Emigrantët ‘mbajnë’ Shqipërinë, dërgesat më të larta në 12 vite

13 Shtator 2022, 12:31 / EKONOMI ALFA PRESS

Emigrantët ‘mbajnë’ Shqipërinë, dërgesat

Emigrantët vijojnë të rrisin dërgesat e tyre për familjarët në vendin tonë, ku vetëm në 6 muajt e fundit, ato kanë arritur vlerën më të lartë në 12 vite.

Sipas bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, gjatë periudhës janar-qershor 2022, emigrantët dërguan në shtëpi 376 milionë euro, me një rritje prej 10.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky është niveli më i lartë i remitancave që nga viti 2010.

Të ardhurat e migrantëve kulmuan nga vitit 2000, kur të ikurit e viteve 90 u stabilizuan dhe filluan të dërgonin para në shtëpi deri në vitin 2009. Më pas filloi trendi rënës i tyre, që ishte i lidhur me ciklin e emigracionit, ku të ikurit pas një periudhë prej 10-15 vjeçare fillojnë e i shkëpusin lidhjet gradualisht më vendin mëmë.

Ky cikël rënës vijoi deri në 2013-n. Më pas filloi tendenca rritës e qëndrueshme (me përjashtim të 2020-s, që përkon me periudhën pandemike), duke kulmuar në 2022-n.

Sipas ekspertëve kjo prirje lidhet me rigjallërimin e emigracionit, pasi një pjesë e popullsisë vijon të emigrojë. Për më tepër vala e re ka përfshirë punonjës me pozicione të mira pune si mjekë, infermierë, apo specialistë të teknologjisë së informacionit.

Të dhëna të tjera tregojnë se ikja e shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian duket se nuk ka të ndalur. Sipas Eurostat në vitin 2021 janë dhënë 55.2 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë në një nga vendet e BE-së. Në krahasim me një vit më parë, kur ky proces u bllokua nga pandemia, lejet janë rritur me 47%.

Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat, shtetet e BE-së kanë dhënë për shqiptarë gjithsej 756 mijë shtetas shqiptarë. Nga institucionet ndërkombëtare, numri i lejeve të qëndrimit për shtetasit e një vendi llogaritet si emigracion. Kjo shifër është gati sa 30% e popullsisë që vlerësohet që jeton aktualisht në Shqipëri.

Cikli i remitancave duket se ndjek në mënyrë të drejtë atë të lejeve të qëndrimit që jepen nga vendet e Bashkimit Europian, teksa pas 2013-s të dy treguesit rezultojnë me rritje.

Vala e parë e emigrimit të shqiptarëve ishte në dekadën e parë të tranzicionit, të cilët filluan të merrnin leje qëndrimi pas vitit 2000.

Në 2008-n u dhanë gjithsej gati 100 mijë leje qëndrimi sipas Eurostat.

Emigracioni filloi të zbehej pas vitit 2010 dhe në 2013-n regjistrohet numri më i ulët i lejeve, me rreth 30 mijë. Më pas, në 2015-n filloi një valë e re emigracioni, e reflektuar dhe në kërkesat për azil në vendet e BE-së që atë vit arritën rekordin e rreth 60 mijë.

Ndonëse kërkesat për azil erdhën në rënie vitet e mëpasshme, duke zbritur në rreth 20 mijë në vit, rezulton se shumë persona e kanë gjetur rrugën për të ikur, teksa lejet e qëndrimit arritën deri në 60 mijë në vit.

 

Po ndodh...