E vërteta e munguar gjatë

13 Janar 2024, 20:11 / IDE NGA GJERGJ HANI

E vërteta e munguar gjatë

Ashtu si shumëkush, edhe unë prisja daljen e parë të kryetarit Basha përballë gazetarëve në një ballafaqim të hapur me ta, e përmes tyre me publikun e gjerë.

Prej shumë kohësh nuk isha prononcuar mbi gjendjen dhe zhvillimet politike në vend, pasi prisja pikërisht këtë dalje, për të gjetur veten dhe pozicionin tim në gjithë sa po ndodh.

Personalisht e gjeta konferencën e zotit Basha shumë bindëse, në mos tjetër për faktin se zbardhi arsyen e heshtjes së tij të tejzgjatur.

Si shumë të tjerë edhe unë pyesja veten për këtë heshtje të  pakuptimtë që linte hapur rrugë për interpretime të shumta e të dhimbshme.

Fakti që zoti Basha deklaroi hapur se; i vetmi peng i tij ishte mirënjohja ndaj Berishës davariti çdo hije dyshimi alternativ mbi heshtjen e tij.

Ky pohim i sinqerte, në këndvështrimin tim, i dha atij një dimension njerëzor që kapërcen cinizmin e real politikës dhe interesave të kushtëzuara prej saj.

Në kohët që po jetojmë është tejet e vështirë të gjesh gjurmë mirënjohje si në shoqërinë e konsumit e po ashtu dhe në moçalin e politikes që është një pasqyrë besnike e krizës që po kalojmë.

Nëse personalisht jam ndarë me politikanin Berisha që në vitin 92, gjithsesi nuk mund t’ia lejoj kurrë vetes të gjykoj dikë për marrëdhënien njerëzore që ka patur me të. Përkundrazi e shoh mirënjohjen e zotit Basha si një vlerë e virtytshme e tij, që shkon përtej dinamikës e kontekstit politik.

Lexuesit mund ti duket paradoksale, por ishte pikërisht kjo përgjigje ndaj raportit të tij personal me Berishën, që e bëri zotin Basha të kapërceje vetveten në interes të Partisë Demokratike e ndërtimit të një alternative bindëse për të ardhmen e Shqipërisë e shqiptarëve.

Në këtë pikë më duhet të bëj një parantezë sqaruese mbi sa më lart: Nuk jam politikan karriere. Përkundrazi, jam një outsider në politikë, gjë e cila nga njëra anë ta vështirëson hyrjen në sallonet e saj, nga ana tjetër të lehtëson pozicionimin dhe qëndrimet pasi nuk kam konflikte interesash as njerëzorë e as karriere. Pra e kam më të lehtë të them ato që në sallonet e politikës i pëshpëritin.

Parë në këtë këndvështrim tashmë tabloja është e qartë. Nga njëra anë janë interesat e partnerit tonë jetik, e nga ana tjetër është ngërçi i tranzicionit të tejzgjatur shqiptar ku gërshetohen interesa përkatësish, trashëgimie ideologjike, instiktesh mbijetese politike, e interesash mirfillazi materiale.

Thënë kjo, dua të nënvijëzoj edhe njëherë qartësinë e përgjigjes se kryetarit Basha në raport me të shkuarën e tij njerëzore të cilën pati kurajën e vetëdijes, për ta ndarë qartazi nga interesat politike të Partisë Demokratike dhe shqiptarëve, që presin një alternativë qeverisëse, për ti shpëtuar lakut autoritar të politikave vrastare të Rama & Co. Për mua, nga dje, nuk ka më hije dyshimi, e as alibi.

Tashmë është koha për të filluar rrugëtimin politik për rikthimin e shpresës në jetën shqiptare, gjë e cila do të mundësojë fundin e tranzicionit e hyrjen në një fazë të re prosperiteti që do të mundësohet nga fitorja e programit të Partisë Demokratike, dhe kryetarit të saj që arriti të ndajë virtytin e mirënjohjes nga përgjegjësia politike.

Natyrisht që, për të gjithë ata që mbetën të zhgënjyer nga konferenca për shtyp e kryetarit Basha, arsyet e zhgënjimit duhet ti kërkojnë në pyetjet tendencioze të gazetarëve të pushtetit, e jo në përgjigjet e zotit Basha, që u tregua tërësisht i hapur ndaj pyetjeve të tyre. Gjithsesi, kjo është një çështje e nivelit të gazetarisë që lë për të dëshiruar po aq sa realiteti i vendit.

Po ndodh...