Projektligji “Për Shkencën dhe kërkimin shkencor”/ VOA: Bie ndesh me Kushtetutën dhe cënon lirinë akademike
Në Shqipëri projektligji “Për Shkencën dhe kërkimin shkencor” i hedhur për konsultim publik nga qeveria po ngjall diskutime mes studiuesve dhe autoriteteve zyrtare, në një kohë kur financimet për të janë të ulëta, dhe produktet shkencore, nuk depërtojnë në fusha të ndryshme të jetës në vend. Zëri i Amerikës arriti të mësojë detajet e oponencës prej 24 faqesh të konferencës së rektorëve mbi këtë projektligj, ku nënvizohet mes të tjerash se ai bie ndesh me kushtetutën, me Ligjin e Arsimit të Lartë dhe cënon lirinë akademike. Por në të kundërt sipas autoriteteve zyrtare projektligji e hap kërkimin shkencor përtej botës akademike universitare dhe i jep rëndësinë e duhur atij, me ngritjen e një këshilli kombëtar të kryesuar nga Kryeministri.
Në Shqipëri qeveria synon ta fusë kërkimin shkencor në një kornizë të re ligjore dhe të zgjerojë subjektet që mund të kryejnë kërkimin shkencor përmes një projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor”. Universitetet kanë një peshë me rëndësi në këtë drejtim, ndaj dhe ky draft ka nxitur diskutime në qarqet akademike.
Një prej pikave më të debatueshme të projektligjit lidhet me krijimin e Këshillit Kombëtar të Shkencës me 14 anëtarë, pesë ministra, nën drejtimin e Kryeministrit. Synimi i këtij këshilli mendohet të jetë orientimi dhe miratimi i politikave dhe fushave priortare të shkencës dhe kërkimit shkencor, por studiuesi Arjan Gjonça vë në dukje se ky këshill ka një shumicë qeveritare në përbërje.
“Ky është më tepër një bord qeveritar, sepse shumicën e këtij bordi e ka qeveria direkt me anëtarët e saj, ministrat dhe me ndonjë përfaqësues të ndonjë agjensie, institucion në varësi të qeverisë. Pra qeveria po këshillon qeverinë dhe qeveria po i bën politikat me njerëzit e qeverisë”- thotë për Zërin e Amerikës Arjan Gjonça, profesor.
Edhe studiuesja Nevila Xhindi sheh rritje të ndikimit politik mbi shkencën në këtë përkufizim të projektligjit.
“Nuk justifikoj që në krye të këshillit të shkencës të jetë kryeministri me gjithë rëndësinë që ka dashur t’i japë faktit që e kthen të rëndësishëm duke vënë veten. Pra pa vënë emra e bën të rëndësishëm. Të lutem ta lëshojë këtë lloj rëndësie. T’ia lërë komunitetit shkencor rëndësinë e kësaj gjëje”– u shpreh për Zërin e Amerikës Nevila Xhindi, studiuese.
Autoritetet zyrtare thonë se Këshilli Kombëtar për Shkencën ka rol këshillimor dhe se qeveria përmes tij tregon rëndësinë që po i kushton kërkimit shkencor, me qëllim për ta kthyer atë në shërbim të fushave të ndryshme të jetës në vend.
“Kjo është një çështje këndvështrimi në fakt. Unë gjykoj se përafrimi i shkencës me vendimarrjen i sjell të mira të dy anëve. Shkenca ka një produkt shkencor që mund t’i shërbejë vendimarrjes si evidencë për të bërë politika më të mira publike. Nga ana tjetër, afrimi i shkencës tek vendimarrja mund të zgjidhë probleme shumë të rëndësishme që ka aktualisht në këtë fushë” – argumenton Mirela Muça, Drejtore e përgjithshme e Akkshi-it.
Edhe Konferenca e Rektorëve, pritet ta shprehë qëndrimin zyrtar mbi projektligjin “Për shkencën dhe kërkimin shkencor” të hënën në komisionin parlamentar të edukimit. Zëri i Amerikës arriti të mësojë se në opinionin prej 24 faqesh qëndron kërkesa për rishikim të këtij projektligji, pasi siç thuhet bie ndesh me kushtetutën, me vetë direktivën e BE të cilës i referohet, dhe se ka përplasje normash juridike me ato ekzistuese. Konferenca e Rektorëve veçon se projektligji cënon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe lirinë akademike, të parashikuara në kushtetutë dhe në Ligjin për Arsimin e Lartë. Por sipas drejtueses së Agjensisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit projektligji në asnjë rast nuk e cënon lirinë akademike, por e bën kërkimin shkencor gjithpërfshirës.
“Nuk atakon autonominë e universiteteve për të bërë kërkim shkencor, përkundrazi fryma është liria për të bërë kërkim shkencor, por jo vetëm në universitete. Ne po kuptojmë që univesitetet sigurisht që janë aktorë të rëndësishëm në kërkimin shkencor dhe aktualisht pjesa më e madhe e kërkimit shkencor vërtet zhvillohet në auditorët dhe laboratorët e universiteteve. Ligji i Arsimit të Lartë, vërtet nxit, rregullon dhe promovon kërkimin shkencor, por brenda territorit të Universitetit. Por meqë kemi dhe aktorë të tjerë shumë të rëndësishëm, do t’i lëmë jashtë ata? Jo sigurisht. Ky ligj këtë bën pra e bën gjithpërfshirës procesin dhe aktivitetin e kërkimit shkencor”– sqaron Znj. Muça drejtore e përgjithshme e Akkshi-it.
Sipas studiuesit të pavarur ish pjestar të grupit të punës për hartimin e reformes në arsimin e lartë, Arjan Gjonça, nëse qeveria thotë se synon një ligj gjjithpërfshirës, ligji ekzistues nuk ndalon askënd, siç thotë ai, të aplikojë në projektet e kërkimit shkencor të Universiteteve.
“Ka një mospërputhje në vizion. Nëse në ligjin e Arsimit të Lartë u mendua që puna kërkimore shkencore të jetë pjesë shumë e rëndësishme e universiteteve në Shqipëri në projektligjin e hedhur për diskutim, “Për shkencën dhe kërkimin shkencor” ka një lëvizje dhe një shkëputje, dhe kryesisht vendoset vëmendja tek institucionet jashtë universiteteve. Kjo s’do të thotë që institucionet jashtë universiteteve nuk duhet ta bëjnë punë shkencore, por kjo ka të bëjë me atë se ku shkon financimi”- vijon Z. Gjonça.
Kërkimi shkencor në Shqipëri ka një buxhet prej 5.5 milionë euro, që zë vetëm 0.08% të PBB. Zyrtarët thonë se synojnë ta rrisin në 1% në vitin 2030, ndërkohë mesatarja e buxhetit të vendeve të BE për kërkime shkencore është 3%. Rritja e përpjekjeve për kërkimin shkencor është dhe një prej kërkesave të BE për integrimin.
Por një prej shqetësimeve kryesore sot lidhet me kapacitetet e kërkimit shkencor me qëllim thithjen e fondeve të BE, ku një prej programeve kryesore, ai i Horizont Europa, ka një buxhet prej 100 miliardë euro për këtë qëllim. Ndaj dhe studiuesit vënë theksin në rritjen e kapaciteteve të kërkimit shkencor në vend.
“Kur flasim për kërkim shkencor duhet të kemi kapacitete për t’i thithur këto fonde. Duhet të mendojmë tani. Do jetë vonë pas një apo dy vitesh. Shqipëria pas dy vitesh do të ketë akses të plotë në fondin e Kohezionit të BE. Dhe për të hyrë atje përveç të tjerave duhet të kesh grup dhe ekip pune që do t’i shkruajë këto projekte. Duhen përkthyer fuqimisht në rritjen e kapaciteteve në universitete për kërkimin shkencor”- thotë Znj. Xhindi.
Projektligji për shkencën vjen në një kohë kur diskutimet për të shtuar kapacitetet dhe financimet për kërkimin shkencor jane forcuar. Gjatë ditëve në vazhdim kjo nismë ligjore pritet të zgjojë debate të reja në tryezat parlamentare dhe qarqet akademike./VOA
Berisha i bindet Ramës, kthehet me bisht ndër shalë në Parlament
ideas
top
Alfa recipes
TRENDING
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128