Rritja e çmimit të biletës së urbanit? Çfarë pritet të bëjë bashkia pas kërkesës së operatorëve për dyfishim

20 Nëntor 2024, 08:20 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Rritja e çmimit të biletës së urbanit? Çfarë

Çmimi i biletës së transportit urban nuk do të rritet. Kërkesës së operatorëve për dyfishim të çmimit për shkak të mospërballimit të kostove, Bashkia e Tiranës iu është përgjigjur me dhënie subvencionimi deri në 10 lekë për çdo biletë të shitur.
Sipas operatorëve, përfshirë TVSH-në vlera e kompensimit arrin në 12 lekë për biletë.

Sot në mbledhjen e këshillit Bashkiak do të shqyrtohet për miratim projektvendimi i propozuar nga Bashkia e Tiranës “Mbi përcaktimin e tarifave të transportit publik qytetas në bashkinë e Tiranës, mënyrën dhe rregullat që do të ndiqen për subvencionimin dhe kompensimin e tyre”.

Së pari, projektvendimi parashikon subvencionim për operatorët e transportit urban në vlerën 10 lekë për biletat njëpërdorimshme.
Së dyti, Bashkia e Tiranës ka propozuar kompensimin 100% ndaj operatorëve për abonetë falas që shpërndan për studentët dhe për pensionistët që nis nga 1 janari 2024. Për shpërndarjen e aboneve falas për studentët përgjatë periudhës nga muaji tetor deri në qershor, aktualisht Bashkia e Tiranës i kompenson operatorët në vlerën e 600 lekë për abone nga 1,600 lekë që është çmimi i saj.

Operatorët do të subvencionohen 10 lekë për çdo biletë
Projektvendimi parashikon se “për biletën njëpërdorimshëm për një udhëtim, për transportin publik qytetas në format letër me çmim të parashtypur ose (elektronike), që aplikohet për udhëtarët është 40 (dyzetë) lekë, përfshirë TVSH.

Bashkia Tiranë do të subvencionojë operatorët e transportit publik qytetas deri në 10 (dhjetë) lekë për çdo biletë njëpërdorimshëm për një udhëtim, për transportin publik qytetas në format letër me çmim të parashtypur të shitur apo elektronike, sipas kushteve të përcaktuar në këtë vendim”, citohet në projektvendim.

Për aplikimin e skemës së subvencionimit të biletës njëpërdorimshme Bashkia e Tiranës synon gjithashtu vendosjen e rregullave të qarta të përfitimit nga ana e operatorëve. Nga skema e subvencionimit do të përfitojnë ata operatorë që kryejnë jo më pak se 90 % të kilometrave mujore të planifikuara në urdhrin e kryetarit të Bashkisë për kushtet e shërbimit të linjave qytetase.

Vendimi parashikon se në rastin kur operatori kryen më pak se 90% të kilometrave mujore të miratuara/planifikuara, nuk përfiton subvencionim të tarifës së biletës në transportin qytetas njëpërdorimshëm për një udhëtim, dhe për të zbatohen parashikimet e“Kreut V”, të këtij vendimi për sa i përket planifikimit të aboneve.

Po ashtu në ditët kur operatori kryhen më shumë se 100% të kilometrave ditore të planifikuara, kilometrat e realizuara mbi vlerën 100% të km të planifikuara, nuk shtohen tek kilometrat mujore të operuara nga linja.

Ndërsa në rastet e aktiviteteve, apo punimeve në rrugë, si dhe në rastet e tjera që krijojnë bllokim, apo devijim të itinerarit, të informuara më parë më parë nga Bashkia operatorit do t’i rillogariten kilometrat e miratuara, duke zbritur kilometrat ditore të planifikuara dhe të operuara, të ditës, të cilat kanë qenë të pamundura për t’u operuar.

Vendimi përcakton se verifikimi i të dhënave do të bëhet me përputhshmërinë e raportit të kilometrave të gjeneruar nga sistemi GPS dhe raportit të monitorimit në terren nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit.

Rregullat për përfitimin nga skema e subvencionimit të biletës
-Për kryerjen nga (90.00% deri në 91.99%) të kilometra mujore të planifikuara, për secilën linjë, subvencionimi i tarifës për çdo biletë njëpërdorimshe për një udhëtim, të shitur është vlera 10 (dhjetë) lekë, shumëzuar me koeficentin (0.7).
-Për kryerjen nga (92.00% deri në 93.99%) kilometra mujore të planifikuara, për secilën linjë, subvencionimi për çdo biletë njëpërdorimshme për një udhëtim, të shitur është10 (dhjetë) lekë, shumëzuar me koeficentin (0.8).
-Për kryerjen nga (94.00% deri në 95.99%) kilometra mujore të planifikuara, për secilën linjë, subvencionimi për çdo biletë njëpërdorimshe për një udhëtim, të shitur është vlera 10 (dhjetë) lekë, shumëzuar me koeficentin (0.9).
-Për kryerjen (96.00 % deri në 100 %) të kilometrave mujore të planifikuara, për secilën linjë, subvencionimi për çdo biletë njëpërdorimshme për një udhëtim, të shitur është vlera10 (dhjetë) lekë, shumëzuar me koeficentin (1).

Kompensim në vlerën 1,600 për abonetë e pensionistëve dhe studentëve
Bashkia e Tiranës ka propozuar kompensimin 100% ndaj operatorëve për abonëtë falas që shpërndan për studentët dhe për pensionistët që nis nga 1 janari 2024. Për shpërndarjen e aboneve falas për studentët përgjatë periudhës nga muaji tetor deri në qershor, aktualisht Bashkia e Tiranës i kompenson operatorët në vlerën e 600 lekë për abone nga 1,600 lekë që është çmimi i saj.

Projektvendimi parashikon që kompensimi ndaj operatorëve të jetë për vlerën e plotë prej 1,600 lekë.
Tarifa për biletë pajtimi mujor, të përgjithshme, për pensionistët, me të drejtë udhëtimi në të gjitha linjat, këtu e kudo në këtë vendim si “Abone Pensionisti”, është 1,600 (një mijë e gjashtëqind) lekë, përfshirë TVSH. Përfitues sipas kësaj pike do të jenë të gjithë personat banues në Bashkinë e Tiranës, femrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe meshkujt të cilët kanë mbushur moshën 65 vjeç.
Vendimi përcakton se numri i Aboneve të Studentit që do të kompensohen përcaktohet nga gjenerimi i raportit nga sistemi (platforma elektronike) e shpërndarjes me Kartën e Studentit.

Ndërsa numri i Aboneve të Pensionistit që do të kompensohen përcaktohet nga gjenerimi i raportit nga sistemi (platforma elektronike) të shpërndarjes për Pensionistët.

Rregullat për të përfituar nga skema e kompensimit të aboneve
-Nëse operatori ka kryer (90.00%; +) të kilometrave mujore të planifikuara, për secilën linjë, planifikimi i aboneve është (100 %) i Aboneve të Përgjithshme, Aboneve të Studentit dhe Aboneve të Pensionistëve sipas planit të muajit kur hyn në fuqi ky vendim;

-Nëse operatori kryen më pak se (90.00%) të kilometrave mujore të planifikuara, për secilën linjë, çdo muaj i ulen 10 % nga planifikimi i Aboneve të Përgjithshme, Aboneve të Studentit dhe Aboneve të Pensionistëve sipas planit të muajit kur hyn në fuqi ky vendim. Ky rregull aplikohet duke konsideruar uljen me 10 %, nga planifikimi bazë, muaji pas muaji për operatorët;

-Operatori që ri realizon (90.00%; +) të kilometrave mujore të planifikuara, për secilën linjë, i rikthehet sasia e humbur prej 10 % të muajit më parë. Ky rregull vijon për çdo muaj deri në rikthimin në planifikimin bazë.

Po ndodh...

ide