Fitorja e Bashës në Këshillin e Europës, fitorja e modelit që i duhet Shqipërisë

2024-04-17 09:53:42 / EDITORIAL NGA GENTIAN GABA

Fitorja e Bashës në Këshillin e Europës, fitorja e modelit

Po, miratimi i rezolutës së propozuar nga kreu i PD Lulzim Basha në mbështetje të Ukrainës, ishte një fitore e tij. Po, ajo ishte fitorja e një modeli politik krejt ndryshe nga ato me të cilat mbushen ekranet e vogla dhe të mëdha të mediave shqiptare, pasi as nuk mori e as nuk dha gjë, por bëri atë që di të bëj më mirë në këtë nivel të lartë të politikës europiane e botërore, duke çuar përpara me përkushtim detyrën që i’u besua nga Këshilli i Europës.

Nuk dha tokë shqiptare, nuk dha det, nuk dha ajër, duke ngrënë qofte, siç deklaron zv. kryeministri i Ramës për të nga arratia; nuk mori ujgurë, as iranianë, as afganë, as afrikanë, por çoi përpara emrin e mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që u përfaqësuan denjësisht të martën në Asamblenë Parlamentare të KiE, ku, veç blusë e të verdhës së Ukrainës, ngadhënjyen edhe ngjyrat e flamurit të Kosovës, të cilat janë vetëm një hap larg anëtarësimit në këtë organizatë nëdërkombëtare. Sihariq i madh!

Por kthehemi te Basha, që dje pati dy gëzime në një ditë, si raporter për rezolutën e Ukrainës dhe si një nip Kosove, me zë të fortë dhe elegant për votën PRO për shtetin më të ri të Europës në KiE.

Duhet të kthehmi te Basha, sepse ai me shumë lehtësi do përpiqet të mos komentoj shumë gjatë punën e tij në KiE e as të marr mbi vete dafina e vëmendje mediatike, siç bëjnë ata që mbjellin “miliona” pemë në Tiranë apo ngjiten nëpër shtylla për të trembur drejtësinë dhe për t’i hequr frikën vetes. Nuk e bën sepse ata që e njohin e dinë që Basha vepron sipas parimit të Mit’hat Frashërit: “Në punë kije për lavdi të jesh shërbestar. Ji i lumtur kur bën një send të dobishëm, pa le të mos e dijë bota.”

Por kjo parabola e Bashës duhet rrëfyer sepse, teksa pati një përbetim për ta vrarë politikisht, ku u zbulua se rivali i tij në garën për kryeministër korruptoi agjentin e kundërzbulimit të FBI-së, McGonigal, për të stisur ndaj tij dosjen ruse. E më vonë këtij skenari i’u bashkuan edhe miqtë e dikurshëm me audite për të gjetur rublat e shpikura nga Rama, dalja ngadhënjyes, me vota unanime përmes një rezolute që shenjestron edhe sekuestimin e aseteve ruse, tejkalon fantazinë e shkrimtarit të spiunazhit John le Carré.

Marsin e shkuar Basha prezantoi në KiE projekt-rezolutën, në mbështetje të rindërtimit të Ukraniës. Në shtator, Komiteti për Çështje Politike e Demokracinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës votoi me unanimitet për të emëruar kryetarin e PD, raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës.

Pas një pune të gjatë në Kontinentin e Vjetër, rakordimeve me aktorët politik përtej Atlantikut (siç u evidentua nga editoriali i përbashkët i përgatitur nga Basha dhe kongresmeni amerikan French Hill në prestgjozen Wall Street Journal), takimeve dhe diskutimeve në Kombet e Bashkuara, qindra orë negociatash, puna e Bashës mori mbështetjen unanime të Asamblesë, ashtu sikurse caktimi i tij si raporter mori mbështetjen unanime në nisje të kësaj sipërmarrje. Pra mbyllja e një rrethi virtuoz që, përtej retorikës, përcakton hapa konkrete, masa ligjore dhe financiare për të garantuar përgjegjësinë e Federatës Ruse, për të mbështetur procesin e rindërtimit të Ukrainës, dhe me shumë rëndësi për të ardhmen, për parandalimin e agresioneve të mundshme që mund të jenë frymëzuar nga guximi revanshist i Putinit, e që mund të dekurajohen nga vendosmëria e treguar në këtë rast nga komuniteti ndërkombëtar.

Një histori suksesi, që vendos standarte për të sotmen dhe të ardhmen, një kontribut edhe në emër të Shqipërisë, që është veshur me një pëlhur të qendisur me durimin e një politikani që nuk punon me mëditje, që nuk vrapon pas politikës së ditës dhe gërnjës artificiale që kërkon të mbaj status quo-në, por ka qartësinë për të parë përtej baltës, interesit vetiak, spektaklit, telenovelës trushplarëse që u ofrohet shqiptarëve për t’i larguar ata nga vendimmarrjet që prekin jetët e tyre, për t’i bërë indiferent nga gjëja publike, duke u thënë se kjo është politika.

Prandaj, kjo fitore e Bashës është fitore e një modeli që i duhet Shqipërisë për t’u shkëputur nga stili i deritanishëm i politikës. Ku Basha vendos asetet e tij e në shërbim të Shqipërisë (kontakte, kapaciteti intelektual dhe diplomatik), ndërsa Rama përdor Shqipërinë si asetin e tij.

Diferenca mes këtyre dy modeleve është shumë e qartë dhe e madhe. Një revolucion Kopernikan, që hedh poshtë rendin e vjetër në drejtimin e punëve, ku i pari vjen interesi i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, e jo ai i pushtetarëve.

Sigurisht, për Bashën kjo fitore nuk përfaqëson xhevahirin e kurorës së tij politike, deri tani ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shumë procese historike të vendit, sido që ta mendojnë armiqtë e tij të vjetër e të rinj.

Por, pas kësaj sprove fisnike, ajo që nxit kuriozitetin e atyre që kërkojnë një alternativë, një ndryshim real nga ofertat ekzistuese në tregun politik (natyrisht ato që do të mund të mbeten pas uraganit të SPAK), është vetëdija e një potenciali të lartë përfaqësues, fare pranë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Një potencial që të bën të imagjinosh se çfarë mund të bëjë Basha me përvojën e tij nga pozitat e kryeministrit të Shqipërisë…

Happening now...

ideas