Bardhi-Berisha, një marrëveshje ‘win-win’

8 Mars 2024, 12:36 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

Bardhi-Berisha, një marrëveshje ‘win-win’

Kooptimi që rithemelimi i bëri disa deputetëve brenda forcës së saj politike është një marrëveshje e pastër për interesa të disa personave, dhe kaq.

Nuk kishte shkrirje të forcave politike, sepse deputetët me në krye Gazment Bardhin nuk përfaqësojnë ndonjë elektorat, pasi nuk kanë zhvilluar asnjë betejë politike si formacion politik.

Ndoshta edhe mund të kenë, por deri më tani janë të paprovuar si lëvizje politike. Nuk ishte një bashkim strukturash, pasi grupi i Bardhit nuk kanë të tilla.

Aq më tepër ishte një marrëveshje e bazuar mbi parime, vlera apo qëndrime të njëjta. Është e ditur që të dyja palët kanë qëndrime të ndryshme, sidomos në raport me aleatët amerikanë dhe drejtësinë e re.

Ajo ishte një marrëveshje e disa burrave nga e cila përfitojnë të gjithë.

Kryesisht një marrëveshje midis Bardhit dhe Berishës. Për këtë arsye nuk kishte votim, por thjesht emërim.

Madje ka shumë gjasa që nëse emërimet e reja të rithemelimit do të hidheshin në votim nuk do të merrnin votat e mjaftueshme.

Kjo tregohet qartë nga debatet e ashpra brenda këshillit dhe kryesisë së rithemelimit për ndryshimet statutore.

Emërimet e reja të rithemelimit kanë ngjallur shumë pakënaqësi te mbështetësit e Berishës, të cilët kanë dy vite që janë rreshtuar pro tij dhe betejës së tij.

Dhe papritur shikojnë që disa njerëz me të cilët kanë luftuar politikisht kanë marrë poste të rëndësishme.

Për këtë arsye, për të mos krijuar përçarje te rithemelimi, Berisha vendosi që t’i emërojë.

Sepse e di shumë mirë, që në momente të caktuara kërkohen marrëveshje të caktuara.

Si një politikan i sprovuar e di shumë mirë që kjo marrëveshje i intereson.

Gjithashtu i intereson dhe Gazment Bardhit.

Berisha përdor Gazment Bardhin dhe deputetë e tij për betejën publike, shumë të vështirë duhet thënë për situatën ku ndodhet në raport me drejtësinë dhe aleatët ndërkombëtarë.

Ndërsa nga ana tjetër, Bardhi dhe të tijtë, përdorin votat e Berishës për të siguruar një karrierë më të sigurt politike.

Kaq është historia e kësaj marrëveshjeje, e cila trumbetohet më të madhe si bashkim i opozitës.

Kjo marrëveshje nuk ka siguruar kohezionin brenda vetë rithemelimin, e jo më pastaj të ketë siguruar kohezionin brenda të gjithë opozitës.

Marrëveshjet politike  midis personave të caktuar ekzistojnë dhe kanë ekzistuar gjithmonë, nuk është ky problemi.

Dhe kjo marrëveshje duket si ato koalicionet qeveritare me shumë parti, kur për t’i kënaqur të gjithë, shtohet numri i ministrive në mënyrë fiktive.

Edhe postet e reja që u hapën te rithemelimi janë pikërisht në këtë funksion, për ti kënaqur të gjithë ata që bënë marrëveshjen.

Edhe pse disa zëra, duke qenë se ngelen jashtë kooptimit, kanë filluar kritikat e tyre publike.

Problemi qëndron se çfarë përfitojnë demokratët dhe populli opozitar nga kjo marrëveshje. 

Për interesin publik kanë rëndësi marrëveshjet politike që sjellin dhe mundësojnë rotacionin politik në Shqipëri, dhe jo interesat e disa personave të caktuar.

Në këtë drejtim, nuk duket asnjë perspektivë e re.

Asnjë vizion i ri, asnjë strategji e re politike apo njerëz të rinj që mund të përballet me pushtetin e stërmadh të Edi Ramës.

Edhe pse u bashkuan, kjo forcë politike vazhdon të njëjtën retorikë, të njëjtin komunikim dhe të njëjtën strategji politike.

Në këtë drejtim nuk ka asgjë të re. Me sa duket, kjo marrëveshje është thjesht një thirrje për popullin opozitar që të rinovojë disa rroga deputetësh për katër vitet e ardhshme.

 

Po ndodh...