PPP gangrena e shëndetësisë/ Qeveria rrit financimin e koncesionit të laboratorëve me 2.4 mln euro, tejkalohet buxheti vjetor

3 Tetor 2022, 08:16 / EKONOMI ALFA PRESS

PPP gangrena e shëndetësisë/ Qeveria rrit financimin e

Me një vendim qeverie që u publikua së fundmi në Fletoren zyrtare, Qeveria rriti me 10% financimin për kontratën koncesionare të laboratorëve, e cila është në vitin e tretë të zbatimit.

Sipas vendimit të qeverisë, që detajon shpenzimet për financimin e shërbimit spitalor përcaktohet se financimi për koncesionin e laboratorit, ndaj kompanisë “Laboratory Network” do të arrijë në mbi 1.6 miliardë lekë këtë vit nga 1.3 miliardë lekë që ishin projektuar në buxhetin fillestar të këtij viti.

Vlera e financimeve për koncesionin e laboratorit vetëm këtë vit u rrit me 2.4 milionë euro.

Kostot më të mëdha i ka “Qendra Spitalore Nënë Tereza”. Nga buxheti vjetor i QSUT-së mbi 8 miliardë lekë, 764 milionë lekë ose 9% e totalit të financimit shkojnë për koncensionin e laboratorit.

Kontrata PPP e laboratorëve nisi në vitin 2019 dhe përfundon në vitin 2028 më një shumë financimi 13 miliardë lekë pa TVSH. Vlera vjetore e financimit është 1.3 miliardë lekë, por duket se gabimet në hartimin e kontratës do të vënë buxhetin e shtetit në vështirësi për financime shtesë. Këtë rrezik e lajmëroi edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shteti gjetur problematika të shumta në kontratën që parashikon ofrimin e shërbimit laboratorik për një periudhë 10-vjeçare, me një kosto totale prej rreth 106 milionë euro.

KLSH konstatoi se vendosja e kufizimeve buxhetore në kuadër të vlerës totale mujore të lejuar për të shpenzuar dhe, duke pasur parasysh tarifat e ofrimit të shërbimit të ofruar, sjell riskun e mos-ofrimit të shërbimit apo tejkalimit të buxhetit në rast të nevojave emergjente.

Por ndërsa qeveria shtoi financimet ndaj PPP-së së laboratorëve fitimet e kompanisë që zotëron këtë koncesion kishin një normë të kënaqshme fitimi.

Të ardhurat e kompanisë sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit ishin 1.3 miliardë lekë në vitin 2021, ndërsa fitimi para taksave ishte 233 milionë lekë.

Norma fitimit për koncesionin e laboratorëve ishte 19 % më shumë se, dyfishi i normës së fitimit mesatare në tregun shqiptar.

Nga aspekti i fitimeve, kontratat PPP janë bizneset më suksesshme në vendin tonë. Por duke qenë se aktiviteti i tyre bazohet në fondet buxhetore, normat e larta të fitimit tregojnë se qeveria nuk është duke administruar me përgjegjësi taksat e shqiptarëve. Të ardhurat e kompanisë Laboratory Network vitin e kaluar ishin sa 12 për qind e fondeve që qeveria shqiptare ka vene në dispozicion të rimbursimit të medikamenteve./Monitor

PPP gangrena e shëndetësisë/ Qeveria rrit financimin e

PPP gangrena e shëndetësisë/ Qeveria rrit financimin e

 

Po ndodh...