Po vijnë punëtorë nga Nepali, zëvendësojnë bangladeshasit që braktisën Shqipërinë

2023-03-10 16:45:26 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Po vijnë punëtorë nga Nepali, zëvendësojnë

Sektori i prodhimeve dhe ai shërbimeve po vuan pasojat e largimit të fuqisë punëtorë. Në sektorin fason dhe fabrikat e këpucëve nevojat janë për 20 deri në 25 mijë punonjës ndërsa në bar-restorante e hotele kërkohen 15 mijë njerëz.

Nëpër fasoneri vakancat po mbulohen me kontrata nga Nepali. Gratë nga ky shtet vijnë me negocimin e agjencive të punësimit për të zënë një vend pune, që në shtetin e tyre nuk e arrijnë dot, për arsye të ndryshme. E njëjta skemë punësimesh po ndiqet edhe në Filipine.

Kosto e punësimit mbetet e lartë për biznesin shqiptar, i cili paguan noterizimin e dokumenteve, policat e sigurimit dhe biletat e udhëtimit në disa raste, por për gratë e këtyre vendeve duket se ka garanci në punësim, pasi ato i zbatojnë kontratat.

Nga ana tjetër, bangladeshasit nuk kanë përmbushur vakancat dhe pritshmëritë, pasi kanë braktisur jo vetëm vendin e punës, por edhe Shqipërinë. Ata e kanë përdorur vizën e tyre të punës si trampolinë për të udhëtuar nga Bangladeshi në vendet më të zhvilluara të Europës.

Pagat e ulëta dhe kosto e lartë e jetesës në Shqipëri i kanë detyruar ata të kërkojnë mundësi më të mira për jetën e tyre.

 

Happening now...