A i bën më punë Belinda Ballukut, shkëmbimi i dorëheqjes me imunitetin?

Firmosja e dokumentit nga Altin Dumani për kërkesën e heqjes së imunitetit të Belinda Ballukut, e ka vënë Edi Ramën përballë provës më të rëndësishme politike të pushtetit të tij: Provës së drejtësisë reale. Jo asaj që artikulohet në konferenca shtypi, por asaj që matet kur SPAK, troket në derën e njerëzve më të fuqishëm të sistemit.
Kjo nuk është më çështje e një zyrtareje të lartë. Është një test i drejtpërdrejtë për Ramën, për sloganin e tij “drejtësia të godasë kë të dojë sepse përgjegjësitë janë personale” dhe për marrëdhënien reale të pushtetit me ligjin.
Pyetja që qarkullon sot në zyrat politike është brutalisht e thjeshtë: A po negociohet largimi i Ballukut nga postet qeveritare, përfshirë atë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si kusht për të shmangur përballjen me drejtësinë?
Nëse Rama pranon një marrëveshje të heshtur me Ballukun, ai nuk po mbron thjesht një bashkëpunëtore të afërt. Ai po pranon publikisht se imuniteti nuk është instrument kushtetues, por monedhë politike, që jepet dhe merret sipas interesit të momentit.
Rama nuk e ka luksin të përplaset hapur me SPAK-un. SPAK-u është institucion kushtetues dhe po vepron brenda kompetencave të tij. Çdo përpjekje për bllokim nuk e ndal hetimin; thjesht e zhvendos konfliktin në një nivel më të lartë politik dhe diplomatik.
Në këtë kontekst përplasja reale, nuk do të ishte me Altin Dumanin dhe as me SPAK.
Do të ishte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arkitektët dhe garantët kryesorë të Reformës në Drejtësi.
Për amerikanët, dorëheqja nga posti nuk është zëvendësim i përgjegjësisë penale. Drejtësia nuk negociohet dhe nuk kompensohet me lëvizje politike. Një ministër që largohet nuk pastrohet; thjesht zhvishet nga pushteti.
Nëse Rama bllokon votat për heqjen e imunitetit, mesazhi është i qartë dhe i rrezikshëm: Rama po i shpall luftë institucionit më të besueshëm të shqiptarëve, SPAK. Një mesazh që minon SPAK-un dhe rrëzon narrativën e Ramës për “reformën më të madhe të historisë”. Nëse, përkundrazi, ai lejon votën dhe hap rrugën për drejtësinë, Rama humbet një figurë kyçe të qeverisjes së tij.
Sot nuk është në diskutim vetëm fati politik i Belinda Ballukut.
Kjo ngjarje vendos nëse pushteti ekzekutiv do të pranojë që drejtësia të ecë deri në fund, edhe kur ajo troket në derën e njerëzve më të fortë dhe të afërt të tij.
Historia nuk do ta mbajë mend këtë moment për deklaratat, por për votën.
Ajo votë do të tregojë nëse dorëheqja mund të blihet si imunitet, apo nëse, më në fund, ligji është më i fortë se pushteti.
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
