“Tkurret” buxheti për mbrojtjen sociale, shkurtohen fondet për ndihmën ekonomike dhe paaftësinë

2024-11-05 23:28:13 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

“Tkurret” buxheti për mbrojtjen sociale, shkurtohen fondet

Buxheti për mbrojtjen sociale për vitin 2025 ka pësuar “tkurrje” në raport me vitet e mëparshme.

Referuar treguesve fiskale të projektbuxhetit, gjatë vitit të ardhshëm është parashikuar që për këto kategori të shpenzohen afro 28.1 miliardë lekë, apo rreth 286 milionë euro, me një rënie prej 2.1 miliardë lekë apo 22 milionë euro në raport me aktin normativ të fundit të vitit 2024.

E ndarë sipas kategorive, pagesa e papunësisë, mbetet në nivelin e 800 milionë lekëve duke mos pësuar ndryshim në mbështetje në raport me këtë vit.

Ndihma ekonomike dhe paaftësia në punë, merr një buxhet prej 23.7 miliardë lekësh në vitin 2025, dhe pëson një rënie me afro 2.4 miliardë lekë në raport me këtë vit.

Kompensimi për ish të përndjekurit politikë bie në 1.2 miliardë lekë, nga 1.4 miliardë lekë të parashikuara në buxhetin e 2024-ës.

Ndërsa bonusi i lindjeve është planifikuar në 2.2 miliard lekë, me një rritje të pandjeshme në raport me këtë vit.  Sa i takon indeksimit të pensioneve, fondi zbret në 1.6 miliardë lekë nga 4.1 të shpërndara gjatë këtij viti dhe bonusi i fundivit pëson një rritje prej 100 milionë lekësh, duke arritur në 3.75 miliardë lekë.

Në lidhje me sektorin bujqësor, vitin a ardhshëm parashikohet një rritje fondesh prej 400 milionë lekësh krahasuar me buxhetin fillestar, duke arritur një total prej 14.6 miliardë lekëve. Fondet për zhvillimin rural, ku përfshihen edhe subvencionet kanë mbetur në të njëjtin nivel si një vit më parë, regjistruar në 7.2 miliardë lekë./SCAN

 
 

 

Happening now...