Dy vjet pas 8 janarit, çfarë arriti politikisht ‘’foltorja’’?

8 Janar 2024, 21:45 / IDE NGA ERVIS ILJAZAJ

Dy vjet pas 8 janarit, çfarë arriti politikisht

Më 8 janar, dy vite më parë, u zhvillua në selinë e Partisë Demokratike ndoshta ngjarja më absurde e parë ndonjëherë, jo vetëm në politikën shqiptare, por edhe përtej saj. Dy grupime politike brenda një godine, të cilën e përdorën si simbol në luftën e kotësisë me përleshjen e tyre politike dhe fizike për ti hapur rrugë një krizë të thellë të Partisë Demokratike dhe të djathtës shqiptare në tërësi. Krizë e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite, dhe të cilës nuk i duket dritë në fund të tunelit.

I gjithë ky absurditet që kishte si protagonist lëvizjen e ‘’foltores’’ të krijuar nga ish kryetari i asaj partie Sali Berisha, dhe që kërkonte rikthimin e tij si kryetar, u ndikua prej shpalljes non-grata nga Shtetet e Bashkuara dhe më pas pezullimin nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, nën udhëheqjen e Lulzim Bashës.

Që nga ajo ditë, për dy vite me radhë, Sali Berisha ka qenë protagonisti kryesor i opozitës me lëvizjen e tij politike. Një rikthim që për foltoren dhe mbështetësit e saj ishte një lëvizje shprese dhe krijoi iluzione të mëdha.

Por sot mbas dy vitesh, ndoshta është dita për të bërë një bilanc se çfarë arriti në thelb Sali Berisha me lëvizjen e tij politike?

Premtoi që do të rregullonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, por sot Berisha dhe lëvizja e tij politike është më izoluar së kurrë. Jo vetëm që aleancën me Amerikën se rivendosit dot, por u shpall non-grata dhe nga një aleat tjetër i Shqipërisë , Britania e Madhe. Fakt është se pas arrestit të tij nuk ka asnjë reagim zyrtar nga asnjë seli diplomatike, asnjë organizatë ndërkombëtare dhe nga asnjë vend i Perëndimit. Edhe pse mbështetësit e tij e konsiderojnë një arrestim politik dhe burgosje të ‘’liderit’’ të opozitës.

Premtoi që do të sillte demokratët në pushtet, por nën udhëheqjen e tij, në zgjedhjet lokale të 14 majit, opozita pësoi humbjen më të thellë në historinë 33 vjeçare të pluralizmit që një opozitë kishte pësuar ndonjëherë. Me rikthimin e tij u premtoi demokratëve që do të rrëzonte regjimin e Edi Ramës, me votë ose me forcë, por opozita nën udhëheqjen e tij këto dy vjet ka qenë opozita më paqësore që ka patur ndonjëherë Shqipëria. Mos-bindja civile ka ngelur një retorikë boshe që askush nuk e beson më.

Gjithashtu, Sali Berisha premtoi që do të krijonte një parti të hapur dhe të bashkuar, por sot e djathta është më e ndarë se kurrë. Madje, njerëzit që e mbështesin sot janë vetëm besnikët e tij më të thekur. Ndërsa të tjerët që bëjnë sikur janë me të, vetëm se u duhet elektorati i Berishës, me padurim presin që të largohet dhe ata të trashëgojnë elektoratin e tij. Beteja për trashëgiminë e elektoratit të Berishës sapo ka filluar. Të gjithë janë në iluzion sepse kur të vij koha që Berisha mos të jetë më protagonist, nuk do të ketë ngelur më asnjë i tillë. Të gjithë, madje edhe ata që besojnë më shumë te ai, tashmë janë të bindur se kjo lëvizje nën lidershipin e Berishës nuk ka më asnjë të ardhme.

Premtoi se do të merrte logon dhe partinë zyrtare, por në zgjedhjet e fundit ju desh që të përdorte logon e Partisë së Lirisë. Çështja e Partisë Demokratike ndodhet ende në gjyq dhe me të gjitha gjasat nuk do të shkojë asnjëherë në duart e Sali Berishës.

Madje Sali Berisha, me lëvizjen e tij politike dhe me rikthimin e tij duke treguar forcë, nuk i shpëtoi dot as proceseve gjyqësore. Sot është nën arrest shtëpiak, duke mbajtur fjalime nga ballkoni i shtëpisë.

Për të gjitha këto arsye, nëse sot pas dy viteve, bëjmë një bilanc se çfarë arriti politikisht lëvizja e tij politike, padyshim që përgjigja është asgjë! Përkundrazi, situata e tij personale dhe politike është më e rënduar se më parë. Ka vetëm një ‘’arritje’’ e gjitha kjo marrëzi që ka ndodhur brenda Partisë Demokratike. Përçarjen e të djathtës, bërjen e saj më të dobët dhe forcimin e pushtetit të Edi Ramës.

E megjithatë, sikur mos të mjaftonte ky bilanc, mbështetësit e tij që sa vijnë e tkurren, vazhdojnë ende me iluzione dhe me shpresën te një lidership që politikisht nuk ka se çfarë i thotë më shoqërisë shqiptare. Në vend që të mendojnë se si të shpëtojnë të djathtën përtej emrit të Sali Berishës, po i japin fund asaj me fundin politik të tij, duke e lidhur përjetësisht emrin e Partisë Demokratike me emrin e Sali Berishës. Njësoj si në lëvizjen bolshevike leniniste nën parrudhën ‘’Lenini është Partia, Partia është Lenini’’.

Po ndodh...