Dosjet e Sigurimit, e harruat lojën e ndyrë të Berishës me Artan Hoxhën “president”?!

19 Gusht 2022, 14:58 / IDE NGA NEBIL ÇIKA

Dosjet e Sigurimit, e harruat lojën e ndyrë të Berishës me

Të gjithë këta moralistët dhe spekulantët politikë që thonë se hapja e dosjeve dhe lustracioni bëhet për motive politike e gjueti shtrigash nga qeveria, po ju them se kështu ka qenë gjithnjë .

Dosjet e Sigurimit janë përdorur dhe përdoren për të mbajtur pushtetin me shantazh e material shtrëngues, me mjete e metoda të sigurimit të shtetit .

Pyetja ime për ta sot është: Ku ishit ju kur Berisha përdorte dosjet e Sigurimit për pushtetin e tij?!

Ky është një shkrim i imi në 25 qershor 2012, kur sapo u zgjodh presidenti Nishani .

Berisha atëherë përdori dosjet e Sigurimit për të djegur kandidatin e tij për president, Artan Hoxhën, duke ndërtuar e kombinuar një sekemë politike, tipike të sigurimit, që detyroi në një "shah mat" politik zgjedhjen e Nishanit që pas djegies së Hoxhës ngeli e vetmja kandidaturë .

Deputetët përfshi edhe aleatët e Ilir Metës në kooalicion, u vunë para dy alternativave: Nishanin ose zgjedhje të reja dhe natyrshëm zgjodhën të parën. Vetëm un reagova atëherë, për shantazhin dhe gjuetinë e shtrigave me dosjet e Sigurimit. Ju të tjerët, që ulërini sot, heshtët në këmbim të pushtetit apo privilegjeve të tij.

Ju kujtohet loja e ndyrë e Berishës me Artan Hoxhën ?!

Mblodhën Kuvendin, e morën me makinë dhe truproja të gardës, tek shtëpia, nën vëzhgimin live të kamerave e mediave.

Por rrugës e kthyen tek zyra e Berishës që i tha se nuk mund të bëhej President, se kishte qenë spiun i Sigurimit.

Nuk është se Berisha nuk e dinte që Hoxha ishte B. P i Sigurimit.

Hoxha ishte larguar nga qeveria dhe politika se nuk kaloi filtrin e komisionit Mezini dhe Berisha e dinte këtë, kishte në dispozicion edhe dosjen e tij.

Para seancës së anuluar për zgjedhjen e Hoxhës takova para Kuvendit një grup deputetësh të PD, më kujtohet midis tyre miku im deputeti Dashnor Sula.

Nuk zgjodhët Hoxha i thash po shkoni kot në seancë, është skemë e Berishës do, mblidheni prapë për Nishanin .

Nuk më besuan, atë e ka marrë garda në mbrojtje po sjellin me makinë në Kuvend më thanë.

Ore, ka qenë spiun i thash, nuk zgjidhet!

U futën në Kuvend të bindur që do zgjidhnin Hoxhën.

Pas gjysmë ore dolën sërish dhe me gjetën tek një kafe te Ura e Tabakëve, me dy kolegë gazetarë.

U ulën të shokuar në tavolinën tonë dhe më pyetën: Ku e dije ti që ishte spiun?

Ma ka thënë Berisha- iu thashë, ai e ka databazën e Sigurimit të Shtetit.

Ju tregova edhe historinë si e mora vesh.

Në vitin 2001 kur unë isha Zv/Kryeredaktor i RD, në redaksi erdhi një material i nisur nga Geri Kokalari një shqiptaro- amerikan që atëherë lobonte për Berishën në SHBA.

Ishte një raport për DASH i përgatitur nga instituti që drejtonin Genc Ruli dhe Artan Hoxha që e nxinte opozitën, PD dhe vet Berishën.

U ngjita tek zyra e Berishës i tregova materialin kundër tij të firmosur nga Ruli dhe Hoxha .

Në bisedë e sipër i thashë: E kuptoj këtë Rulin në mllefin kundër teje dhe PD se donit ta dënonit për drurin e arrës kur ishit në pushtet, po ky Hoxha çfarë ka se këtë e bëre ministër 25 vjeç?!

Ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, e kapi komisioni Mezini, prandaj e hoqëm nga ministër dhe nga politika.

Nuk e publikuam se iku vetë pa zhurmë e rezistencë- më tha Berisha.

U befasova disi kur e propozoi për President por duke njohur Berishën dhe sidomos kur nxori emrin e Nishanit, e kuptova që ishte lojë në skemë politike, me mënyrat dhe mjetet e Sigurimit të Shtetit.

Sot nuk e përjashtoj mundësinë që edhe Rama po bën të njëjtën lojë për Metën si Berisha për Hoxhën, prandaj mendoj që hapja dhe publikimi i dosjeve të Sigurimit është e vetmja rrugë për të ndaluar përdorimin politik të tyre nëpërmjet shantazhit dhe kufizimeve ligjore selektive.

Kjo është një përgjigje edhe ndaj atyre që më thonë, se hapjes së dosjeve të Sigurimit u ka kaluar koha.

Un kam folur e shkruar në çdo kohë e në çdo pushtet, pasi e kam parë e shoh këtë si litarin jashtë varrit të diktaturës komuniste si mjetin kryesor të vazhdimësisë të pushtetit komunist në Shqipëri.

Kam këmbëngulur që rekrutimi me dhunë i spiunëve të trajtohet si krim më vete i komunizmit dhe se hapja e dosjeve do të ndihmonte për këtë.

Përdorimi i dosjeve të Sigurimit nga shteti dhe politika është krimi i komunizmit që ende vazhdon .

Ku është ndryshimi këtu.

Edhe sigurimi dhe PPSH dhe Enver Hoxha për këtë arsye i bënin e i përdornin dosjet: të mbanin pushtetin .

Për këtë i përdor Rama për këtë i ka përdorur edhe Berisha e të tjerë që kanë informacion mbi to !

Kam shkruar në libër për këtë një studim "Diktatura e Dosjeve" dhe me dhimbje konstatoj, se ajo që kam parashikuar në analizën time rezulton 100% e saktë sot!

Moralistët dhe spekulantët politikë e mediatikë të heshtin!

 

Po ndodh...