Thika që Berisha i nguli Trumpit me “Ramaduron”

24 Janar 2026, 14:12 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Thika që Berisha i nguli Trumpit me “Ramaduron”

Me votën e tij, Sali Berisha i nguli një thikë pas shpine Donald Trumpit.

Me atë votë, ai hapi rrugën që Edi Rama të ulej në tryezën e Trumpit, në Shtëpinë e Bardhë.

Edi Rama, në fillim të mandatit të parë të Trumpit, e quante hapur atë një kërcënim për Amerikën dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

“Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe padyshim, edhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, deklaronte Rama

E megjithatë Berisha që shpesh e përdor si argument, vendosi ta çojë në zyrën e Trump.

Edi Rama drejton qeverinë më të korruptuar, që ka pasur Shqipëria. Një qeveri që, sipas vetë akuzave të Sali Berishës, ka lidhje me bandat e trafikut të drogës nga Amerika Latine– pikërisht ato struktura ndaj të cilave Trump ka shpallur luftë të hapur.

Rama ka futur kriminelë në qeveri, parlament dhe administratë; mbi 600 persona janë faktuar dhe nxjerrë nga sistemi përmes ligjit të dekriminalizimit, të miratuar nga PD-ja e Lulzim Bashës.

Shqipëria, që duhej të ishte shembull i luftës kundër krimit, u kthye në një lavatriçe të pastrimit të parave gjatë qeverisjes Rama.

Një kryeministër që shoqërohet politikisht me individë të sanksionuar nga SHBA, si vëllezërit Hysi, sipas vetë Sali Berishës

Dhe pikërisht këtë njeri, me votën e tij, Berisha e çon në Shtëpinë e Bardhë.

Justifikimi “e bëmë për Amerikën” nuk qëndron. Trump do t’i ishte më mirënjohës Berishës po të mos i çonte një kryeministër të akuzuar si “narkoshtet” në zyrë, sesa për ta bërë të kundërtën.

Në statutin e bordit thuhet qartë: Kryeministër ose president, pra pjesëmarrja është institucionale, jo personale. Rama shkon si kryeministër i Shqipërisë, jo si individ privat. Po të ishte ftesë personale, nuk do të kishte asnjë detyrim për ratifikim në Parlament– njësoj si ftesat private për dasma apo evente.

Shembulli i Giorgia Melonit është i qartë: Mike personale e Trumpit, por refuzoi pjesëmarrjen në bord sepse Kushtetuta italiane nuk e lejonte. Dhe Trump e mirëkuptoi.

Ndërsa Berisha, edhe në shkelje të ligjit, ratifikoi një “marrëveshje” të pafirmosur– pra, juridikisht nuk ekziston.

Ai ratifikoi një akt të personalizuar, duke rrezikuar edhe kontributin e Shqipërisë në të ardhmen, nëse– siç pretendon vetë– do ta rrëzojë Ramën.

E vërteta është më e thjeshtë dhe më e rëndë:

Berisha është peng i Ramës. Prandaj votoi.

Argumente kishte plot, por nuk i përdori, sepse pazari me Ramën është më i rëndësishëm.

Ai ka frikë se do t’i ikë vula– siç do t’i ikë, nëse jo sot, nesër– sepse Rama ia dha atë në shkelje të çdo ligji dhe praktike demokratike.

Ai ka frikë se Rama mund të nxjerrë pazaret e kullave që kanë pasuruar familjen e tij.

Ai shpreson që një afrim i Ramës me Trump, do çojë në frenimin e SPAK, për dosjet e rënda që kanë të dy në proces.

Për këtë arsye, Sali Berisha kreu një nga tradhtitë më të mëdha politike: Tradhti ndaj shqiptarëve dhe tradhti ndaj Presidentit Trump, duke ia çuar “Ramadurën” në tryezë./Alfapress.al

 

Po ndodh...