Plagosi bashkëatdhetarin në Kretë, vetëdorëzohet shqiptari

2024-09-11 17:17:30 / AKTUALITET ALFA PRESS

Plagosi bashkëatdhetarin në Kretë, vetëdorëzohet
Një shqiptar u arrestua nga policia greke, ndërsa dyshohet se është autori i goditjes brutale me thikë të një 35-vjeçari, gjithashtu shqiptar, ngjarje e ndodhur të shtunën e kaluar në rrugën “Minoos” në zonën e Therisos në Irakleo.

Ndaj të riut ishte lëshuar një urdhër-arresti për tentativë vrasje dhe sipas informacioneve, ai është paraqitur mëngjesin e së mërkurës në policinë e Irakleos i shoqëruar nga një avokat dhe është dorëzuar.

Episodi i përgjakshëm ndodhi në një kohë kur trafiku i këmbësorëve dhe automjeteve ishte i rënduar në atë vend. Për arsye ende të paqarta, i riu ka sulmuar 35-vjeçarin duke e goditur me thikë në bark dhe duke i shkaktuar dëmtime në shpretkë dhe mëlçi.

35-vjeçari është rrëzuar në rrugë i gjakosur, ndërsa sulmuesi ka ikur. 35-vjeçari, i cili sipas informacioneve ka një të kaluar të pasur kriminale, ndodhet ende i shtruar në spital, ndërsa i riu i dorëzuar pritet të vihet para drejtësisë.

Të njëjtat burime informacioni bëjnë të ditur se ky i fundit nuk kishte shqetësuar deri tani autoritetet dhe nga shpjegimet që do t’i kërkohet të japë, pritet të zbardhet edhe arsyeja që çoi në goditjen me thikë.