51 milionë euro për të rehabilituar urat/ Kuvendi pritet të ratifikojë kredinë e re

2 Shtator 2023, 22:47 / EKONOMI ALFA PRESS

51 milionë euro për të rehabilituar urat/ Kuvendi pritet të

Në kuvend ka mbërritur projektligji për ratifikimin e kredisë së re që qeveria do të marrë nga BERZH.

Bëhet fjalë për një shumë prej 51.6 milionë eurosh të cilat do të vihen në dispozicion të ministrisë së infrastrukturës për programin Ndërtimi i urave të qëndrueshme. Maturimi i kredisë do të jetë pas 19 vite.

Qëllimi është rikonstruksioni I urave ekzistuese, urave të reja dhe veprave të artit në rrjetin rrugor kombëtar, që rrezikohen më shumë nga fatkeqësitë natyrore.

Kështu projekti i ndarë në tre komponentë synon që të rehabilitojë ose rindërtojë urat që do identifikohen si prioritare në rrjetin rrugor kombëtar. Një tjetër komponent është financimi i strukturave të reja në ARRSH për të menaxhuar këto asete dhe komponenti i tretë do të jetë financimi i mbikëqyrjes së kontratave.

Ndërkohë një tjetër projektligj që deputetët do kenë përpara tyre me fillimin e sesionit të ri parlamentar është ratifikimi i ndryshimeve për në kontratën e fondeve të para anëtarësimit në BE. Kështu qeveria shqiptare ka kërkuar më shumë fonde nga komisioni evropian për programin “BE për mirëqeverisjen”  dhe nga tre pjesë që do disbursohej kredia, do të shtohet edhe një e katërt.  Nga krahu tjetër komisioni evropian ka kërkuar zgjatjen e zbatimit të programit me një vit.

Objektivi specifik i programit është përmirësimi i administratës publike, në mënyrë që të bëhet më efikase, llogaridhënëse, transparente, përfshirëse dhe efektive në nivel qendror dhe vendor. Gjithashtu këto fonde do mbështesin dhe reformën digjitale në administratë të qeverisë.

Po ndodh...