A do shkojnë Tabaku, Bardhi, Gjekmarkaj me shokë në protestën kundër SPAK për të mbrojtur Berishën?

2024-09-09 18:10:34 / EDITORIAL ALFA PRESS

A do shkojnë Tabaku, Bardhi, Gjekmarkaj me shokë në
Fill pasi SPAK njoftoi zyrtarisht se ditën e mërkurë ish-kryeministri Berisha do të njihet zyrtarisht me akuzën e ngritur nga Prokuroria e Posaçme, një mesazh kushtrimi mbërriti në telefonët celularë të demokratëve, ku u bëhej thirrje për protestë përpara institucionit të akuzës.

Është mëse e qartë se e gjithë beteja dhe përpjekja 3-vjeçare e Sali Berishës për të dalë në krye të PD-së ka qenë pikërisht për këtë ditë. Atij i duhej PD për t’u mbrojtur nga drejtësia, sepse në kushte të tjera do nuk do të kishte kurrfarë imuniteti.

Një gjë të tillë Berisha e arriti pa asnjë brehje ndërgjegjeje dhe me çdo çmim. Ndonëse ai arriti me sukses ta shpartalloj dhe ta gjymtojë PD-në, ai, po ashtu, arriti që të bëjë për vete qoftë me shantazhe dhe presione, qoftë me miklime, pazare dhe oferta, një grup të konsiderueshëm deputetësh, të cilët, me kushtin për të qenë sërish në karrigen e deputetit, nuk patën kurrfarë vrasjeje ndërgjegjeje për kauzën opozitare apo qytetare.

Pyetja që shtrohet është, nëse kamikazët e Berishës si Noka, Paloka, Shehu, Vokshi etj., e kanë shprehur dhe kanë qenë të qartë edhe ata në betejën e përbashkët me shefin e tyre kundër SPAK dhe drejtësisë, a do t’i bashkohen këtij grupi ANTI SPAK edhe rishtarët oportunist Bardhi, Tabaku, Gjekmarkaj dhe të tjerë, të cilët, ndonëse të përulur ndaj Berishës, gjithsesi, ndaj SPAK dhe GJKKO-së, kanë pasur deri diku një gjuhë më të moderuar?

A do të lëpijnë atë që kanë pështyrë përsa i përket drejtësisë dhe mbështetjes ndërkombëtare që kjo drejtësi ka, apo në frikën e domosdoshmërisë vetjake për të qenë patjetër në listën e sigurt të deputetëve, do t’i bashkëngjiten korrit ANTI SPAK dhe anti drejtësi, rrjedhimisht anti ndërkombëtar në Shqipëri?

Ky grup deputetësh është duke u përballur me atë që vetë ka mbjellë përgjatë gjithë kësaj kohe.

Nëse i bashkohen protestës së Berishës, do të thotë që janë kundër SPAK-ut!

Po ashtu, nëse nuk i bashkohen, do të thotë që janë kundër Berishës, i cili do t’i shqyejë” duke ua hedhur militantëve si preh gjatë ‘primareve’ të zgjedhjeve të vitit të ardhshëm!

Tashmë, rrugë të ndërmjetme nuk ka!

Ose me SPAK-un, ose t’i përgjigjen mesazhit të Nokës dhe Palokës, që i ftojnë të protestojnë kundër organizatës kriminale me emrin SPAK në mbrojtje të heroit të lirisë dhe demokracisë, Sali Berishës.