Rekord europian/ Një në tre shqiptarë punon në shtet!

7 Shtator 2022, 07:53 / EKONOMI ALFA PRESS

Shqipëria renditet mes vendeve me përqindjen më të lartë të punonjësve të cilët janë të punësuar në sektorin shtetëror në krahasim me totalin e të punësuarve me pagë. Të dhënat nga “Instituti i Statistikave” të analizuara nga “Scan Intel” tregojnë se gjatë vitit 2021 në sektorin shtetëror janë regjistruar 183,255 të punësuar me pagë.

Ndërkohë, po të njëjtat të dhëna për vitin 2021 bëjnë me dije se në total të punësuar me pagë janë 597,876. Nga një përllogaritje e thjeshtë del se nga total i të punësuarve me pagë, 30.6% prej tyre janë të punësuar në sektorin shtetëror, pra e thënë ndryshe 1 në 3 të punësuar me pagë punon në këtë sektor.

Nëse do ta krahasonim vendin tonë me vendet e Europës vihen re diferenca interesante mes të dhënave për secilin vend. “Scan Intel” ka analizuar të dhënat e vendeve të cilat janë pjesë të OECD-së sa i përket numrit të punonjësve në sektorin shtetëror në raport me totalin e të punësuarve me pagë. Sipas kësaj analize Norvegjia kryeson Europën me 30.4%, ndjekur nga Suedia me 28.8% dhe Danimarka me 28.02%. Po ashtu, shifrat tregojnë se Finlanda e regjistron këtë tregues në 24.29%, Lituania në 22.16%, ndërsa Franca dhe Italia me 21.91% dhe 13.43% secila. Vendi me numrin më të ulët të punonjësve shtetërorë në raport me numrin total të të punësuarve me pagë është Gjermania me 10.49%.

“Scan Intel” ndër të tjera gjithashtu ka analizuar se si ka ndryshuar numri i punonjësve në sektorin shtetëror ndër vite. Shifrat tregojnë se viti 2021 regjistron numrin më të lartë të të punësuarve kontribues në sektorin shtetëror që nga viti 2014-të për të cilin INSTAT disponon të dhëna. Gjatë vitit 2020, në këtë sektor ishin gjithsej 175,443 të punësuar, duke pësuar kështu një rritje me 4.45%. Por si është i shpërndarë ky numër sipas profesionve? Të dhënat bëjnë me dije se specialistët përbëjnë numrin më të lartë të të punësuarve, ndjekur nga teknikë dhe ndihmës specialistë. Ndërkohë sipas shifrave të “Institutit të Statistikave” për vitin 2021 sektori privat regjistronte 519,867 të punësuar me pagë.

Rekord europian/ Një në tre shqiptarë punon në shtet!

Rekord europian/ Një në tre shqiptarë punon në shtet!

 

 

 

Po ndodh...