Ndryshon tatimi mbi pagat, pritet rishikimi i qeverisë

23 Shtator 2024, 12:48 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Ndryshon tatimi mbi pagat, pritet rishikimi i qeverisë

Qeveria do të rishikojë në dy vitet ardhshme skemën e taksimit të pagave duke rritur pragun e pa taksueshem dhe duke rishikuar normat e progresivitetit.

Sipas strategjisë fiskale afatmesme 2024-2027 synohet “Përmirësim i progresivitetit në skemën aktuale të taksimit të të ardhurave nga punësimi, duke lehtësuar kategoritë me të ardhura të mesme dhe duke rritur pragun e aplikimit të normës marxhinale”.

Qeveria argumenton se Shqipëria arkëton në buxhet nga tatimet direkte mbi të ardhurat e biznesit dhe atyre individuale, rreth 40-50 % më pak se vendet e Bashkimit Europian. Kjo diferencë, lidhet kryesisht me 3 faktorë:

-Normat përgjithësisht të ulëta tatimore që zbaton Shqipëria krahasuar me vendet e BE-së;

-Përjashtimet nga tatimi mbi të ardhurat për bizneset dhe individët;

-Mosraportimi/nënraportimi i të ardhurave dhe fitimeve nga bizneset dhe individët.

Sipas projektit të qeverisë drejtimet kryesore të reformës së politikave tatimore për tatimet e entiteteve dhe personave fizikë do të synojnë zgjerimin e bazës së deklarimit të të ardhurave personale, duke ulur pragun e detyrimit për deklarim. Për këtë qëllim do të krijohet njësia e specializuar në administratën tatimore, e dedikuar për kontrollin e individëve me të ardhura dhe pasuri shumë të larta.

Në dy vitet në vijim do të aplikohet rritje graduale e pagës minimale për efekt të kontributeve dhe pagës minimale për efekt të tatimit mbi pagën, duke synuar njehsimin e tyre në të ardhmen.

Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi dhe kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përbën një burim të rëndësishëm të të ardhurave tatimore në Shqipëri të cila kanë një impakt të rëndësishëm në aktivitetin ekonomik, dhe eficencën e tregut të punës. Në terma afatmesëm, sistemi aktual i taksimit të punës ka nevojë për ndërhyrje me qëllim reduktimin e ndërlikimeve që shkaktojnë disa baza tatimesh.

Për të rritur të ardhurat nga tatimi mbi pagat administrata tatimore do të rrisë më tej luftën ndaj informalitetit. Në kuadër të strategjisë nën këtë komponent janë parashikuar 7 masa që do ndërmerren për të adresuar fenomenin. Ndërmarrja e këtyre masave pritet të sjellë një rritje të ardhurave tatimore me 4.9 miliard lek për tatimin mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Prioritetet për periudhën 2024-2027 janë rritja me 0.18% e PPB të të ardhurave nga tatimi mbi pagën dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Rritja e deklarimit të pagës reale të 16 % të punësuarve. Përfshirja në skemën e kontribuuesve me 5.5 % pozicione të rinj pune dhe hartimi i planit sektorial për identifikimin e punës së padeklaruar dhe nën-deklaruar./ MONITOR

 

Po ndodh...

ide