Studimi/ Rritja e taksave pengon nisjen e duhanpirjes te të miturit

15 Shtator 2022, 12:58 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Studimi/ Rritja e taksave pengon nisjen e duhanpirjes te të miturit

Rritja e taksave të duhanit, që çon edhe në rritjen çmimeve, mund të kontribuojë në një rënie të prevalencës së duhanpirjes sidomos te fillestaret, thuhet në rezultatet e një studimi të kryer nga DSA (Development Solutionas Associates) dhe Tabaccotaxation.

Studimi analizon të dhënat e siguruara nga Anketa Botërore e Duhanpirjes te të Rinjtë (Global Youth Tobacco Survey – GYTS) i zbatuar në Shqipëri gjatë viteve 2004, 2009, 2015 dhe 2020. GYTS është një anketë kombëtare, e kryer nëpër shkolla dhe trajton përdorimin e produkteve të duhanit te nxënësit e moshave 11 deri në 17 vjeç dhe në katër anketat e përdorura në studim janë intervistuar 19,513 nxënës.

Rezultatet tregojnë se çmimi ka ndikim të madh në vendimin për të filluar pirjen e duhanit te të miturit. Rritja e çmimit me 10% e redukton mundësinë e nisjes së duhani pirjes me 5%.

Femrat janë më të ndjeshme ndaj çmimit të cigareve. Një rritje e çmimet të cigareve redukton gjasat e nisjes së duhan pirjes për femrat shumë më tepër sesa për meshkujt, pasi femrat janë pothuajse katër herë më të ndjeshme ndaj rritjes së çmimit sesa meshkujt.

Evidencat empirike të paraqitura sugjerojnë se përveç çmimit të cigares, variablat e tjera duke përfshirë gjininë, pirjen e duhanit në shtëpi dhe nga prindërit dhe bashkëmoshatarët (p.sh., shokët e klasës dhe miqtë e ngushtë) ndikojnë ndjeshëm në fillimin e duhan pirjes.

Informimi, mesazhet e edukimit dhe ndërgjegjësimi në drejtim të prindërve janë të rëndësishme, duke 4 treguar rëndësinë e rolit të prindërve si modele për të miturit për të parandaluar nisjen e duhanpirjes.

Rezultat e studimit treguan që zbatimi i ligjeve për kontrollin e konsumit të duhanit në mjedise publike kishte një efekt të rëndësishëm në uljen e nisjes së duhan pirjes tek të miturit.

Politikat për mbrojtjen e të miturve nga duhan pirja dhe ruajtjen e mjediseve larg tymit të duhanit janë mjaft të rëndësishme për reduktimin e nisjes së duhan pirjes dhe promovimin e një kulture anti-duhan në të ardhmen.

Një kombinim i rritjes së taksave, forcimit të zbatimit të ligjeve për të kontrolluar përdorimin e duhanit në hapësirat publike dhe fushatave të mas-mediave të shëndetit publik për t’u ndërgjegjësuar rreth problemeve dhe zgjidhjeve mund të sjellin uljen e fillimit të duhanpirjes.

Shumë individë fillojnë të pinë duhan që në moshë të re. Mosha mesatare e pirjes së duhanit është 13 vjeç si për meshkujt, ashtu edhe për femrat.

Gjysma e duhanpirësve kanë nisur të pinë duhan para moshës 13 vjeçare dhe 90 për qind e tyre para moshës 15 vjeçare. Rreziku i fillimit të duhanpirjes rritet ndjeshëm pas moshës 13 vjeç si për meshkujt ashtu edhe për femrat.

Studimi vë në dukje se, politikat lidhur me kontrollin e duhanit kanë një efekt të dukshëm në reduktimin e nisjes së duhanpirjes tek të miturit. Politikat e zbatuara gjatë viteve 2013-2014 kanë ndikuar në reduktimin e ndjeshëm të pirjes së duhanit tek të miturit në Shqipëri.

Specifikisht, pas nisjes së aplikimit të gjobave për bizneset dhe më vonë për duhanpirësit, në lidhje me shkeljet e masave (legjislacionit) për ndalimin e konsumit të duhanit në mjedise publike, nisja e duhanpirjes ka rënë me 30 dhe 20 për qind respektivisht.

 

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128