Ekonomia shqiptare në rritje? Guvernatori Sejko: Të gatshëm për të ndërhyrë duke garantuar stabilitetin e çmimeve

19 Shtator 2022, 17:19 / EKONOMI ALFA PRESS

Ekonomia shqiptare në rritje? Guvernatori Sejko: Të gatshëm

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklaruar se ekonomia shqiptare pritet të shënojë rritje gjatë periudhës së mbetur të vitit 2022 e më tej, duke dëshmuar gjerësinë dhe soliditetin e burimeve të rritjes, qëndrueshmërinë e mbështetjen e sektorit financiar, si dhe fleksibilitetin e sektorit privat. Këto deklarata Sejko I bëri gjatë takimit  me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li. Takimi u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë.

Fillimisht, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit midis Bankës së Shqipërisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat kanë qenë një mbështetje e vazhdueshme për hartimin e reformave ekonomike dhe financiare të vendit dhe sidomos për zbatimin e reformave të nevojshme për konsolidimin e sistemit bankar shqiptar.

Në përmbushje të mandatit të saj kryesor, Banka e Shqipërisë ka vijuar procesin e normalizimit të politikës monetare, duke rritur normën bazë të interesit 3 herë gjatë këtij viti, për kontrollin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor afatmesëm. “Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të ndërhyjë në kohën dhe me forcën e duhur për të garantuar stabilitetin e çmimeve në vend, duke krijuar kushte të përshtatshme për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë shqiptare.”- u shpreh Guvernatori.

Ambienti i jashtëm vazhdon të mbetet sfidues. MegjithatëPër sa i përket sistemit bankar, Guvernatori u shpreh se vitet e fundit ky sistem ka pasur një konsolidim të mëtejshëm, karakterizuar nga tregues të qëndrueshëm financiarë dhe likuiditet i bollshëm për të mbështetur zhvillimin e vendit. Gjatë vitit 2022, depozitat dhe kreditë u rritën, cilësia e kredisë vijoi përmirësimin dhe treguesit e tjerë të qëndrueshmërisë financiare mbetën në nivele të përshtatshme.

Disa nga çështjet e tjera në të cilat ai u ndal ishin nxitja e kreditimit të shëndetshëm, reduktimi i kredive me probleme, digjitalizimi i tregut të pagesave dhe fuqizimi i aftësisë për ndërhyrje të jashtëzakonshme. Ndërmarrja e hapave konkretë në secilën fushë mbetet një tregues konkret i angazhimit të Bankës së Shqipërisë për respektimin e detyrave të saj ligjore, adresimin e sfidave të reja, si dhe mirëqeverisjen institucionale./ Alfapress.al

 

Po ndodh...