Burgos kryeqytetin me një VKM, se po luhet një ndeshje futbolli, por kostot e marrëzisë, i paguajmë ne

19 Maj 2022, 13:07 / EDITORIAL NGA ALBINA HOXHAJ

Burgos kryeqytetin me një VKM, se po luhet një ndeshje futbolli, por

Qarku i Tiranës është paralizuar me një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili është propozuar nga kryeministri Edi Rama. Kyçet institucionet shtetërore, shkolla, kopshte, çerdhe, gjithçka. Përse po ndodh kjo? Sepse në stadiumin “Air Albania” në Tiranë do luhet një ndeshje e rëndësishme, finalja e Conference League. Sa mirë që ia arritëm edhe kësaj dite, por për të gjithë ne të tjerët, të diskriminuarit që nuk patëm ‘fatin’ të punojmë në shtet, është një ditë e zakonshme pune.

Njoftimi i Ministrisë së Arsimit për të bërë pushim të gjitha institucionet arsimore në datën 25 maj, në logjikën time si prind është qesharak. Për të gjithë pjesën tjetër që nuk është administratë shtetërore dhe nuk ka marrë pushim për ngjarjen e jashtëzakonshme ku do të luhet finalja e Conference League, jeta vazhdon normalisht. “Le të jemi të gjithë pjesë e kësaj ngjarjeje të madhe dhe të mirëpresim vizitorët nga e gjithë Europa!”, shkruan ministrja, se mos i shkon mendja të përdorë nxënësit për dekor. Kjo është një marrëzi!

Është një ditë e zakonshme punë për të gjithë ne. Në mëngjes do shkojmë në punë, por falë masave tuaja gjeniale nuk ka transport publik dhe kjo na e vështirëson ditën, pasi kostot e taksisë janë rritur si çmimet e naftës nga Bordi qeveritar i Transparencës.

Ne kemi fëmijë që nuk mund t’i marrim me vete në punë. Varet nga mosha që kanë, por po patëm më shumë se një fëmijë ku t’i çojmë?! E di. Do thonit gjyshja, po ja që nuk i kemi afër. Të lutemi që një anëtarë i familjes të jetë në shtet? Fatkeqësisht asnjëri nuk është patronazhist i devotshëm, nuk merr pjesë në organizimet partiake, nuk bën “like”, “share” dhe “coment” në profilet e zyrtarëve të qeverisë apo partisë dhe në këto kushte nuk kemi mundur të sigurojmë një punë në shtet. Tani si t’ja bëjmë?

A e kuptoni se kjo që bëni është paaftësi menaxhimi e zyrtarëve tuaj? Është thjesht një ndeshje. Ju nuk mund të paralizoni Qarkun e Tiranës me një vendim qeverie. Në këtë qytet të madh ka njerëz që do u lindë nevoja të shkojnë në spital, ka njerëz që punojnë e jetojnë dhe vendimet tuaja janë barrë për ta.

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128