Dështimi i madh i Mero Bazes

28 Nëntor 2022, 14:15 / IDE NGA BEQë CUFAJ

Dështimi i madh i Mero Bazes

“Si shumë kolegë tjerë gazetarë, unë kisha dështuar në përpjekjet për të shkruar libër rreth historisë së Republikës së Parë të Kosovës, asaj nyjeje të historisë që ndryshoi përjetësisht fatin e saj...”. Me këtë fjali, publicisti i njohur shqiptar Mero Baze nis librin tij të posabotuar (“ REPUBLIKA E PARË- Historia Politike e Kosovës 1989-1999”, UETPRESS, Tiranë, Faqe 800).

Qysh në këtë fjali të parë të kapitullit “Dhe ia dolën” Baze vë theksin tek dy elemente esenciale që përcjellin këtë sprovë voluminoze:  “Dështimin” dhe “Historinë”. Me “dështimin” autori mëton të mos e trazojë lexuesin, prandaj i ofron joshjen me shprehjen “dështim” dhe kur shkruan për “historinë” e Republikës së Parë të Kosovës atëherë fjalën e ka për publicistikën historike- një fushë kjo kaq e kërkuar por edhe vështirë për t’u lavruar- sepse si e tillë don sa arkivin aq edhe mjeshtrinë ta ushtrosh atë.

Mero Baze është një prej personazheve kryesore të letrave publistike shqiptare. Është zor, në fakt, e pamundur të gjesh një Mero Baze të dytë. Sepse Mero Baze është personifikimi mishërimit të “Mallittë shtampës”. Nëse kolege e kolegë të tij sheh nëpër mejhane virtuale- që mjaftohen me postime prej 4/5 rreshtash, imazhe bukolike me prapaskena moderimesh moderinteti e meskiniteti, monologje të stisura me këlbaze kopjace, Mero Bazen e gjentek “TemA” e tij: si kronistin e kohërave të trazuara por për këtë kondenzuara mes shkronjavetë shkruara e botuara. Duhet t’i ngjash një dinosuari në hapësirën e kontaminuar publicistike shqiptare në Ballkan e Botë kur ke energjinë e akribinë e Mero Bazes që nuk i shqitet shkrimit dhe botimit në shqip. Ditë për ditë. Tash e më shumë se tre dekada. Kjo sprovë e imja për Mero Bazen si publicist është përtej çdo pritjeje që mund të kem. Sepse siç edhe autori thotë në fillimin e librit të tij për Kosovën, njejtë mund të them që është një dështim i para programuar të shkruash edhe për Mero Bazen dhe universin e tij publicistik me të cilin jo se jo nuk pajtohesh e aq më shumë mund të konfrontohesh. Por madhështia e artit të publicistikës është pikërisht këtu: shkathtësia/mjeshtëria në argumentim dhe (mos)pajtim. Vetëm një ahasver si Baze duhet të shkruajë ditë për ditë për çmenduritë politike të tranzicionit të përjetshëm të Tiranës dhe njëkohësisht të mos i ndahet edhe pjesës tjetër të kombit: shqiptarëve në Kosovë. Një “toskë” nga Tirana i cili në Kosovë gjeti atë që as prindërit nuk ia dhanë por ia dëshmuan që dijnë ta bëjnë kur në Golem pritën refugjatët nga Kosova në pranverën e vitit 1999: edhe kur i biri në atë kohë kobi kombëtartë vitit 1999 bën përkthyesin mes “toskëve” e “gegëve” dhe Mamasë i shpjegon dallimin e “patëllxhaneve” e “domateve” (faqe 678). Por edhe shkruante, shkruante dhe vazhdonte të shkruajë. Dhe ia doli!

Ashtu siç “ata” - Rugova, Bukoshi, UÇK, kombi shqiptar i Kosovës dhe klasa politike shqiptare e Kosovës nga viti 1989 deri në 1999 “ia dolën”, edhe autori i librit “Republika e Parë”,i rritur e edukuar në të vetmin nënqiell të një atdheu ku i vetmi religjion që lejohej ishte komunizmi e ku Kosova ishte vetëm nocion i largët dhe trup i huaj në trungun shqiptar, pas rënies së diktaturës i përpëlitur me trazirate tranzicioneve të pandalshme të Tiranës, i kapërthurur në armiqësitë e politikës së ditës dhe kaosit të kontrolluar për nevojat e “njërit” apo “tjetrit” krah të politikës, Kosovën s’e ka lëshuar kurrë së vëzhguari. As personazhet e saj. As zhvillimet rreth saj. Asgjë, pothuajse asgjë, s’i ka ikur Mero Bazes nga Kosova për dekada e dekada të tëra. Pajtohesh apo nuk pajtohesh me të: kur ke lexuar Mero Bazen, e ke ditur vetëm një- nuk do të skuqesh e as skuqet për lëshime në përkthime abc-je të Kosovës që s’ka si të mos jenë edhe në këtë libër si ai iGaqo Apostolit kur në takimin e parë me Ibrahim Rugovën, Gostivarin e Maqedonisë e shpërngulë në Kosovë (faqe 336). Dhe Gaqo Apostolët i ke gjithandej edhe sot e kësaj dite: nga publicistika e deri tek politika. Sa në Kosovë aq edhe në Shqipëri.

Por nuk është kështu tek Mero Baze. Kosova ishte si një vullkan i fjetur në shpirtin e tij publicistik nga fillimet e tij si korrespondent i “Zërit të Amerikës”, përmes vazhdimeve në shtypin shqiptar në Tiranë, Diasporë e deri tek “TemA” e tij. Vullkan që më në fund shpërtheu me këtë vepër kaq të rëndësishme për letrat shqipe. E them këtë sepse “Republika e Parë” e Mero Bazes është, sprova dhe vepra e parë serioze, që mëton të skanojë çdo cep të dramës së madhe shqiptare të Kosovës nga fundviti 1980 deri në verën e vitit 1999 me kryepersonazhet: Ibrahim Rugovën, LDK-në, Bukoshin, UÇK-në, Protokollet e faksimilet kombëtare e ndërkombëtare, Tiranën e tranuar dhe trazuar të viteve 90, bashkësinë ndërkombëtare, konferencat e kurthet e tyre, luftërat në Ballkan, vuajtjet, vetëmashtrimet, përçarjet, sukseset e çka jo tjetër.

Mero Baze në librin e tij momunental për Kosovën nuk e hedh gurin për të fshehur dorën. Sepse ai është tepër gjatë në letra që të mos bie në grackën klasike: sa më shumë që i vardisesh lexuesit dhe me këtë publikut aq më shumë (vet)ekspozon dobësitë që mund të jenë në tekst. Me distancë dhe ftohtësi të një autori të rryer e falenderon “kryepersonazhin” e “10 kutive” të “zverdhura” të arkivave të Qeverisë (Kryeministrin e Kosovës në egzil, Bujar Bukoshin)  por për këtë edhe nuk ia harron tributin që po Bukoshit kundërshtarët i japin: “ai (Bukoshi) po ashtu kishte jo rrallë sjellje të vrazhda dhe shpesh injoruese për ta...” (faqe 328).

Instrumentet e Mero Bazes në këtë libër janë të thjeshta prandaj edhe suksesshme. Shtrirja kronologjike e kapitujve, narracioni i shkurtër, burimet dhe fusnotat e konsultura, mënyra e intervistimit me personazhe kyçe të librit, faksimilet dhe faktet që nxjerr autori i shkojnë dhe qëndrojnë tërë narracionit i cili nuk çalon asnjë çast.  Prandaj edhe përmbush çdo kërkesë të profilit të secilit lexues: edhe studentit që don të dijë për kohën gjamës së madhe të kombit; edhe personazhit perfirik që gjen veten në kronikat e trazuara të Kosovës, Shqipërisë, rropatjeve e përpëlitjeve kombëtare e ndërkombëtare të asaj periudhe kohore; edhe publicistit që don të mësojë si ndërthuret historia me publicistikën; edhe shkencëtarit që don të kap burimin e trajtimit; edhe shtëpiakes së re që don të mësojë me çfarë janë përballë paraardhësit e saj!  Mjeshtërisht autori nis shtegtimin në periferi të historisë (heqja e autonomisë së Kosovës), për t’iu futur periudhës së kohës së vrullit të madh (pluralizmit politik në Kosovë), sfidës për të shkrepur plumbat e parë dhe vetmisë së madhe të vetmashtrimeve (fillimi i shkatërrimit të Jugosllavisë, lufërat në Slloveni, Kroaci, Bosnje, Konferenca e Londrës) por edhe besimit të patundur që “do t’ia dalin”- edhe atëherë kur në këtë nuk besonte askush.   Por, ajo që këtë libër e bën kaq të veçantë, është fakti që autori, si asnjë deri më sot, nuk bie në kurthin e partizimit as grupëzimit të “krahëve” shqiptarë. Përkundrazi, ky libër është një nga të paktët, për të mos thënë të vetmit që përmes portretizimit të personazheve kryesorë, Ibrahim Rugovës në njërën anë dhe Bujar Bukoshit në anën tjetër, përmes Hashim Thaçit e deri tek Sali Berisha e Adem Demaçi nga kampi i kundërt, nuk kursehen nga argumentimet e bazuara në fakte dhe faksimile. Dhe nga mjeshtria e përshkrimit. Për Rugovën e Bukoshin me simpati. Për Berishën e Demaçin me antipati. Të dyja të argumentuara dhe mjeshtërisht gravuara.

Nuk do të ishte Mero Baze, autori që është, poqese këtë libër kaq voluminoz, të mos i kishte edhe notat e tij krejt personale. Zatën veç një autor i rryer si Mero Baze ka fuqinë që për një temë pothuajse të pakapshme, kaosin e Kosovës së viteve 90, të gjejë kohën por para së gjithash  piketojë momente argëtuese si ai me Adin, militantin e Socialistëve që pret në parkingun e Partisë Socialiste dhe autorit të librit, në prag të vizitës së parë të Ibrahim Rugovës... “Ai me shall?... uf... po ai është i Saliut” i thotë Adi Mero Bazes!

Por librit nuk i mungojnë as dramat. Rresht pas rreshti. Faqe për faqe. Kapitull pas kapitulli. Si humbjet: Konferenca e Londrës dhe sidomos ajo e Daytonit. Ashtu edhe Fitoret: Sidomos Konferenca e Rambouillet e cila s’ka si të mos të të mbajë me një frymë pasi që në të, për të folur me autorin Mero Baze edhe (për)jetësohen letrat- qoftë në mënyrë profetike e tragjikomike të përshkruara nga Ismail Kadare në vitin 1984 tek “Viti i Mbrapshtë”, ashtu edhe në mënyrë kosmike të propaguara nga “profeti” Ibrahim Rugova dhe realizuara nga NATO që krah për krah me UÇK-në të nis çlirimi i tokave shqiptare... 

Dhe për këtë çlirim të tokave shqiptare, them që më në fund, kemi një “dëshmi” të parë të madhe. Dëshminë e autorit Mero Baze. Dëshmi kjo të cilën do të dëshiroja të ketë çdo shqiptar në shtëpinë e bibliotekën e tij. Për veten e vet por edhe për brezat që vijnë.  Dëshminë e Mero Bazes i cili, sikur ta kishte lexuar epikun më të madh të Amerikës, Ëilliam Faulkner, qysh në fillim të këtij librit të tij të jashtëzakonshëm, flet për “dështimin”.

Edhe Ëilliam Fualkner ka shkruar për dështimin. “Çdo libër është një dështim. Ka dështime të vogla dhe dështime të mëdha. Sa më i më madh dështimi aq më i madh edhe libri”,shkruante Faulkner.

Edhe Mero Baze me “Republikën e Parë” ka dështuar. Por ky dështim është më i madhi që ndonjëherë është botuar në letrat shqipe për Historinë e Republikës së Parë të Kosovës.

*Beqë Cufaj është ambasador i Kosovës në Berlin

 

 

 

 

 

 

 

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128