''Dita e rinisë me mundësi të kufizuara”

8 Dhjetor 2022, 18:10 / IDE NGA ARDIT GJINALI

''Dita e rinisë me mundësi të kufizuara”

Kori i duartrokitjeve nuk ngroh shumëçka përvec shuplakave që përplasen....të rinjtë e djeshëm në moshë biologjike duartrokasin aktet e tyre të djeshme me psherëtimën e pandarë të së sotmes....e tilla psherëtimë e vazhdueshme që thërret në apel më shumë se dilema....psherëtimë mbi të pakuptueshmërinë e së shkuarës, habinë negative të së tashmes dhe dyshimin e shëndetshëm mbi të ardhmen duke menduar shumëçka të ndodhur në të djeshmen.

“8 Dhjetori” është dita e duartrokitjeve të zbehta të shumëkujt që e përjetoi dhe e të tillave të nxehta të disave syresh që rreken të rrëmbejnë nga lavdia e të parëve...të atyre që parafytyrojnë përsëritjen e “8 Dhjetorit” si elementi thelbësor që do të nxiste zhvillimin e karrierave të tyre vetjake.

“8 Dhjetori” është dita e dilemave të pakufizuara për të rinjtë dhe e mundësive tërësisht të kufizuara për të njëjtët....të tilla mundësi të zbehta si grija e pandaltë që dërgon diellin e mundësive të barabarta në kufijtë e shuarjes tërësore.

“8 Dhjetori” është dita e të rinjve që festohet më së paku nga të tillët....festa e tyre rrëmbehet nga ustallarët e secilës moshës biologjike që dirigjojnë regjinë qëndrore dhe kërkojnë ti shndërrojnë në duartrokitës periferikë të palavdishëm....lavdia e tyre rrëmbehet, shpirti i tyre, vullneti, dëshira , mundi i tyre përdoret tallshëm për të jetësuar agjenda dhe synime që janë larg pritshmërisë së tyre.

“8 Dhjetori” është dita e rinisë në një vend ku e tilla nëpërkëmbet, përbuzet, tallet dhe largohet nga vendi....në një vend ku meritokracia harrohet, dinjiteti shkelet dhe e vërteta fshihet. “8 Dhjetori” thërret për të mos pasur frikë nga e vërteta.....thërret për të mos vijuar skalitjen e simboleve të diskutueshme në thelb dhe formë....thërret për të mos lëshuar brohorima gëzimi me moment kohor të përcaktuar, por për të reflektuar thellë dhe me arsye të ftohtë.

“8 Dhjetori” thërret për reflektimin e secilit prej të rinjve , të njëjtët nuk mund të shndërrohen në numërorë duartrokitës të sallave të ftohta që nuk mund të ofrojnë një alternativë të qëndrueshme për të tillët.

Secili “8 Dhjetor” mbetet i mbushur në retorikë kinse angazhuese ndaj të rinjve....retorikë që ndjell zjarrin përvëlues për të ngrohur pritshmëritë e aktorë-faktorëve përgjegjës për shumëçka nga mundësitë e përvjedhura ndaj tyre.

“8 Dhjetori” është dita e Rinisë me mundësi të kufizuara.....e tilla ditë thërret secilin prej të rinjve në përmbushje të një misioni të papërfunduar...misioni i shkundjes së pluhurit të zakonshmërisë kinse festive .

Kjo ditë nuk mund të jetë e tillë kalendarike....një e ashtuquajtur ditë pushimi zyrtar....kinse ditë festive në një vend që po zbrazet nga Rinia....një komb i mpakur nga keqqeverisja dhe penguesit negativë të ndryshimit, gjithashtu. Secili i ri/e re duhet të ndërrmarrë aktin e refuzimit të gënjeshtrave festive dhe të shndërrojë “8 Dhjetori” në një ditë të reagimit individual....reagimit të individit në një Republikë ku i tilli rreket të tjetërsohet në një model të “njeriu të Ri patronazhist”.

E vërteta qëndron në themelin e zhvillimit të një shoqëria...pa të tillën, e njëjta rrezikon të shuhet....misioni i të rinjve mbetet reagimi për të vërtetën kundër një sistemi të mundësive të kufizuara. Koha është tani, për të shmangur një “8 Dhjetor” të ardhshëm të përsëritur me të njëjtën hipokrizi. Koha e të vertetës është tani!

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128