Dy vjet pa Moikom Zeqon

14 Qershor 2022, 18:10 / IDE NGA SPARTAK BRAHO

Dy vjet pa Moikom Zeqon

Të gjithë biem dakord në një gjë sot. Në këtë përvjetor te dyte te vdekjeje të Moikom Zeqos, ashtu si dhe familja e tij e nderuar, edhe ne shokëve dhe miqve të tij, na mblidhet një lëmsh shpirtëror, emocional dhe fizik dhe hidhërimi vështirëson artikulimin e shënimeve tona me rastin e këtij eventi me shumë vlera shkencore. Gjithsesi, ne kemi për detyrë ta çojmë deri në fund për ta nderuar këtë figurë memoriale të kombit tonë.

Kam shumë për të thënë për Moikomin, si, shok fëmijërie bashk qytetar dhe rinie, prej 60 vjetësh, por këto kujtime i takojnë angazhimeve te mija personale.

Sot, qëllimi ynë është që secili në këndin e tij, me objektivitet të themi se ç’ishte realisht Moikom Zeqo, çfarë përfaqësonte ai në mjedisin shkencor intelektual shqiptar, si njeri i letrave, shkrimtar, studiues, artist, poet, piktor, politikan dhe atdhetar. Duke studiuar veprën e tij në shumë kahje, siç u relatua këtu nga parafolësit, është plotësisht me vend të thuhet se ai ishte një euridit kozmik dijesh, një arkiv njerëzor i mahnitshëm e pa inventor, qe donte Shqipërinë, kulturën dhe popullin e tij. Studiuesi dhe publicist i njohur Bedri Islami, të cilin po e perifrazoj, thotë se “Ai është sot e kësaj dite një nga mendimtarët më të lirë të kohës sonë, i virtytshëm deri në skaj dhe i guximshëm me të gjithë atë që shfaq. Shpesh herë ai është vizioni që përplaset në shkëmbijtë e të pamumdurës”. Pra, ishte dhe mbetet i pa përsëritshëm. Dikush tjetër e ka quajtur rilindas modern i kohës sonë.

Ëndrra dhe Olimpi ku ai ngjitej, ishte kultura, të cilën ai e zhvilloi fillimisht si poet i detit dhe nëndetit, i Tokës dhe nëntokës. Shpejt u kthye ne një publicist ngazëllyes i shtypit, por edhe një studiues sistematik arkivash brenda dhe jashtë vendit. Siç thotë Rexhep Qosja, “Kërshëria mendore e Moikomit është e jashtëzakonshme në letërsi, mitologji, pikturë, histori, arkitekturë, gjuhësi dhe politik. Është eseist me dhunti të gjithanshme, Erudit i madh”.

Puna dhe angazhimi e bënë Ministër të Kulturës, drejtues muzeumesh kombëtare, politikan dhe deputet nga më të mirët e cilësorët që ka patur e majta shqiptare 32 vitet e fundit. Si bashkëkohës i tij në skakierën politike të viteve ’80, krahas rebelimit e pakënaqësive të tij ndaj ngecjes dhe degradimit të sistemit socialist, atë e njohëm edhe për idetë e nevojës së ndryshimit dhe iluminimin me ide të reja progresive politike kundër çmërsit politik dhe ekonomik të kohës, të cilat i thoshte hapur dhe pa droje, veçanërisht kundër një pjese të nomeklaturës së lartë byroiste.

“Ramiz Alia” thoshte Moikomi, ne ato vite “po i vonon reformat dhe po gabon në zgjidhjet që orienton”. Ishte guxim i madh të kërkoje në ato vite, hapjen ndaj Perëndimit dhe pluralizmin. Moikomi ishte nga të parët, së bashku me shumë intelektual të tjerë, që formuluan idenë e ndryshimeve ideologjike dhe organizative të Partisë së Punës, krijimin e një force të re politike, të tipit Social-Demokrat.

Programi i parë i Partisë Socialiste ka dhe firmën e Moikom Zeqos, si pjesëtar i Grupit Themelues. Fjala dhe kritikat qe formuloj më 12 qershor 1991 në Kongresin transformues të PS, krahas Dritëro Agollit, ishin akumulime te qarta, por edhe ide për zhvillimet e reja social-politike në të cilën duhet të ecte politika dhe shoqëria shqiptare.

Në zgjedhjet pluraliste te vitit 1992–1996, ai përfaqësoi denjësisht intelektualët, artistët, si deputet, por që nuk pranoi asnjëherë të ishte anëtar i forumeve partiake. Qënia i lirë dhe i paangazhuar ishin jo thjesht një tekë e tij, por largpamësi. Ai ishte mësuar mos i kishte krahët e lidhur.

Moikom Zeqo deputet ka në arkivin e tij parlamentar të atyre viteve, dhjetëra diskutime brilante, të gjitha fushave të kulturës dhe shkencës, që lidheshin me mjedisin shqiptar. Lipset, që në të ardhmen t’i shohim me kujdes si pjesë e memuarit të tij me vlera studiuese.

Por, le të ndalemi me kujdes tek libri i tij publicistik të vitit 1994 “Paradokset e Demokracisë”, ku në mënyrë të koncentruar ka afishuar merakun e madh për zhvillimet jo normale që kishte marr demokracia dhe shteti në Shqipëri, Ai analizon duke krahasuar të mirat dhe dilemat e këtyre ndryshimeve, demokracinë e sapolindur, duke seleksionuar çishte e mire dhe çishte e keqe.

Ja çfarë thotë autori i librit në parathënien e tij: “Kërkoni të dini nëse shkenca apo mendimi njerëzor ka një teori të saktë të demokracisë? Egzistojnë shumë teori ose politikologji të ndryshme. Një kodë të përbashkët për kombet nuk ka për këto çështje.”Për demokracinë shpesh herë kemi kuptime empirike, ose si pragmatizëm ose si ëndrra heliastike.”“Demokracia paraqitet gjithmonë në formën e republikanizmit, i cili është atribut i saj.

Një shoqëri e vërtetë demokratike krijon një kod vlerësimi për Institucionet dhe jo kod vlerësimi për partitë dhe individët që vijnë në pushtet. Kjo gjë nuk është kuptuar fare në Shqipëri…” nënvizon ai. “Institucione si Parlamenti dhe Presidenti, janë personalizuar në mënyra të pabesueshme, sipas konceptit patriakal primitiv ballkanik dhe kriza e institucionalizimit në punët e shtetit është e prekshme dhe pavarësia e pushteteve të tjera është kthyer në slogan dhe në funksion të Njëshit të shtetit.”

Duke shtjelluar idetë e mendimit të tij politik ai thkeson se: “Në mendimin e përparuar demokratik shoqëria civile konsiderohet si parësore ndaj shtetit. Autonomia dhe respektimi i shoqërisë civile influencon natyrën e shtetit dhe sjelljen e tij.”

“Opozita si një thelb i madh i shoqërisë civile është rrafshi i opinioneve pa pushtet ekzekutiv. Ndryshe, kundërvënia ndaj shoqërisë civile, përmbys formulën që ka vënë në dukje edhe Tukëvili “omnis potesta a populo”… Kriticizmi konstruktiv është një fuqi morale dhe intelektuale e pazëvendësueshme që kërkon guxim qytetar, profesionalizëm dhe intelektualitet të vërtetë. Populizmi e lumpenizon luftën politike, e kthen atë në një luftë përplasje idesh, në luftë ndaj njerëzve me kahe të ndryshme. Dënimi arrogant i Drejfusit dhe Fatos Nanos ishte një simbol i moskuptimit dhe manipulimit të normave të demokracisë së emancipuar.” mbyll konluzionet e tij autori i librit (shiko librin Paradokset e Demokracisë, faqe 5 – 8 )

Në vija të përgjithshme, ky libër ishte platforma e parë analitike e një politologu klasi, te situatës së asaj periudhe, që mbart vlera edhe sot.

Parë në këtë këndvështrim Moikom Zeqo ka paraprire me analiza dhe sjelljet ku duhet të ecte Shqipëria dhe faktorët e instrumentet e saj lëvizës. Ne nje farë mënyre ai pati meritën, se parashikoi edhe rrezikun e deformimeve të mëdha që ndodhën, pasojat e rënda kur këto qëndrime të rëndësishme teorike dhe praktike u shkelën atëherë dhe shkelen edhe sot, nga pushtetarët e kohës apo të rradhës.

Le të shohim një analizë tjetër estetiko-politike të Moikom Zeqo qe i bën binomit “Intelektuali dhe Politika”, veçanërisht rolit të vlerësimit që duhet të ketë ndaj këtyre, në dukje si “dualitet”. Ai i referohet fjalës së Enver Hoxhës të 20 dhjetorit 1974 dhe sloganit te tij, se shkrimtarët dhe artistët janë “ndihmës të partisë”. Diçka ngazëlluese u ndje, pasi ata kishin nevoje të vet hipnotizoheshin nga një shpresë e humbur e atyre viteve. Por c’do të thotë “ndihmës i parties”, pyet Moikom Zeqo duke replikuar me një drejtues të lartë të Partisë Punës.

Duke bashkebiseduar direkt me Nexhmie Hoxhën, kujton, se ajo e pyet atë me ironi se si duhet të quheshin shkrimtarët dhe artistët? Shtylla e partisë?! Nuk e dijmë përgjigjen e tij në atë rast. Kuptohet, angazhimi në detyra shtetërore dhe politike në ato vite, e ka detyruar të heshtë, por jo te mos reagoje me mendjen e tij, për ta shmangur “disidencën” e hapur. Dimë vetëm makthin e krijuar pas kësaj replike. Në fakt, më pas ai e ka pohuar në libër kundërshtinë që kishte në kokë. “Le ta pranojmë për një çast silogjizmin se intelektualët janë “ndihmës të partise”.

Por kjo parti (Partia Punës) kishte me shumicë në krye të saj një udhëheqje të paditur. Kjo llogjikë e silogjizmit i detyron të diturit, artistë e shkrimtarë të bëheshin ndihmës të të paditurve!! Kjo ishte një frymë diabolike dhe e papranueshme në mes partisë dhe intelektualëve, thekson Ai në përfundim te replikes. Vizionar dhe largpamës shfaqet ai në këto ide, pasi këto dukuri ndeshen edhe sot me raportet Intelektual, me partitë e kohës.  “Monopolizimi partiak do të ishte një sistem i ri diktature”, e mbyll Moikomi analizën e tij.

Një ngjarje tjetër e rëndësishme e mesit të viteve ’90 ishte një ide e hedhur prej tij se krahas Parlamentit Europian duhet të ngrihet e të lulëzoj një instrument i ri, i iniciuar nga një grup intelektualësh, akademik, shkrimtarë, nobelist, etj. Qëllimi ishte për të sensibilizuar opinionin e gjerë europian dhe botëror, për tragjedinë dhe apokalipsin që po ndodhte në konfliktin Bosnje-Hercegovinë. Internacionalizimi i kësaj nisme nga intelektualët, evokon vetëm gjestet trimërore të protestave, në krye të cilës u vendosën figura të shquar të kulturës botërore si Emil Zolah, Avri Barbysi, Bertold Brehti, Ajnshtajni, Pasternaku etj-nenvizon-

Me qindra shkrimtarë, nenvizon autori, janë deputete në përbërje të Parlamenteve të shteteve të botës. Shembulli i këtij bashkimi në reagimin protestues në atë kohë, u bë deklarata e qindra shkrimtarëve, arab dhe europian në mbrojtje të dënimit me vdekje të shkrimtarit iranian Selman Ruzhdia. Realizmit të kësaj ideje i parapriu Moikom Zeqo, që fillimisht u anatemua si “utopi romantike e vonuar”. Nismëtarët e saj si Zhak Derrida, Karlo Fuente, Pjer Burdie, Toni Morrison, Eduard Lisani etj shpallën në Paris  në fillimet e majit 1994 (sipas gazetës Le’ Monde) krijimin e Parlamentit Ndërkombëtar të Intelektualëve, me President shkrimtarin Selman Ruzhdia.

“Duke biseduar me Dritëro Agollin për këtë nisëm – kujton Zeqo, e pyeta se kush mund ta përfaqësoj Shqipërinë në këtë forum? Ai m’u përgjigj: Rexhep Qosja, padyshim. Por unë nuk përjashtoj as Dritëro Agollin, thekson Moikomi. Sot, personalisht kam bindjen, se dhe Moikom Zeqo do të ishte një përfaqësues dinjitoz në këtë forum të intelektualëve të botës.

Me synimin e rrokjes dhe angazhimet që intelektualët në përgjithësi, shkrimtarët dhe burrat e shquar të shtetit i nevojiten njerëzimit, për t’u frymëzuar prej tyre, ai afishon në shënimet e tij me optimizëm, një sërë prej tyre si Umberto Ekon, Xhejms Xhoisi, Artu Remo, Martin Hajdegerin, Aleksandër Moisiun, burrat e shtetit si Abraham Linkoln, De Gol dhe e mbyll me intelektualët shqiptarë si Faik Konica, Migjeni, Lasgush Poradeci, Koliqi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, dhe poetin elegant Frederik Reshpjen, per te cilin pati nje dashuri te veçante.

Angazhimi i madh politik si publicist activist atdhetar per çeshtjen kombetare, i krijoji, përplasjet me politikën e kohës, dilema që ai mbarte për fatet me zig-zage të kombit shqiptar, solli dhe nje ngjarje te papritur. Burgosjen e tij ne 27 Shkurt 1994. Gjatë një vizite për qëllime studimore në Malin e Zi, së bashku me Idajet Beqirin, ai u izolua dhe u arrestua nga shërbimi sekret serbo-malazez i regjimit të Bulatovicit. Të skeduar si ideologe dhe mbrojtës të çështjes shqiptare në trojet e ish-jugosllavisë, “si element të rrezikshëm”, ata u goditën. Ishte arresti dhe burgosja një akt i paprecedent ndaj një shkrimtari dhe deputeti të Parlamentit shqiptar, së bashku me Idajet Beqirin. Por burgu ata nuk i theu. A e mendoni dot Moikom Zeqon të mbyllur në qeli për ta mposhtur? Këto ditë qelie ai përshkruan në kujtimet e tija me dhimbje, të çuditshme, por dhe me humor.

Ajo që të bie në sy në këtë rast ishte heshtja e qeverisë dhe institucioneve shqiptare, pasiviteti  dhe mosreagimi i tyre për t’i mbrojtur jo vetëm fizikisht ata, por edhe idetë atdhetare dhe patriotike te tyre. Mesa di pas viteve 90 nuk kemi patur tjere shkrimtare te burgosur, te perndjekur politikisht, por kemi patur dhjetra gazetare te burgosur e te keqtrajtuar, ashtu sic kane vene ne dukje edhe institucionet nderkombetare. Liria e medias dhe e shtypit tek ne vazhdon te jete e rrezikuar nga pushtetet qe vene e vijne.

Shkurt le te nenvizojme edhe nje nuance tjeter te botes dhe formimit te tij si nje ideolog i vlerave te antifashizmit dhe luftes nacional çlirimtare dhe antifashist te vendosur i koheve moderne, me rrenje tek origjina e tij partizane, bashkekohes i shkrimtarit edhe deputetit te majte antifashisht grek Manolis Glezos, te cilit i referohej vazhdimisht, qe u nda nga jeta disa muaj perpara Moikomit. Analizen me te gjere te kesaj ane te tiparit te Moikom Zeqos do ta bejme me te gjere ne nje rast tjeter.

Në përfundim, dua të theksoj se tek figura poliedrike e Moikom Zeqos, krahasimisht  shkrihen ngjashmerisht në aktivitetin e tij si intelektual dhe patriot, me thellësine e diturisë dhe erudicionit të Faik Konicës, me gjerësine e qëllimeve patriotike e rilindasit Sami Frashëri. Padyshim që kjo ngjashmëri është evidente.

Ky simpozium shkencor për veprën dhe jetën e Moikom Zeqos, me pjesëmarrjen e personaliteteve më të shquar, shkrimtar e studiues, të Akademisë së Arteve dhe Shkencave, sot do të na obligojë të gjithëve ne, por shpresojmë edhe organet shtetërore, të ecin në rrugën e kodifikimit të kësaj pasurie me vlera të pa çmuara intelektuale, që përfaqëson i paharruari Moikom Zeqo.

*) Fjala e  ish – deputetit Spartak Braho, mik që në fëmijëri e deri në fund të jetës i Moikomit , e mbajtur në veprimtarinë e organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe gazetën DITA, në  në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar.

 

Po ndodh...