EMRI/ Fyente një vajzë nëpërmjet një profili fake! Arrestohet 33-vjeçari, në banesë i gjendet

2024-09-11 18:35:44 / AKTUALITET ALFA PRESS

EMRI/ Fyente një vajzë nëpërmjet një profili fake!

Policia e Durrësit, në bashkëpunim me atë të Kurbinit, ka arrestuar një 33-vjeçar, i cili akuzohet për hapjen e llogarive të rreme në rrjetet sociale “Facebook” dhe “Instagram” dhe për mbajtjen e armëve pa leje. Shtetasi Gentjan Mema, nga Fushë Mamurrasi, është vënë në pranga në kuadër të operacionit policor të koduar “Fake Accounts”.

Në vitin 2023, një 24-vjeçare nga Durrësi kishte depozituar një kallëzim në lidhje me shqetësime të vazhdueshme nga llogaritë e falsifikuara në rrjetet sociale, të cilat e shqetësonin dhe e fyenin vazhdimisht. Pas këtij kallëzimi, Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, ka nisur një hetim për veprën penale të “Falsifikimit kompjuterik”.

Hetimet kanë rezultuar në identifikimin e Gentjan Memës si individin që menaxhonte këto llogari të rreme. Po ashtu, është zbuluar se ai mbante armë zjarri pa leje. Pas sigurimit të provave, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka lëshuar një urdhër për kontrollin e banesës së Memës në Fushë Mamurras, Kurbin. Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip kallashnikov dhe dy krehra me 46 fishekë.

Materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Durrësit, e cila do të hetojë për veprat penale të “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Falsifikimit kompjuterik”. Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë rast dhe për të marrë masat e nevojshme ligjore.