Sa kushton një serbator nafte me çmimet aktuale? Një mbushje e plotë e makinës kushton nga...

10 Mars 2026, 17:55 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Sa kushton një serbator nafte me çmimet aktuale? Një mbushje e

Çmimi i naftës në tregun shqiptar ka shënuar rritje ditët e fundit, duke reflektuar presionin që vjen nga tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Aktualisht në pikat e karburantit në vend nafta tregtohet në nivele që variojnë nga rreth 182 lekë për litër, deri në 185 lekë, ndërsa në disa raste arrin edhe në 189 lekë për litër. Edhe pse diferenca mes pikave të ndryshme mund të duket e vogël për litër, ajo bëhet shumë më e dukshme kur përkthehet në koston e mbushjes së plotë të një serbatori makine.

"Scan Intel", për të kuptuar më qartë ndikimin e këtyre çmimeve, ka marrë si shembull një makinë mesatare me një serbator rreth 50 litra.

Nëse nafta blihet me 182 lekë për litër, mbushja e plotë e serbatorit kushton rreth 9,100 lekë. Në pikat ku çmimi është 185 lekë për litër, e njëjta sasi karburanti kushton rreth 9,250 lekë. Ndërsa në rastet kur nafta shitet me 189 lekë për litër, kostoja për një serbator të plotë arrin në rreth 9,450 lekë.

Kjo do të thotë se diferenca mes pikës më të lirë dhe asaj më të shtrenjtë në treg mund të arrijë në rreth 350 lekë për një mbushje të vetme të serbatorit.

Ndikimi bëhet edhe më i dukshëm kur krahasohet me nivelin e pagave. Sipas të dhënave për pagën mesatare në vend, një i punësuar në Shqipëri merr rreth 83,300 lekë bruto në muaj.

Me çmimin aktual prej 182 lekë për litër, një serbator prej 50 litrash kushton rreth 9100 lekë, ose afërsisht 11% e pagës mesatare mujore. Nëse karburanti blihet me 185 lekë për litër, kostoja për një mbushje arrin në rreth 9250 lekë, ose rreth 11.1% të pagës mesatare. Ndërsa me çmimin 189 lekë për litër, një serbator i plotë kushton rreth 9,450 lekë, që përfaqëson afro 11.3% të pagës mesatare mujore bruto, ose rreth 14% të pagës neto.

Për drejtuesit e automjeteve që përdorin makinën rregullisht, kostoja mujore për karburant bëhet edhe më e ndjeshme. Nëse një automjet mbushet mesatarisht katër herë në muaj, shpenzimi për naftë mund të arrijë nga rreth 36,400 lekë në rastin e çmimit 182 lekë për litër, deri në rreth 37,800 lekë në rastin e çmimit 189 lekë për litër.

Kjo do të thotë se përdorimi i rregullt i një automjeti mund të marrë mbi 40% të pagës mesatare mujore, vetëm për karburantin, duke e bërë këtë një nga shpenzimet më të rëndësishme për buxhetin e shumë familjeve./SCAN

Po ndodh...