Cili ishte revolucioni politik më i rëndësishëm i shekullit XX?

2024-03-13 16:12:05 / MISTERE&KURIOZITETE ALFA PRESS

Cili ishte revolucioni politik më i rëndësishëm i shekullit

Është e vështirë të thuhet se cili revolucion ishte më i rëndësishmi, qoftë edhe sepse historianët ende nuk pajtohen se çfarë janë në të vërtetë revolucionet. Nëse rëndësia përcaktohet në terma të shtrirjes ndërkombëtare, atëherë revolucionet komuniste të Rusisë dhe Kinës do të ishin dy pretendentët më të fortë. Në vend që të kërkojnë ngjashmëri midis revolucioneve, historianët modernë fokusohen në atë që e bën çdo konflikt unik.

Pyetja, “Cili ishte revolucioni politik më i rëndësishëm i shekullit të 20-të?” është sa problematike, aq edhe e vështirë për t’iu përgjigjur, dhe kjo për një sërë arsyesh. Një nga këto është se historianët ende nuk kanë rënë dakord për një përkufizim të duhur se çfarë është dhe çfarë nuk është një revolucion. Termi përdoret më së shpeshti për t’iu referuar një periudhe trazirash sociale dhe politike, por mund të përdoret gjithashtu, më gjerësisht, për t’iu referuar një periudhe ndryshimesh drastike, jopolitike, si revolucionet industriale ose shkencore.

Pastaj vjen pyetja se cilat ngjarje duhet dhe nuk duhet të konsiderohen revolucione. Historianët profesionistë kanë shumë pak gjëra për të cilat mund të bien dakord. Disa historianë, për shembull, argumentojnë se Lufta Civile Amerikane duhet të konsiderohet një zgjatje e Revolucionit Amerikan – një përpjekje e dytë për të çliruar vendin nga autokracia, këtë herë në formën e skllavërisë. Po kështu, ka historianë që argumentojnë se Revolucioni Francez, ndoshta revolucioni më i famshëm i të gjitha kohërave, nuk ishte në të vërtetë një revolucion.

Pasi një ngjarje kualifikohet si revolucion, pyetja tjetër është të përcaktohet nëse ishte “më e rëndësishmja” e kohës së vet. Kjo është veçanërisht e ndërlikuar, pasi rëndësia historike e ngjarjeve të së kaluarës ndryshon vazhdimisht me kalimin e kohës. Siç thekson profesori i Universitetit të Columbias, Richard Bullet, në një leksion mbi historinë e shekullit të 20-të që u postua në YouTube, historianët fillimisht nuk i referoheshin Luftës së Parë Botërore si “Lufta e Parë Botërore”. Ky emër iu dha vetëm pasi ndodhi Lufta e Dytë Botërore.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, ka nga ata që besojnë se renditja e ngjarjeve historike për nga rëndësia, është e konceptuar gabim. Në të kaluarën, studiuesit përpiqeshin ta kthenin studimin e revolucionit në një shkencë të vështirë. Ata besonin se kishte ligje që rregullonin sjelljen njerëzore dhe se, duke i kuptuar ato ligje, ne mund të zbulonim pse disa revolucione kanë sukses, ndërsa të tjerët dështojnë. Kohët e fundit, komuniteti akademik ka ecur drejt një studimi kulturor të revolucioneve – në vend që të shikojnë ngjashmëritë midis konflikteve, historianët tani janë më të interesuar në atë që e bën çdo konflikt unik.

Megjithatë, sado të kontestuara të jenë këto lloj pyetjesh, ato na ftojnë të mendojmë në mënyrë kritike për ngjarjet e kaluara. Edhe pse nuk mund ta dimë kurrë me siguri se cili revolucion i shekullit të 20-të ishte “më i rëndësishmi” (nëse dikush duhet ta pretendojë atë titull), ne duhet të largohemi nga kjo përpjekje duke patur një kuptim më të thellë të disa prej momenteve më vendimtare të 100 viteve të fundit, për të mos përmendur shtrirjen e tyre ndërkombëtare dhe ndër breza.

Revolucioni i Tetorit i vitit 1917

Në shkurt 1917, një kryengritje në Shën Petersburg çoi në heqjen dorë nga froni prej Carit Nikolla II dhe krijimin e një qeverie të përkohshme, të përbërë nga shumë parti të ndryshme socialiste që kishin hedhur rrënjë në Rusi gjatë dekadave të mëparshme. Gjatë vjeshtës së po atij viti, një nga ato parti, bolshevikët, përfitoi nga kaosi dhe konfuzioni i Luftës së Parë Botërore, për të nxjerrë jashtë funksioni qeverinë e përkohshme dhe për të krijuar një shtet të vetin.

Pas çimentimit të sundimit të tyre në një luftë të përgjakshme civile, bolshevikët, të cilët deri atëherë ishin riemërtuar si Partia Komuniste, e transformuan vendin. Para marrjes së pushtetit, Rusia shpesh përshkruhej si një komb i prapambetur dhe rusët e zakonshëm përjetonin një cilësi jete që nuk ishte parë në Evropë, që nga Mesjeta. Por në kohën kur Bashkimi Sovjetik u shemb, Rusia ishte transformuar në një superfuqi të armatosur me armë bërthamore.

Udhëheqësi i partisë Vladimir Lenini, besonte se Revolucioni i Tetorit mund të shërbente si shkëndija që do ndizte kryengritjen proletare globale për të cilën kishte shkruar Karl Marksi. Megjithëse kjo nuk ndodhi, eksperimenti komunist i Rusisë inkurajoi revolucionarët anembanë globit, duke çuar në krijimin e shteteve komuniste, apo socialiste në Kinë, Indi, Kubë, Vietnam, Kore Shqipëri dhe Kamboxhia, ndër të tjera.

Revolucioni i Tetorit mund të konsiderohet gjithashtu i rëndësishëm, për aq sa krijoi një shoqëri të aftë për të ndaluar përhapjen e nazizmit. Beteja e Stalingradit, e cila ndodhi jo shumë larg kufirit me Ukrainën, konsiderohet gjerësisht si konfrontimi ushtarak më vendimtar në Luftën e Dytë Botërore, si dhe fillimi i fundit për Rajhun e Tretë. Si rezultat i drejtpërdrejtë i fitores, BRSS fitoi kontrollin mbi Evropën Lindore, duke mbikëqyrur rindërtimin e pasluftës duke zbatuar legjislacionin komunist.

Prania komuniste në Evropë la një ndikim të qëndrueshëm në të dy anët e Perdes së Hekurt. Në lindje, pjesa më e madhe e infrastrukturës qeveritare të pasluftës, e zbatuar nga sovjetikët mbetet e paprekur sot. Sa i përket perëndimit, historiani britanik E.H. Carr vërejti qysh në vitin 1946 se “shembulli sovjetik, me dashje apo pa dashje, kishte ndihmuar në nxitjen e reformave në Evropën Perëndimore”.

Shekulli i shkurtër i 20-të: 1914-1991

Aq domethënëse ishin pasojat e Revolucionit të Tetorit sa historiani Eric Hobsbawm propozoi data alternative për të shënuar fillimin dhe fundin e shekullit të 20-të. Në vend të vitit 1900, Hobsbawn pohon se shekulli i 20-të filloi me të vërtetë rreth vitit 1914, pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, dhe përfundoi në vitin 1991, me rënien e BRSS dhe shpërbërjen e Partisë Komuniste në Rusi, duke krijuar kriza ekonomike për shtetet satelite komuniste.

Hobsbawm e propozoi këtë në veprën e tij kryesore, Epoka e ekstremeve: Shekulli i shkurtër i njëzetë, 1914–1991. Këto vite shënojnë kufijtë jo të një shekulli kronologjik, por të një periudhe kohe të bashkuar nga një zeitgeist i përbashkët, një ide qendrore që dukej se qëndronte në zemër të pothuajse çdo konflikti që ndodhi. Siç e sheh Hobsbawm, komunizmi ishte një nga meta-narrativat më këmbëngulëse që u përpoq të zëvendësonte boshllëkun e lënë nga feja.

Në vitin 1991, historia botërore filloi zyrtarisht një kapitull të ri, i cili do të adoptonte një narrativë të ndryshme, nga ajo komunizëm kundër kapitalizmit. “Me rënien e BRSS, eksperimenti i ‘socializmit real ekzistues’ mori fund”, shpjegon Hobsbawm në librin e tij. “Sepse, edhe aty ku regjimet komuniste mbijetuan dhe patën sukses, si në Kinë, ata braktisën idealin origjinal të një ekonomie të kontrolluar nga qendra dhe të planifikuar nga shteti, bazuar në një shtet tërësisht të kolektivizuar… A do të rinovohet ndonjëherë ky eksperiment?”

Ndërsa Bashkimi Sovjetik konsiderohet sot si një gjë e së kaluarës, Revolucioni i Tetorit nuk është. Siç thekson historiani amerikan Michael Kort në një artikull të shkruar për blogun e Oxford University Press, Revolucioni i Shkurtit i vitit 1917 (kur autokracia mori fund dhe një u krijua për pak kohë një republikë) shënoi pikën kur ndikimi perëndimor në Rusi ishte në kulmin e të gjitha kohërave, ndërsa Revolucioni i Tetorit shënoi pikën kur ky ndikim kulturor, politik dhe ekonomik ishte në nivelin më të ulët historik, duke i dhënë jetë një tendence, që do të vazhdonte gjatë.

“Midis 1985 dhe 1999,” shkruan Kort, “Mikhail Gorbachev dhe më pas Boris Yeltsin u përpoqën ta çonin Rusinë përsëri drejt Perëndimit. Por asnjë nga liderët nuk mund të kapërcente pengesën e madhe të Revolucionit Rus. Si Gorbaçovi ashtu edhe Jelcini përfundimisht u fundosën, dhe në vitin 1999, me ardhjen në pushtet të Vladimir Putinit, rryma anti-perëndimore e Rusisë rimori rrjedhën e vet.

Revolucioni Kinez i vitit 1949

Një tjetër pretendent i fortë për “revolucionin më të rëndësishëm politik” është Revolucioni Kinez i vitit 1949, në të cilin Partia Komuniste Kineze e udhëhequr nga Mao Ce Duni mundi nacionalistët kinezë dhe u bë organi i vetëm qeverisës i vendit. Kryengritja bolshevike mund të ketë pasur rëndësinë më të madhe gjatë shekullit të kaluar, por Revolucioni Kinez është më i rëndësishëm për ne sot.

Ashtu si Revolucioni i Tetorit, Revolucioni Kinez i vitit 1949 përfshiu një stuhi kulturore që u përhap në pjesë të ndryshme të botës. Mao besonte gjithashtu në pashmangshmërinë historike të një kryengritjeje globale socialiste, dhe megjithëse Republika Popullore e Kinës luajti një rol më pak të spikatur në konfliktet e huaja sesa Bashkimi Sovjetik, industrializimi i saj i shpejtë dhe transformimi kulturor frymëzoi lëvizje të shumta.

Nga viti 1966 deri në 1967, revista Peking Review – buletini i vetëm kombëtar anglisht i Kinës – nxirrnin në pah komunitete të ndryshme ndërkombëtare që kishin marrë përsipër organizimin e jetës së tyre private dhe praktikave të biznesit, sipas linjave maoiste. Këta përfshinin tregtarë nga Sri Lanka, zejtarë malianë, okulistë argjentinas, botues italianë, kërcimtarë nga Guineja, gazetarë sirianë, ushtarë kongolezë dhe piratë venezuelas.

Megjithëse Peking Review e mbivlerësonte ndikimin dhe admirimin e Maos jashtë vendit, këto raporte tregojnë qartë se revolucionet e Kinës gjetën jehonë tek radikalët në vende të tjera. Sipas Julia Lovell, profesoreshë e historisë dhe letërsisë moderne kineze në Birkbeck, Universiteti i Londrës, “Mao dhe idetë e tij për revolucionin e vazhdueshëm fshatar u bënë thirrje rebelëve të krahut të majtë, si dhe aktivistëve të të drejtave civile dhe antiracizmit në SHBA, Australi dhe Evropën Perëndimore.”

Në Evropë, Revolucioni Kulturor frymëzoi protestat e studentëve, si dhe aktivizmin për të drejtat e feministëve dhe homoseksualëve. Ndërkohë, shumë vende në zhvillim në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut morën shprehjet maoiste të “mbështetjes te vetja, korrigjimit të partisë dhe spontanitetit revolucionar” dhe i përfshinë këto në fushatat e tyre antikoloniale.

Komunizmi dhe statusi i Kinës si superfuqi

Revolucioni Kinez i vitit 1949 ishte veçanërisht i rëndësishëm, për aq sa lidhet me ngritjen e Republikës Popullore të Kinës si një superfuqi globale dhe – ndryshe nga Bashkimi Sovjetik – e qëndrueshme. Përpara se Partia Komuniste të merrte pushtetin, pozicioni i Kinës në skenën botërore ishte tepër i komprometuar. Me të kaluarën e vet perandorake jo më shumë se një kujtim të largët, vendi vuajti shumë gjatë Luftërave të Opiumit, të cilat, përveç problemeve të përhapura shëndetësore, bënë që Kina të humbiste qytetin port të Hong Kongut.

Politika ekonomike kineze ishte e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera. Duke ndjekur hapat e Bashkimit Sovjetik, Partia Komuniste Kineze prezantoi një ekonomi të planifikuar dhe centralizuar. Fermat private u riorganizuan në ato kolektive. Inputet dhe outputet industriale rregulloheshin, jo nëpërmjet forcave të tregut të lirë, por nëpërmjet planeve pesëvjeçare që përcaktonin qëllimet ekonomike afatgjata dhe shpërndarjen e burimeve.

Konsensusi midis studiuesve perëndimorë është se këto politika shpesh rezultonin në katastrofë. Në vitin 1959, keqmenaxhimi, eksperimentet dhe fatkeqësitë natyrore krijuan një zi buke që solli vdekjen e rreth 30 milionë njerëzve dhe ngecja e zhvillimit industrial i shtyu kuadrot të vinin në dyshim aftësinë e Maos për të sunduar vendin. Të dhënat nga qeveria kineze gjatë kësaj kohe e ekzagjeruan shumë performancën ekonomike dhe pas vitit 1960, raportet statistikore pushuan së publikuari.

Zhvillimi ekonomik që e ktheu Kinën në një superfuqi nuk u zhvillua nën administrimin e Maos, por atë të pasardhësit të tij, Ten Hsiaopin. Në vitin 1978, Deng propozoi një sërë reformash që e bënë më të lehtë për Kinën të bënte biznes me vendet e huaja. Pasi Kina kishte hyrë në tregtinë ndërkombëtare dhe flukset e investimeve, ekonomia e saj shpërtheu. Nga viti 1989 deri në 2017, PBB-ja e saj u rrit me një mesatare prej 9.71% në vit – zgjerimi më i shpejtë i qëndrueshëm në histori, sipas Bankës Botërore.

Fillimisht, studiuesit ia atribuan suksesin e Ten Hsiaopinit, largimit të tij prej Maos: një triumf vendimtar i pragmatizmit mbi idealizmin revolucionar. Kohët e fundit, megjithatë, studiuesit filluan të rishqyrtojnë ndikimin e Maos në zhvillimin e Kinës. Sebastian Heilmann, president i Institutit të Studimeve Kineze dhe autor i “Sistemi Politik i Kinës”, ia atribuon lulëzimin gjeopolitik të vendit, gatishmërisë së tij për të eksperimentuar dhe marrë rreziqe – një strategji që e ka origjinën në qeverinë para-revolucionare të Maos.

“Si ndodhi që një sistem burokratik socialist ta merrte këtë aftësi përshtatëse, e cila nuk u pa në Evropën Qendrore?” thotë Heilmann, gjatë një interviste të vitit 2017 për “New York Times”. “Kjo ndodhi për shkak të përvojave historike specifike të kësaj partie… Ajo kontrollonte rajone shumë të përhapura dhe të distancuara. Pra, kur u provua diçka si reforma e tokës, u bë eksperimentalisht dhe në një mënyrë të decentralizuar. Kjo ishte thelbësisht e ndryshme nga Bashkimi Sovjetik”. /Bota.al