Informacione se SPAK do sulmohet me dron dhe tritol/ Hapet tenderi 708 mijë euro për paisje sigurie!

2024-09-15 12:42:50 / AKTUALITET ALFA PRESS

Informacione se SPAK do sulmohet me dron dhe tritol/ Hapet tenderi 708 mijë

Një shumë prej 708 mijë euro është vendosur të shpenzohet nga SPAK, me qëllim blerjen e një sistemi të avancuar për skanimin e mjeteve që hyjnë në oborin e Prokurorisë së Posaçme, sistem ky që shërben si mbrojthës antiterorizëm në shumë institucione të sigurisë.

Kujtojmë se hapja e këtij tenderi, vjen në një kohë kur SPAK, sapo ka mbyllur mega procedurën tenderuese prej 4 miliard lekë, që do shkojë për mobilimin e godinës së re të SPAK, ndërtimin e një tuneli ajror dhe ndërtimi i disa shkallëve të brendshme brenda objektit ekzistues të dhuruar nga Bashkia e Tiranës.

Ndërkohë gazetari i “Ora News” Elton Qyno, ka mësuar se shkak për blerjen e këtij sistemi mbrojtës që synon të blindojë nga jashtë dhe brenda hyrjet dhe daljet e SPAK, është bërë një informacion i mbëritur nga Policia e Shtetit, për një skenar të mundshëm të sulmit të godinës me dron ose makina të mbushura me tritol.

Ndaj duke vlerësuar këto informacione të policisë, por dhe duke parë tendencën e disa individëve të krimit të organizuar të përgjuar nga vetë SPAK, drejtuesi i këtij institucioni Altin Dumani, ka vendosur ta zgjidhë qesen financiare, duke shpenzuar plot 708 mijë euro, ku qëllimi është blindimi i hyrjeve dhe daljeve të këtij institucioni.

Sipas dokumentave, tenderi është ndarë në dy lote të posaçme, ku Loti i Parë përmes një shumë financiare prej 218 mijë euro synon të blejë një paisje skanimi për bagazhe, një paisje skaner për zarfet e postës si dhe 1 urë kontrolli.

Ndërkohë Loti i Dytë, i këtij tenderi synon që përmes shumës financiare prej 489 mijë euro, të blejë një paisje skaner për skanimin e poshtëm të automjeteve që hyjnë dhe parkohen në ambjentet e brendshme të SPAK, si dhe një paisje automatike e quajtur “Bollard”.

Njësia e skanimit duhet të jetë e dizenjuar për të dhënë rezultate maksimale në skanimin e poshtëm të automjeteve.

Sipas vetë dokumentave të SPAK, qëllimi i blerjes së sistemit automatik me siguri të lartë “Bollard”, është të ndalojë automjetet nga hyrja e paautorizuar në zona të sigurisë dhe të ruajë nivelin më të lartë të mbrojtjes ndaj antiterrorizmit.

SPAK, synon të blejë dy copë sisteme të tilla me tre piston çeliku, të cilat do vendosen në hyrjen dhe daljen e tunelit të godinës së SPAK dhe hyrjen dhe daljen në oborin e SPAK.

Ndërsa dy sisteme do blihen për skanimin e poshtëm të automjeteve që hyjnë dhe dalin në SPAK. Pritet që dy tenderat të mbyllen në 11 tetor të këtij viti, ku disa ditë më pas të shpallet fituesi i kësaj procedure.

Në pjesën më të madhe te procedurave tenderuese të hapura, por dhe të mbyllura që zhvillon SPAK, kompanitë fituese janë të paracaktuara dhe dihet fituesi para se të hapen zarfat e ofertave.

Por kjo gjë nuk sjell aspak shqetësim brenda SPAK, duke e konsideruar si diçka normale dhe të modës, e për pasojë duke mos hapur asnjë hetim penal apo qoftë dhe administrative.

Kur SPAK nuk kontrollon SPAK, atëherë e kush tjetër nga institucionet shtetërore duhet ta kontrollojë atë.