Bëhu burrë, të të dua!

9 Qershor 2022, 09:56 / IDE NGA ZHANETA BARXHAJ

Bëhu burrë, të të dua!

Diku kam lexuar një grua që thoshte pak a shumë: “ Nuk e kam problem t’i bindem një burri, as ta adhuroj si e verbër, por ti duhet të më bindësh që vlen dhe e meriton adhurimin tim”. Kjo është sfida mes një burri dhe një gruaje, të meritohen dhe kjo nuk nënkupton nështrimin e njêrës palë as superioritetin e tjetrës. Kjo është e butë e natyrshme si era me malin.
Çfarë kanë meshkujt e vendit tënd, që t’i i refuzon?, - më pyet me kureshtje një mik. Është nga këto bisedat sa sociologjike aq edhe njerëzore.
Më erdhi mirë për pyetjen, tha meshkujt, jo burrat.
Ata pak burra që janë, nuk ka më të mirë,
po të kthehemi tek meshkujt ose te djemtë që nuk bëhen dot burra, siç i përcakton një mik tjetër, në biseda të tjera rreth parimeve që i dallojnë njerëzit.
Hëm, si mund t’i përgjigjesh kësaj pyetje, që mos të keq interpretohet si zhgënjim personal apo si urrejtje gjinore.
Marr pak kohë dhe sjellë në mend djemtë që njoh. Secili është njeri i mirë në tërësi, po u mungon ajo pra, burrëria.
E si mund ta përkufizosh burrërinë në një përgjigje.
Por, unë e di çfarë u mungon.
Ajo mënyra e lehtë e qasjes pa të trembur,
ajo gjëndja që të afrohen si puhi dashurie jo si epsh edhe kur të dashurojnë vërtet. Ajo mënyra e butë për të ardhur dhe ikur si qënie jete, jo lëndimi. Ajo Delikatesa.
E di i them, sinqeriteti u mungon plotësisht, nuk dinë të thonë dua dhe nuk dua. Përhumben në gara, hallakaten në mijëra gënjeshtra, por nuk dinë të thonë erdha dhe jam, ashtu sic nuk dinë të thonë ika.
Por nëse ti do ua thuash e para kaq ishte, nuk e pranojne se duan të jenë ata që lënë, jo nga dashuria, por nga egoizmi bosh. Nuk e njohin pra delikatesën dhe sinqeritetin. Respektin nuk po e përmend, se e quajnë diçka pa kuptim. Domethënë dëgjon edhe çudira, pasi të tradhëtojnë apo të dhunojnë, unë të respektoj se ndaj të martova, këto të tjerat janë gjëra të parëndësishme. Thua vallë na bëjnê nder të madh që martohen me ne apo që janë shokët tanë. Ndërkohë që një marrdhënie jep dhe merr dashuri, jo ndere. Dhe çuditërisht kjo mendësi është tek të rinjtë më së shumti, sesa tek mosha e baballarëve të tyre.
E këtu më kujtohet gjyshi im, një burrë nga ata që i kishte peshë fjala, një burrë me shumë rrr. Dhe mbaj mend kur në pleqërinë e thellë e ngacmonim për shaka. E kur lodhej e na thosh të pushonim, ne hidheshim; Edhe nëna po thotë, pse na flet vetëm ne. Atij i ndryshonte toni i zërit shihte nojen dhe thoshte, nuk keni punë me nënën ju, ajo të thotë çfarë të dojë. E atëherë ne nuk e kuptonim sesa respekt e dashuri shprehte kjo frazë. Ajo kishte gjithë të drejtat, kjo ishte delikatesa e tij, edhe pse nuk kish bërë ndonjëherë ndonjë punë shtëpie apo të ndërronte pelenat e ndonjë fëmije. Sërish më vinë ndërmend mbrëmjet e dimrit, kur rrinim të gjithë mbledhur rreth sobës dhe ai vinte nga jashtë , afrohej dhe nxirrte nga xhepi mandarina, gështenja e gjithëfarë gjërash e ja jepte nënës. Ne bëheshim xhelozë i thërrisnim po ne o gjysh, pse vetëm nënës. Dhe ai thosh, ju aty i keni këto i solla për gruan. Dhe ulej me atë delikatesën e zërit që ne nuk e kuptonim. E nëna një grua fisnike e rrallë, si e zënë në faj, i thoshte me atë zërin që nuk e fshihte kënaqësinë, po ia jepje fëmijëve.
E këtë imazh kam, kur them u mungon delikatesa dhe sinqeriteti, ndaj do mbeten gjithmonë meshkuj apo djem të mirë, po nuk do bëhen dot kurrë burra!
Bëhu pra burrë, të të dua!

Po ndodh...