për interesa personale; strategji që ndërtoheshin jo për fitore politike, por për mbijetesë individuale. Deputetë që shihnin xhepin personal dhe jo mënyrën se si Partia Demokratike mund të bëhej fituese. Prandaj sot bilanci është brutal: një PD më e përçarë dhe rreth 300 mijë vota më pak krahasuar me vitin 2021.
Dje, Sali Berisha u rizgjodh në krye të PD-së përmes një referendumi ku ishte kandidat i vetëm, një proces pa garë reale dhe pa legjitimitet politik bindës. Berisha u zotua se do të bënte gjithçka për demokratët, por ende nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet thelbësore: pse e humbi betejën për “non grata”-n në Francë? Pse ambasadori britanik deklaron se shpallja “non grata” është ligjore? Pse Donald Trump nuk ia hoqi “non grata”-n? Pse nuk arriti të mundë Edi Ramën? Dhe mbi të gjitha, pse nuk arriti të bashkojë PD-në?
Ironia është e pamëshirshme. Ata që dje ulërinin për “padrejtësinë” ndaj Berishës, sot flasin për dështim. Ata që dje sulmonin Bashën për qëndrimin ndaj Berishës, sot po përsërisin pikërisht tezat e tij. Por kjo nuk është vetëm hipokrizi; është një dështim kolektiv për ta kuptuar politikën përtej emocioneve.
Në këtë realitet, Lulzim Basha, me të gjitha kostot dhe gabimet e tij, mbetet politikani që artikuloi një vijë parimore: se një Partia Demokratike nuk mund të jetë kundër SHBA-ve, nuk mund të jetë kundër SPAK dhe nuk mund të shndërrohet në bunker për hallet personale të një njeriu.
Ai nuk zgjodhi rrugën e lehtë të populizmit apo pazarit. Zgjodhi të përballet me një të vërtetë të vështirë dhe sot, edhe pse jashtë Parlamentit, koha po i jep një të drejtë që nuk ka nevojë për retorikë: Partia Demokratike nuk mund të vijë në pushtet nën drejtimin e Sali Berishës.
Siç citonte edhe Arthur Schopenhauer, e vërteta kalon në tri faza: fillimisht përqeshet, më pas kundërshtohet dhe në fund pranohet. E vërteta që sot po del në sipërfaqe është kjo: rikthimi i Berishës nuk ishte një projekt për të mundur Ramën, por një strategji për ta përdorur Partinë Demokratike si mburojë personale.
Po ndodh...
Si i "mashtroi" Lulzim Basha demokratët për Sali Berishën!
ide
Kështjella PD që u bë Mejhane e Berishës dhe kështjellë e Ramës
Zgjedhjet nuk i mbulojnë dot veshët e gomarit
Referendumi - Legjitimiteti i rrejshëm i Sali Berishës
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128