BIRN: Gazetaria ‘copy-paste’ cenon të drejtat e autorit dhe rrit rrezikun për dizinformim
Saktësia dhe paanshmëria janë dy parimet bazë të Kodit të Etikës së Gazetarit, që i detyron këta të fundit që të verifikojnë informacionin përpara botimit si dhe të bëjnë çmos që t’i ofrojnë publikut raportim të paanshëm dhe të balancuar.
Por në epokën e mediave dixhitale, Kodi i Etikës po zëvendësohet përditë e më shumë nga praktika e ‘copy-paste’, duke ngritur shqetësime për cenimin e së drejtës së autorit si dhe rrezikun e përhapjes së propagandës dhe dizinformimit.
Shqipëria numëron me qindra portale informacioni, duke ofruar në dukje një fasadë diversiteti qëndrimesh dhe pikëpamjesh. Megjithatë në realitet, shumica e këtyre mediave kanë burime të kufizuara financimi dhe një numër të vogël gazetarësh, çka i shtyn të mbijetojnë përmes riprodhimit të përmbajtjes që marrin nga mediat e tjera.
Ekspertët e medias thonë se kjo situatë ka sjellë një shkelje masive të së drejtës së autorit në mjedisin mediatik shqiptar.
“Të drejtat e autorit janë një nga problemet më të mëdha të gazetarisë në Shqipëri,” thotë Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit të Medias.
“Në momentin që gazetaria funksionon me ‘copy paste’, ai që punon me përkushtim nuk diferencohet nga ai që thjesht kopjon,” shtoi ai, ndërsa theksoi se nëse nuk do të kishte shkelje të së drejtës së autorit, në vend nuk do të mbeteshin më shumë se 10 portale.
Ligji “për të drejtën e autorit” nuk e ndalon riprodhimin e ngjarjeve të aktualitetit pa autorizimin e autorit, me qëllim informimin e publikut. Në rastet e riprodhimit të artikujve apo fotografive, ligji parashikon që kjo mund të ndodhë nëse autori nuk e ka ndaluar shprehimisht një përdorim të tillë.
Megjithatë, ligji përcakton në të gjitha rastet që materialet e riprodhuara duhet detyrimisht të tregojnë burimin dhe autorin e veprës.
Paralelisht me ligjin, edhe Kodi i Etikës së Gazetarit e dënon plagjiaturën dhe u kërkon gazetarëve që të respektojnë të drejtat e autorit dhe duhet t’ia atribuojnë informacionin që përdorin burimit origjinal.
Por drejtues të mediave thonë se ata i përpunojnë informacionet që marrin nga mediat e mëdha, pasi e kanë të vështirë që të prodhojnë vetë përmbajtje origjinale.
“Është shumë e vështirë që të mbash një portal në këmbë me materiale origjinale, pasi kërkon forcë punëtore dhe mbështetje financiare,” thotë Era Dushi, drejtuese e portalit Darling.al që publikon të rejat nga personazhet e showbizzit dhe stili i jetesës.
“Përpiqemi t’i ndryshojmë dhe t’i përshtasim, jo vetëm copy-paste,” shtoi ajo, duke theksuar se informacionet i siguronin nga mediat e mëdha, rrjetet sociale dhe postimet e personave publikë.
Elvin Luku, drejtues i MediaLook dhe pedagog i Gazetarisë thotë se gazetaria ‘copy-paste’ nuk është vetëm një problem i medias shqiptare, por një problem global dhe zgjidhja sipas tij vjen nga atribuimi i burimit origjinal dhe autorit të shkrimit.
“Shpeshherë autorët nuk merren në konsideratë dhe kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të tyre,” tha Luku për BIRN.
Ai theksoi ndërkohë se edhe në rastet kur autori ndalon shprehimisht shpërndarjen, është e vështirë që të gjendet e drejta e autorit në gjykatë.
“Pjesa dërmuese e portaleve janë të paregjistruar, gjë që e bën të vështirë ndjekjen ligjore,” shton ai.
Cënimi i së drejtës së autorit nuk është shqetësimi i vetëm i të ashtuquajturit fenomeni ‘copy-paste’ në Shqipëri. Ekspertët e medias besojnë gjithashtu se kjo po sjell një përforcim të propagandës politike si dhe rritjen e dizinformimit, në rastet kur lajmi i rishpërndarë është i pasaktë apo i paverifikuar.
Luku i tha BIRN se media që ai drejton ka zhvilluar një hulumtim sesi mediat më të mëdha në vend pasqyronin kronikat e gatshme të shpërndara nga Bashkia Tiranë dhe nga të dhënat rezultoi se këto informacione transmetoheshin të paverifikuara në masën nga 93-99%.
Edhe Cukali nga Këshilli Shqiptar i Medias thekson se kjo praktikë ngre shqetësime për cilësinë e informacionit dhe përhapjen e dizinformimit. Për këtë arsye, ai sugjeron se ka ardhur koha për një ndryshim në ligj në raport me realitetin e ri të rrjeteve sociale.
“Copy-paste” është shumë i dëmshëm, sepse nëse lajmi i parë që kopjon është dezinformues, dhe nëse ky lajm kopjohet 30 herë, atëherë dezinformimi shpërndahet 30 herë,” përfundoi Cukali për BIRN./Reporter.al
ideas
top
Alfa recipes
TRENDING
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128