
SPAK tremb administratën, në 2024-n u ‘dogjën’ 372 mln euro të planifikuara si shpenzime! Eksperti: Frikë me tenderat por dhe keqplanifikim

Plani ambicioz i investimeve nuk u realizua në vitin 2024. Institucionet nuk arritën të shpenzonin afro 372 milionë euro fonde që i kishin në dispozicion për projekte të ndryshme. Sipas shifrave nga Ministria e Financave, në total për vitin 2024 janë shpenzuar 734.1 miliardë lekë, ose 37.2 miliardë lekë (372 mln euro) më pak se pritshmëritë.
“Mos realizimi i shpenzimeve publike nga institucionet lidhet me disa faktorë, që lidhen si me planifikimin e keq ashtu edhe me ndikimin që kanë grupe të caktuara”, shprehet eksperti i ekonomisë Zef Preçi.
Qeveria kishte planifikuar në buxhetin e vitit 2024, më shumë se 128 miliardë lekë investime publike, përfshirë edhe rindërtimin, por në fakt u realizuan vetëm 115 miliardë lekë investime.
Eksperti thotë se përveç keq-planifikimit, administrata është e ‘frikësuar’ nga hetimet e SPAK, dhe po ndërgjegjësohet duke u treguar e kujdesshme kur hedh firmën në projektet që hartohen apo në procedurat tenderuese.
“Një faktor në rritje vitet e fundit është edhe frika nga ndëshkimi. Është pozitive që administrata po ndërgjegjësohet që të firmosësh në shkelje të ligjit që të pasurohet dikush tjetër që lobon për projekte të caktuara, është në dëmin e atij që firmos dhe kjo duhet të shikohet me pozitivitet. Por frika nga hetimet e SPAK duhet të kapërcehet se nuk i shërben mirëmenaxhimit të financave publike”, shprehet Preçi.
Ecuria e dobët e investimeve përgjatë periudhës janar-nëntor 2024, u pasua nga një hov pagesash për investime, shërbime të papaguara, për paga, sigurime apo vendimesh gjyqësore në muajin dhjetor e janar. Gjatë kësaj periudhe ministritë harxhuan mbi 158.8 miliardë lekë pasi deri në fund të 11 mujorit ishin shpenzuar në total 575.3 miliardë lekë.
“Shqipëria vijon të përballet me shtyrjen për në momentin e fundit të një pjese të mirë të investimeve publike, që nënkupton prokurime në emergjencë, likuidim faturash për projekte të papërfunduara”, thotë Preçi
Ministria e Financave thotë se shpenzimet patën ecuri të ngadaltë vjet për shkak të vonesave në procedurat tenderuese, vonesave në realizimin e projekteve si dhe në marrjen e fondeve të huaja.
Raportet zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se realizimin më të ulët të investimeve e ka Ministria e Ekonomisë, ndjekur nga ministria e Brendshme, ministria e Mbrojtjes, e Arsimit, e Bujqësisë, dhe e Infrastrukturës, ndërsa performancën më të mirë e ka pasur Ministria e Shëndetësisë./Shqiptarja.com

ide

Politika e tranzicionit nuk gjen forcë të përgëzojë SPAK-un


Pas Veliajt, a do të vijë radha e Edi Ramës?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128