E vërteta është përgjigjja për PD-në!

3 Tetor 2022, 17:04 / IDE NGA ELONA CASLLI

E vërteta është përgjigjja për PD-në!

Nga Elona Caslli

Të gjithë ne që e kemi mbështetur Partinë Demokratike nga jashtë duke mos qenë anëtarë të kësaj të fundit, por duke e parë si të vetmin mekanizëm ekzistues që mund të përkthente më shumë vota në mandate deputetësh dhe rrjedhimisht të provokonte rrëzimin e Edi Ramës, e kemi trajtuar si fëmijën shëndetlig që ftohet me të rënë një shi i lehtë dhe që të gjithë sytë janë tek ai fëmijë. Kujdes se ftohet! Kujdes se rrëzohet! Mos i fol se ka qenë sëmurë etj.

Pas zgjedhjeve të 25 prillit rezultoi se Partia Demokratike ishte i vetmi mekanizëm që mund të prodhonte mandate. Partitë kioska të hapura 5 muaj para zgjedhjeve rezultuan veçse inceneratorë votash dhe asgjë më shumë.

Mbyllën qepenin me 26 prill nën sloganin " Ne u përpoqëm, por nuk ia dolëm". Çuditërisht partitë kioska nuk patën asnjë pretendim për masakër zgjedhore. Asnjë. Votat e tyre ishin numëruar si duhej.

Lulzim Basha nga ana tjetër ngriti pretendimin e masakrës zgjedhore dhe u zotua se do të merrej seriozisht me këtë të fundit. Nga prilli në shtator nuk patëm asnjë veprim konkret për masakrën zgjedhore. Në shtator ndodh përjashtimi i Berishës dhe fillon procesi i foltores sipas të cilit anëtarësia do të vendoste.

Personalisht e kam mbështetur si proces duke mos etiketuar askënd që mbështeteste Bashën si " Lulzims" pasi është një gjuhë që veç ndihmon përçarjen e demokratëve. Në optikën time çdo votë opozitari në kohën që jetojmë është e shenjtë në kuptimin e plotë të fjalës.

Për rrjedhën e ngjarjeve jemi krejt dëshmitarë dhe nuk besoj se është e nevojshme që unë të bëj një renditje kronologjike të këtyre të fundit, sikundër është mëse i dukshëm vendi i Lulzim Bashës dhe ai i Sali Berishës.

Prej 48 orësh në rrjet qarkullojnë një sërë materialesh mbi zgjedhjet e fundit në Partinë Demokratike. Si një individ me zero përvojë partie dhe zero njohuri mbi mënyrën si zhvillohen zgjedhjet e brendshme në një parti, kam të drejtën të bëj një pyetje publike - Cila është e vërteta?!

Këtë të vërtetë e pres nga kupola e Partisë Demokratike e cila duhet të sqarojë opinionin publik mbi materialet që qarkullojnë në rrjet.

Partia Demokratike nuk është aktualisht mekanizmi më i kulluar opozitar dhe askush nuk e pretendon këtë, por si i vetmi mekanizëm ekzistues opozitar i detyrohet opinionit publik përgjigjen e pyetjeve- A është lexuar ose jo vota e anëtarëve të Partisë Demokratike siç duhet në zgjedhjet e fundit?! A është deformuar vullneti i anëtarëve?!

Partia Demokratike nuk shkon askund nëse i përvidhet së vërtetës.

Post Scriptum- E vërteta është përgjigjja.

E vërteta është përgjigjja për PD-në!

Po ndodh...