Sa lekë shpenzojnë shqiptarët për parfume? Vjet u importuan rreth 10 mln euro. Emiratet e Bashkuara Arabe zgjerojnë peshën

5 Mars 2025, 17:30 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Sa lekë shpenzojnë shqiptarët për parfume? Vjet u importuan

Industria e parfumeve në Shqipëri po përjeton një rritje të ndjeshme, me një kërkesë të lartë për aromat e markave të ndryshme nga vende të ndryshme. Të dhënat për importin e parfumeve në dy vitet e fundit tregojnë qartë shifrat dinamike dhe diversifikimin e tregut.

“Scan Intel” ka siguruar të dhënat për importin e parfumeve për dy vitet e fundit dhe origjinën e tyre. Numrat flasin për rreth 1 miliardë lekë importe në vitin 2024 ose gati 10 milionë euro.

Krahasuar me vitin 2023 kur vlera e importit regjistrohej në 879 milionë lekë, rritja në vitin që shkoi vlerësohet në rreth 19% ose 166 milionë lekë më shumë në një vit. Para 10-të viteve ky treg ruante një madhësi relativisht të vogël.

Por, a po humbet filli i origjinës “klasike” të tregtimit të parfumeve në Shqipëri?

“Scan Intel” ka marrë në analizë importin e parfumeve sipas vendeve kryesore të origjinës, ku rezulton se peshën më të madhe e mbajnë Franca dhe Italia me rreth 64.9% të totalit për vitin 2024, pasuar nga Turqia me 8.1% dhe Spanja me 7.8% të peshës së importeve.

Më konkretisht, importet nga Franca regjistrohen në 426 milionë lekë, ndërkohë ato nga Italia në rreth 176 milionë lekë.

Por ajo që vihet re krahasuar me vitin 2023 është rënia e peshës së këtyre dy partnerëve kryesorë. Parfumet nga Emiratet e Bashkuara Arabe po gjejnë vend gjithmonë e më shumë në tregun shqiptar. Sipas shifrave pesha e importit për vitin 2024 nga Emiratet e Bashkaura Arabe vlerësohet në 5.1% nga 1.8% në vitin 2023. Në vlerë absolute importet me këtë partner në vitin 2024 arritën në 53 milionë lekë./SCAN

 

Po ndodh...