Arrestimi i Ilir Metës, paralajmëron ashpër Berisha: Rastin do e çojmë në Hagë, sepse ajo ishte torturë çnjerëzore publike

2024-12-04 13:28:31 / POLITIKË ALFA PRESS

Arrestimi i Ilir Metës, paralajmëron ashpër Berisha: Rastin do e

Ish-kryeministri Sali Berisha ka cilësuar rastin e arrestimit të Ilir Metës, si një akt të rëndë të torturës çnjerëzore publike, që do të trajtohet në nivele ndërkombëtare.

Ai theksoi se drejtësia në Shqipëri po përdoret si armë politike, duke paralajmëruar dërgimin e çështjes në Komisionin Antitorturë të Këshillit të Europës dhe në OKB.

"Nuk ka dyshim që është krejtësisht proces politik. Por tani është bërë botërisht e njohur që ky institucion dhe drejtësia është një armë politike në duart e diktaturës.

E tillë është rasti yt, i tillë dhe shumë i rëndë është rasti ndaj Ervin Salianjit, rast të cilin ne do ta paraqesim në të gjitha instancat ndërkombëtare sepse ai është aty vetëm se guxoi të denoncojë mafien, të kryejë detyrën e tij, misionin e tij si deputet.

I tillë është rasti i kryetarit të Partisë së Lirisë. Ne duhet të përgatisim dosjen për në Hagë sepse është torturë çnjerëzore publike.

Ne do punojmë me Partinë e Lirisë të dërgojmë dosjen në Komisionin Antitorturë në Këshillin e Europës dhe të ndjekim të gjitha instancat në OKB dhe kudo.

Sepse ekzistojnë komisione antitorturë dhe ajo ishte një torturë publike, ishte një keqtrajtim çnjerëzor publik.
Prandaj me juristët më të mirë, ai rast do të paraqitet në të gjitha instancat si një rast i ushtrimit për hakmarrje të torturës publike. Rast i pandodhur ndonjëherë", ka thënë Berisha.