Përkeqësohet shëndeti i shqiptarëve, numri i operacioneve shënon rekord

21 Nëntor 2024, 16:26 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Përkeqësohet shëndeti i shqiptarëve, numri i operacioneve

Teksa popullsia është tkurrur ndjeshëm vitet e fundit duke rezultuar 2.4 milionë banorë sipas censit të fundit, ajo po bëhet dhe më e pashëndetshme, si rrjedhojë e plakjes graduale dhe emigrimit të të rinjve.

Një tjetër faktor lidhet dhe me pasojat afatgjata që la pandemia e Covid 19.

Të dhënat e INSTAT për shëndetin publik 2023 bënë të ditur se në vitin 2023, numri i vizitave gjithsej në shërbimin parësor ishte 9.241.229, mesatarisht 3,3 kontakte për person në vit.

Numri i vizitave shënoi një rritje me 9,6%, krahasuar me numrin e vizitave në vitin paraardhës. Gjatë vitit 2023, ditët mesatare të qëndrimit të një pacienti në spital ishin 4,8 ditë. Në institucionet publike të shërbimit spitalor janë kryer 65.043 ndërhyrje kirurgjikale, 1,8% më shumë, krahasuar me një vit më parë. Ky është numri më i lartë i operacioneve që është regjistruar, të paktën që nga viti 2019, kur INSTAT raporton të dhënat.

Në të kundërt janë ulur vizitat e grave në qendra, e lidhur kjo kryesisht me rënien e lindjeve si dhe të fëmijëve dhe kjo e ndikuar nga plakja e popullsisë dhe emigrimi i familjeve më fëmijë.

Në vitin 2023, nga 9.241.229 vizita gjithsej në shërbimin parësor, 41,5% u kryen në qendrat shëndetësore, 23,2% në ambulanca dhe 35,2% në poliklinika. Përgjatë 5 viteve të fundit, vihet re pothuajse e njëjta shpërndarje në numrin e vizitave. Rreth 35% e vizitave në qendrat shëndetësore dhe ambulancat u realizuan nga personat mbi 60 vjeç.

Në vitin 2023, numri i vizitave në konsultorin e gruas ishte 203.550, duke shënuar një rënie me 7,5%, krahasuar me vitin 2022. Nga totali i vizitave, 21,9% ishin vizita gjinekologjike dhe 78,1% ishin vizita obsetrikale. 60,5% e vizitave obsetrikale u realizuan me asistencë të mjekut specialist. Numri i vizitave të para-obsetrikale ishte 21.944, me një rënie me 6,4%, krahasuar me vitin 2022.

Në vitin 2023, në konsultorin e fëmijëve u regjistruan 281.055 fëmijë dhe u kryen 738.629 vizita, mesatarisht 2,6 vizita për fëmijë në vit. Krahasuar me vitin 2022, numri i vizitave është ulur me 1,4%. Nga totali i vizitave, 52,3% e tyre u realizuan me asistencë të mjekut specialist dhe pjesa tjetër me asistencë të mamive dhe infermierëve.

Numri i fëmijëve 0-1 vjeç që ushqehen vetëm me gji gjatë vitit 2023 ishte 15.979, ndërsa numri i fëmijëve që ushqehen vetëm me ushqim artificial ishte 4.365

Në vitin 2023, vaksinimi i fëmijëve brenda vitit të parë të jetës sipas skemës kombëtare të vaksinimit vazhdon të jetë i lartë për të gjitha llojet e vaksinave. Këtë vit vërehet një rritje e mbulesës vaksinale ndaj Fruth-Rubeolë-Parotit me 3,8 pikë përqindje, ndaj Difterisë, Tetanozit dhe Pertusit me 2,1 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022. Ndërkohë vihet re një rënie e mbulesës vaksinale prej 0,9 pikë përqindje ndaj Poliomilitit.

Në vitin 2023, numri i spitaleve publik dhe jopublik në vend është 67, nga të cilët 43 janë spitale publike dhe 24 spitale private. Mbulimi i shërbimit spitalor publik dhe jopublik është 2,4 spitale për 100 mijë banorë.

Në institucionet publike të shërbimit spitalor, në vitin 2023 numri i të shtruarve ishte 285.594 pacientë.

Shfrytëzimi i shtratit në ditë për kujdes shëndetësor gjatë vitit 2023 ishte 166,5 ditë, të cilat përbëjnë 45,6% të ditëve kalendarike të vitit 2023. Ditët e qëndrimit mesatar të një pacienti janë 4,8 ditë në vit me një xhiro të shtratit 35,0 herë pacientë në vit.

Në vitin 2023, nga totali i pacientëve të shtruar, u kryen 65.043 ndërhyrje kirurgjikale, me një rritje prej 1,8%, krahasuar me vitin paraardhës. Nga totali i operacioneve të kryera, përafërsisht gjysma e operacioneve i përkasin shërbimit të kirurgjisë (49,7%)./Monitor