Bashkitë 3-fishojnë të ardhurat në 10 vite/ Mbi 400 milionë euro mblidhen në 2024-ën, por sërish “në dorë” të qeverisë

3 Mars 2025, 15:58 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Bashkitë 3-fishojnë të ardhurat në 10 vite/ Mbi 400

Bashkitë kanë rritur ndjeshëm perfomancën në mbledhjen e të ardhura ndër vite, pavarësisht se ende nuk janë në potencialin e duhur.

Referua një analizë të bërë nga “Altax” të ardhurat nga pushteti vendor kanë pasur një rritje të qëndrueshme, duke arritur në 40,3 miliardë lekë në vitin 2024, nga 12,4 miliardë lekë në vitin 2014, me afro 225 %.

Sipas analizës, kjo rritje është një tregues i menaxhimit të përmirësuar financiar nga autoritetet lokale, të cilat kanë rritur mbledhjen e tatimeve dhe kanë zbatuar politika të mira fiskale.

Ndërkohë, ky trend mund të lidhet gjithashtu me një decentralizim më të madh të të ardhurave dhe shpenzimeve.

Analiza del në konkluzion se të ardhurat nga pushteti vendor, të cilat përfshijnë taksa lokale si taksa mbi pasurinë dhe taksa mbi biznesin e vogël, janë rritur, por ato mbeten të varura në masë të madhe nga transfertat buxhetore të shtetit. Ky varësi është një tregues i pafavorshëm për buxhetin lokal, pasi autoritetet vendore shpesh nuk kanë mundësi të krijojnë burime të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e nevojshme lokale.

Po ashtu, nënvizohet se performanca e pushtetit vendor, e cila mbështetet kryesisht në transfertat nga buxheti i shtetit, ka pasur limite në lidhje me autonominë financiare dhe mbështetjen e pensioneve dhe shërbimeve sociale në nivel lokal. Rritja e këtyre të ardhurave, veçanërisht nga taksat lokale, është shumë e varur nga politikat fiskale dhe ekonomike të qeverisë qendrore, dhe shpesh këto transfertat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar kërkesat e rritura për pensione.

Por ndërsa të ardhurat janë rritur, në analizë, evidentohet  kjo ecuri nuk është përshtatur në projeksionet afatagjata për të përballuar presionet e ardhme dhe qëndrueshmëria buxhetore.

Po ashtu theksohet përgjegjshmëria për politikat sociale duket se nuk ka patur vizionin e kërkuar nga sfidat e ardhme, që sot përbëjnë kërcënimin e fortë ndaj buxhetit.  Ndërsa mungesa e strategjive të qarta për adresimin e diferencave midis të ardhurave dhe shpenzimeve të nevojshme, konsiderohet se ka krijuar një boshllëk që kërkon një përkushtim më të madh nga politikat fiskale dhe sociale./SCAN