A është oligarku Samir Mane, një nga aliazhet që lidh Sali Berishën me Edi Ramën?

29 Shtator 2022, 17:08 / IDE NGA ALFAPRESS.AL

A është oligarku Samir Mane, një nga aliazhet që lidh Sali

Mediet shqiptare u morën gjatë me dasmën e djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzenit dhe Armina Mevlanit.

U zhvillua një garë e vërtetë për “fustanin” e Arminës, kërcimin e çiftit kur dhëndri e hedh “hopaa” nusen, menynë, të ftuarit e showbizit, etj, etj.

Por shumë pak medie panë në këtë dasmë” të familjes Berisha, “Elefantin”.

Ai ishte biznesmeni më i pasur i Shqipërisë, sipas shifrave zyrtare, Samir Mane. Zakonisht në vendet perëndimore listën e më të pasurve e kryesojnë ata biznesmenë që investojnë në teknologji dhe në prodhim, duke i dhënë frymë rritjes së ekonomisë dhe punësimit, por në Shqipëri ky fenomen i kapitalizmit nuk ekziston.

Pasanikët më të mëdhenj janë ata përfitojnë lehtësira klienteliste nga shteti e politika. Dhe madje, për të cilët bëhen edhe ligje të posaçme siç është ai i “Investitorëve Strategjikë”, por kjo është tjetër temë që do trajtohet me fakte dhe hollësi në vazhdim.

Kthehemi te prezenca e miliarderit shqiptarë, në dasmën e familjes Berisha. Në pamje të parë, Mane, përveçse është një biznesmen që e ka nisur “lulëzimin” e pandalshëm gjatë 8 viteve të kryeministrit Berisha, nuk ka asnjë lidhje tjetër me familjen e tij.

A është oligarku Samir Mane, një nga aliazhet që lidh Sali

Ai është nga Korça, kurse  Berisha nga Tropoja. I dyti politikan dhe ish pushtetar i fuqishëm i këtyre 32 viteve tranzicion, i pari biznesmen “zyrtarisht”, si dhjetëra e qindra të tjerë që mund të kenë pasur punë me qeveritë e Berishës.

Por në fakt dasma nuk ishte e Sali Berishës, por e Shkëlzenit dhe ky i fundit po; Është biznesmen dhe ndoshta marrëdhënia e tij e ngushtë me Samir Manen, konsiston pikërisht në këtë fushë.

Pra marrëdhëniet e dikurshme dhe të sotme në biznes, i japin kuptim pjesëmarrjes së biznesmenit të fuqishëm në një dasmë të kufizuar që nuk i kaloi 300 vetë, kur mendon fisin dhe miqtë e shumtë të familjes Berisha, por edhe Mevlani.

Aktualisht Sali Berisha po udhëheq një “revolucion”, i cili nisi pas shpalljes fillimisht “Non Grata” nga SHBA dhe më pas, edhe nga Britania e Madhe.

Duke pretenduar se ka shumicën në opozitën e përçarë shqiptare, ai njëkohësisht premton se do të rrëzojë regjimin kleptoktat dhe në shërbim të krimit dhe të oligarkëve që ka pas vetes Edi Rama.

Ky i fundit duke i pasur si kolona kryesore të pushtetit dhe pasurimit të organizatës që drejton, edhe në ndonjë rast kur në parlament, (Lulzim Basha apo Gazmend Bardhi), ja kanë kujtuar me emra të përveçëm, i ka marrë fort në mbrojtje. Veçse i quan biznesmenë të mëdhenj dhe jo oligarkë.

Nga ana tjetër, (përveç shumë elementëve të tjerë), kur e pyet një ndjekës të Foltores dhe Rithemelimit se përse kjo strukturë e opozitës dhe udhëheqësi i saj Sali Berisha, nuk guxon që të përmend me emër oligarkët e Ramës, ulin kokën dhe belbëzojnë!

Nëse ekipi i Auditimit Mandia-Bumçi që ka themeluar Berisha për “Paratë ruse të Lulzim Bashës”, u ngrit që u ngrit, do të guxonte që të kryente edhe një kontroll për burimet e financimit të Foltoreve gjatë një viti, si dhe gjithë aktivitet intesiv dhe të kushtueshëm të Berishës që kur u shpall “Non Grata”, ndoshta do të kuptonim shumë.

Kur ambasada në amerikanë u interesua për këtë çështje, (sepse po financohej aksioni i një individi që po i bënte karshillëk vendimit të Departamentit të Shtetit që e shpallte të korruptuar dhe rrezik edhe për vendin e tyre), zbuloi çudira.

Për shumicën e shqiptarëve mendje- hapur, në fakt nuk ka asnjë çudi që klasa e vjetër politike e tranzicionit i ka bashkë oligarkët. Bashkë gjatë fazave të rotacionit, i kanë ushqyer dhe elefantizuar në kurriz të taksapaguesve shqiptarë dhe pasurive të Shqipërisë në tokë e nëntokë.

Ndaj edhe mos u habisni kur dikush ju argumenton se Rama mban Berishën dhe Metajn dhe këta mbajnë Ramën. Është aliazhi pronësor, ekonomik dhe financiarë që i bashkon dhe rasti Mane është vetëm një episod i rëndësishëm.

Faktikisht të qenit Oligark, nuk është e jashtëligjshme në Shqipëri. Por çfarë nënkupton ky term?

Sipas Oxford English Dictionary, oligark” do të thotë “një lider shumë i pasur biznesi, me shumë influencë në politikë!

Pra qëllimi i oligarkëve është kapja e pushtetit dhe krijimi i një sistemi kapitalist kleptokratik, ku prona thjesht të bie vetë në prehër!

Sa prona i kanë rënë “në prehër” Saimir Manes duke llogaritur vetëm ato të denoncuara në media, apo duke parë dhjetëra VKM- të e ligjet e 10 viteve të qeverisë Rama?

Por edhe  të asaj Berisha që nga viti 2005, (kur nisi elefantizimin), deri në vitin 2013?

Dhe mbylljen e këtij shënimi për kuptimin e pranisë së oligarkut Samir Mane në dasmën e familjes Berisha, po e bëjmë me një analizë të gazetarit Dritan Hila, (I cili zakonisht e kursen sa të mundet Edi Ramën), në Dritare Tv:

“Unë nuk po them që martesa e Shkëlzen Beri shës me Armina Mevlanin, vajzën e gazetarit Arben Mevlani, një njeri i thjeshtë dhe modest, është politike. Por ka një domethënie pas saj, pra jep mesazhet e saj. Martesa në vetvete nënkupton një qetësi shpirtësore të Berishës.

Në mes të një lufte politike për t’u rikthyer në pushtet dhe të shpalljes non-grata nga amerikanët, gjen kohën për të bërë një dasmë. Ky është mesazh qetësie që Berisha jep. Së dyti, ka të bëjë me pjesëmarrjen ne dasmën e djalit të Berishës. Ka diçka që të bën përshtypje.

Si në dasmën e Edi Ramës përpara shumë viteve, para 11-12 vjetësh, ashtu edhe në dasmën e Shkëlzen Berishës, pjesëmarrësit janë të njëjtë. Janë ata që vijnë nga bota e biznesit, janë njerëz që vijnë nga bota politike, dhe njerëz të fuqishëm të quajtur oligarkë.

Këta nuk mungojnë në asnjë dasmë. Mund të mungojnë në dasmën e Ramës një përfaqësues politik i Berishës siç mungon në dasmën e Berishës një përfaqësues politik i Ramës, por të kemi parasysh që armiqësia mes të dyja palëve nuk është një armiqësi vrastare. As nuk kanë munguar urimet edhe nga eksponentë të së djathtës, sikurse në rastin e dasmës së djalit të Berishës nuk kanë munguar urime nga e majta.

Ata që nuk mungojnë janë oligarkët, ku përfaqësuesi më sinjikativ i tyre është Samir Mane, presidenti i Balfin Group, i cili ishte prezent në dasmën e djalit të Berishës. Kjo tregon që në një farë mënyrë lufta politike është më tepër një luftë mediatike sesa një luftë reale.

Paratë e vërteta janë në zotërim të oligarkëve dhe ata shpesh, bëjnë martesa me politikën që të sigurojnë bizneset e tyre. Por nuk është çudi që këta paguajnë, edhe taksa ndaj politikës. Nuk shpjegohet ndryshe prania e tyre në oborrin politik të Berishës, në kohën kur ai ishte kryeministër.

Dasma e Shkëlqen Berishës është një tregues, që këta oligarkë janë kriter i stabilitetit në Shqipëri. Sado ironike të duket, Berisha nuk ka për të bërë më një revolucion, nuk ka për t’i punuar ditën e zezë Ramës siç thotë, sepse ai në oborrin e vetë ka njerëzit që mundësojnë që Shqipëria të mos ndryshojë kurrë, por të vazhdojë të mbetet po ky batak që ka qenë në historikun e saj të pavarësisë”./Alfapress.al

 

Po ndodh...