SPAK e dërgoi në gjyq, reagon ish-kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia

2025-02-26 22:32:52 / AKTUALITET ALFA PRESS

SPAK e dërgoi në gjyq, reagon ish-kryebashkiaku i Shkodrës Bardh
Ish-kryebashkiaku demokrat i Shkodrës, Bardh Spahia ka reaguar mbrëmjen e sotme (26 shkurt) në lidhje me akuzën e SPAK ndaj tij, “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, për të cilën është dërguar për gjykim.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardh Spahia e ka cilësuar çështjen ndaj tij si qesharake, pasi ai ka kthyer në punë një administrator për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon “Largim nga Detyra”.

Po ashtu, ish-kryebashkiaku i Shkodrës ka renditur, sipas tij, faktet kundër kësaj akuze.

Çështja e SPAK-ut ndaj meje është qesharake: më akuzon se nuk kam kthyer në punë një administrator për të cilin Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon “Largim nga Detyra”.

Faktet pas kësaj akuze, pa asnjë koment janë këto:

1.⁠ ⁠⁠Më 16 Maj 2022, si Kryetar i Bashkisë së Shkodrës mora vendim për shkarkimin nga detyra të administratorit të Shoqërisë së Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër—shoqëri tregtare në pronësi të Bashkisë Shkodër. Shkarkimi u bë pas ankesave të shumta nga qytetarët dhe një raporti të Kontrollit të Shtetit që gjente shkelje dhe abuzime në ujësjellës-kanalizime dhe rekomandonte largimin e drejtorit.

2.⁠ ⁠⁠Administratori bëri ankesë në gjykatë dhe gjyqtari nxorri urdhër për pezullimin e vendimit të shkarkimit deri në shqyrtimin e çështjes.

3.⁠ ⁠Unë respektova vendimin e gjykatës dhe prita derisa Gjykata e Apelit dha vendim, e cila prishi vendimin gjykatës së rrethit dhe rrëzoi masën e pezullimit të shkarkimit.

4.⁠ ⁠Pastaj, unë mora vendim për shkarkimin e administratorit.

5.⁠ ⁠Në muajin shtator 2023, Gjykata e Shkodrës e pushoi çështjen dhe ish-administratori as nuk e ankimoi çështjen në Gjykatën e Apelit. Kështu çështja u mbyll.

6.⁠ ⁠Tre vjet më pas, dhe dy vjet pasi kisha lënë detyrën e kryebashkiakut, në korrik 2024, ish-administratori “kujtohet” të më denoncojë në Prokurorinë Shkodër për moszbatim të vendimit të gjykatës. Justifikimi ishte se pasi gjyqtari nxorri urdhërin e pezullimit të vendimit të shkarkimit, unë duhet ta kisha anulluar vendimin dhe ta kthejë në zyrë administratorin deri sa të vendoste gjykata.

7.⁠ ⁠Prokuroria e Shkodrës shpalli mungesë kompetence meqë “krimi” i supozuar ishte bërë nga një kryetar bashkie dhe e dërgoi padinë në SPAK.

8.⁠ ⁠SPAKU u mor menjëherë me këtë padi, duke i dhënë asaj përparësi të madhe. Unë jam thirrur katër herë për t’u  marrë në pyetje për këtë “krim”.

9.⁠ ⁠Nuk mendova kurrë se kjo çështje do arrinte në gjykatë, por sot SPAK e ka çuar për gjykim.

SPAK informon se Bardh Spahia, në cilësinë e kreut të Bashkisë Shkodër, ka shkarkuar nga detyra Mark Mollën, i cili mbante funksionin e administratorit të Ujësjellës Kanalizimeve dhe ka emëruar në post shtetasin me iniciale A. B.

Mark Molla mësohet se ka ankimuar vendimin e ish-kryebashkiakut dhe Gjykata e Shkodrës ka vendosur ta pezullojë, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë.

Por, sipas SPAK, Bardh Spahia pavarësisht se ka qenë në dijeni të vendimit të Gjykatës së Shkodrës që rikthente në detyre Mark Mollën deri në përfundim të procesit gjyqësor, e ka anashkaluar këtë urdhër.

“Nga ana e tij, është anashkaluar ky urdhërim gjyqësor duke nxjerrë shtatë (7) ditë më vonë, në dt.25.07.2022, tre vendime të tjera me nr.18, nr.19, nr.20, përmes të cilave sërish ka shkarkuar nga detyra shtetasin, M.M., dhe ka emëruar A.B si administrator, veprime këto të kryera me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor nr. 16 (2984), datë 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër”, informon SPAK.

Prokuroria e Posaçme thekson se mosrespektimi i vendimit gjyqësor cënon shtetin e së drejtës dhe shkakton pasiguri juridike.

“Organet/nëpunësit publikë, të cilëve, një vendim gjyqësor iu drejtohet me urdhërime, duhet vetëm ta zbatojnë dhe jo të bëjnë interpretime apo diskutime ligjore nëse është i mbështetur ose jo në ligj”, thekson organi i akuzës.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të hetimeve paraprake, ka dërguar për gjykim, më 24.02.2025, procedimin penal nr.139 viti 2024, në ngarkim të pandehurit: B.S, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, sipas nenit 320 të Kodit Penal.

Prej analizës së akteve dhe provave të administruara gjatë hetimeve të kryera, rezulton e provuar se i pandehuri, B.S., në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shkodër, njëkohësisht edhe Kryetar i Bashkisë, Shkodër ka marrë vendimet nr.16 dhe nr.17, dt.18.07.2022 për të liruar nga detyra shtetasin M.M., në funksionin e administratorit të Ujësjellës Kanalizimeve dhe duke emëruar në këtë detyrë shtetasin, A. B.

Këto vendime janë ankimuar nga shtetasi M.M., në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, e cila me vendimin nr. 16 (2984), dt. 19.07.2022 ka vendosur: “Pranimin e kërkesës, sigurimin e padisë duke vendosur pezullimin e vendimit nr.16 datë 18.07.2022, vendimit nr. 17 datë 18.07.2022 të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizime, Shkodër deri në marrjen e vendimit të formës së prerë nga gjykata të vendimit që do të zgjidhë çështjen civile të regjistruar mbi bazën e kërkesë padisë”.

Nga ana e të pandehurit B.S., duke qenë në dijeni të vendimit nr.16 (2984), dt. 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për sigurimin e padisë, pavarësisht faktit se ka patur një vendim gjyqësor të qartë dhe të ekzekutueshëm në mënyrë të menjëhershëm për Asamblenë e Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shkodër për pezullimin e vendimeve nr.16 dhe nr.17, dt. 18.07.2022, me të cilat ishte shkarkuar shtetasi, M.M., dhe emëruar A.B., (si rrjedhojë nga Gjykata është urdhëruar rivendosja në detyrë e shtetasit M.M., deri në përfundim të procesit gjyqësor), nga ana e tij, është anashkaluar ky urdhërim gjyqësor duke nxjerrë shtatë (7) ditë më vonë, në dt.25.07.2022, tre vendime të tjera me nr.18, nr.19, nr.20, përmes të cilave sërish ka shkarkuar nga detyra shtetasin, M.M., dhe ka emëruar A.B si administrator, veprime këto të kryera me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit gjyqësor nr. 16 (2984), datë 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Në thelb rezulton se vendimet nr.18, 19 dhe 20 të dt.25.7.2022 të kenë të njëjtën vendimarrje (si vendimet nr.16 dhe 17 dt.18.7.2022), me të njëjtin objekt, por me numër dhe datë të ndryshme, përmes të cilëve, i pandehuri ka anashkaluar urdhërimet e vendimit nr.16 (2984) datë 19.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër për sigurimin e padisë.

Mosrespektimi i vendimit gjyqësor që përbën titull ekzekutiv cënon në thelb shtetin e së drejtës dhe shkakton pasiguri juridike. Organet/nëpunësit publikë, të cilëve, një vendim gjyqësor iu drejtohet me urdhërime, duhet vetëm ta zbatojnë dhe jo të bëjnë interpretime apo diskutime ligjore nëse është i mbështetur ose jo në ligj.

 

Happening now...