Sot në vend që të ishte festim i dijes, ishte përsëri i politikës

2024-09-09 22:08:52 / POLITIKË NGA DORIANA MUSAI

Sot në vend që të ishte festim i dijes, ishte përsëri i
“Pashë një nga ish-zyshat e mia që mbante fjalën e hapjes dhe moderimin dhe u trishtova… çfarë do politika në shkollë?

Në vend që të ishte festim i dijes, ishte përsëri i politikës…” ishin fjalët e një nxënëseje të dalë nga bangat e gjimnazit Babë Dudë Karbunara në Berat, kur i nisa lajmin se shkolla e saj ishte rindërtuar, – “mendoj që sot duhej të ishin në rastin më të mirë, ish mësues, ish nxënës, njerëz të dijes, profesionistë…”.

Në ditën e parë të shkollës, është bërë zakon nga politika, shkelja e pavarësisë së shkollave. Shfaqen gjithmonë vetëm aty ku po inagurohet një shkollë, që zakonisht është rindërtuar pasi është shembur e vjetra.

Shkolla është matësi më i mirë i pulsit të shoqërisë. Të dhënat e ofruara INSTAT, mbi të cilat zhvillohen politikat dhe strategjitë nga ana e qeverisë, na shfaqin një panoramë të trishtë të popullsisë. Në Shqipëri, dekadën e fundit, çdo vit e më pak nxënës ulen në bangat e shkollës. E ndërsa, shkollat në periferi po mbyllen nga mungesa e nxënësve, ato në qendër, në qytete, po zmadhohen. Numri i lartë i nxënësve në shkollat e kryeqytetit, klasa me 40 apo 50 nxënës, apo klasa me turne paradite-pasdite, ka disa vite që vijon të jetë problematikë. Ndryshe paraqitet situata në Elbasan, ku qyteti po mpaket, apo në Berat, Lushnje, Peshkopi, Gjirokastër etj.

Çfarë ndodhi?

Politikat territoriale të dekadës së fundit, kanë orientuar popullatën që të braktisë periferitë duke i tërhequr drejt qendrës. “Ndërtojeni dhe ata do të vijnë” ishte parulla e Veliajt, që shoqëroi Planin Vendor të Tiranës. Me anë tij, kryetari i Bashkisë më të madhe në vend, nxiti ndërtimin masiv në Tiranë, model qeverisje territoriale që u ndoq edhe nga kryebashkiakë të tjerë. Kështu, rritja artificialisht e numrit të banesave, pa kërkesë nga tregu, porse duke prodhuar apartamente si banka kartmonedhat kur do të ndërhyjë në treg.

Kështu, u ndërtua një narrative, se sa më shumë të vijnë në Tiranë më mirë, Tirana i mirëpret të gjithë, nga ana tjetër u punua, për të pamundësuar investimet në shkolla, qendra shëndetësore dhe shërbime në periferitë e vendit. Politika, të gjithë hajdeni në Tiranë, solli situatën ku jemi sot, ku më shumë se 1/3 e popullsisë jeton aktualisht në Tiranë dhe zhvendosja vazhdon të provokohet, sa kohë vazhdon rritja e stokut të banesavë.

Mbingarkesa dhe mbindërtimi i lagjeve, çuan domosdoshmërisht në rritje trafiku, mungesë parkimi dhe sigurisht edhe në mbingarkesë në shkolla.

Kështu, ndërtesat e shkollave ekzistuese, të projektuara për kapacitetet e qytetit të përpara 90s, u mbingarkuan, duke zhvilluar mësim në kushte jashtë normave dhe standardeve për shkollë.

Nën justifikimin, se po adresohej mbingarkesa e nxënësve, në mungesë të një vizioni të qartë se në çfarë drejtimi po shkon shkolla shqiptare, u zhvilluan duzina projektesh dhe tenderash që pasojnë të parat, për të shembur dhe më pas rindërtuar më të mëdha shkollat njëra pas tjetrës. Hapësirat e qytetit, të cilat mund të shërbenin për terrene për shkolla të reja, u zunë nga ndërtimet shumëkatëshe, me funksion ekonomik dhe banim.

Sheshet sportive u kthyen në kulla, dhe sheshet e pallateve për pallate të tjera.
Klasat e mbingarkuara në ndërtesa të amortizuara, me investime pothuajse gjithmonë pjesore, -një herë banjot, njëherë tarraca, një herë ngrohja, një herë dritaret, – shërbyen për ta mbajtur shkollën gjithmonë të përgjunjur.

Vit pas viti, fëmijët iu larguan oborreve të shkollave dhe vit pas viti ato hapësira të dizenjuara për fusha sporti dhe terrene pushimi u zëvendësuan me ndërtime. U rritën ndërtesat e shkollës, u zvogëluan oborret e saj, të cilët nga perimetrale, me kangjella nëpër të cilat fëmijët kacavirreshin, u shndërruan në parcela të brendshme, shpesh pa diell dhe me pak hapësirë të betonizuar.

Nga shkolla me oborr, me dhe, me pemë, me fusha dhe terrene sportive, u shndërruan duke u modernizuar në shkolla me oborr dekorativ, brenda ndërtesës në formë U-je, si ai “Babë Dudë Karbunara” në Berat, që mund të jetë Gjykatë, Radio apo Televizion, mund të jetë edhe Kadastra apo Bashkia, por kurrsesi një gjimnaz në qytetin 2400 vjeçar. Berati meriton më shumë sa aq.

Ndërtimi i shkollave nuk u trajtua si një investim për të ardhmen e qytetit, por si një tender i radhës. Shkolla nuk mund të shihet si shesh bosh, ku mund të bësh favore për tendera, apo të shpenzosh paratë e qytetarëve. Kryeministri, ministri, por edhe kryetari i bashkisë dhe eksponentë politikë, duhen të dalin jashtë perimetrit të shkollës.

Shkolla është institucion krejt i pavarur nga politika siç është kisha apo xhamia. Ajo nuk është vegël apo instrument për të blerë vota. Degjenerimi i politikës, në aktin e përdhosjes së pavarsisë së institucionit të shkollës është kthyer në banalitet mediatik dhe është edukimi më i keq që mund t’i bëhet fëmijëve.

Kryetari i bashkisë apo eksponentë të tjerë politikëbërës e trajtojnë shkollën, ose si piedestal politik ose si foltore propagande.

Shkolla, si ajo “Avni Rustemi”, e restauruar në shtresa, nxënësit e të cilës të pyetur live nga Veliaj, luanin futboll, por bashkia i kishte ndërtuar një fushë basketbolli; apo si “Onufri” në Elbasan, ku shkon drejtuesi i fushatës së PS-së për qarkun, apo “Babë Dudë Karbunara”, me oborrin e betonizuar dhe të mbyllur, ku ishte live Kryeministri, shfaqin vizionin e një shkolle të kontrolluar dhe manipuluar nga politika. Futja deri ne tekste shkollore të fytyrës së Kryetarit të përkohshëm të Bashkisë, por edhe futja e vetë Kryeministrit brenda klasave ku nxënësit po zhvillonin mësim, shfaqen si riparime të një instrumenti të vjetër politik, i cili futi brenda mureve të shkollës politikën, duke përdorur demagogjinë dhe abuzimin me pushtetin për të indoktrinuar popullatën.

 

 

ideas