Edi Rama ka qenë më i madh se operativët dhe shefat e ish Sigurimit

2 Shtator 2022, 16:09 / IDE NGA PREç ZOGAJ

Edi Rama ka qenë më i madh se operativët dhe shefat e ish

Shkrimtari Visar Zhiti, ish i burgosur politik, tregon një episod nga viti 1989 me protagonist Edi Ramën. Ishte liruar nga burgu, punonte në një fabrikë në Lushnje. Duhet të ketë qenë midis të tridhjetë e pestave dhe dyzetave. Një paradite, kujton ai, po pinim kafe te lokali “Blerimi” me Bujarin, Mondin, Edi Ramën dhe Ladin. Në lokal hyn dhe i ulet përballë një operativ që ishte qepur për ta bërë bashkëpunëtor të Sigurimit. Visari ngrihet rrëmbimthi dhe ikën befas nga lokali. “Ç’pati ky”? kishte pyetur Edi Rama Bujarin. (Që duhet të ketë qenë poeti Bujar Xhaferri).

Ky i kishte bërë shenjë Ramës të shikonte andej nga ishte ulur operativi. Ramës i kishte ikur petulla. “Dhe i gjatë sa dukej sikur shmangeshin shandanët e rinj për t’i hapur rrugë, dhe gjithë nerva, i bërtiti operativit: Çdo këtu ti që tremb njerëzit, kush je ti që s’i lë të pinë as një kafe të qetë?”, shkruan Zhiti. Ai e ndërpret këtu evokimin e tij, por merret vesh se operativi tashmë anonim s’ka ditur ku të futet nga frika. Plotësimi me dëshmitë dhe këndshikimet e personazheve të tjerë aty do ta bënte edhe me domethënës këtë episod. Por edhe me aq sa tregon thotë shumë. Përtej nxjerrjes në pah të natyrës rebele dhe antikonformiste të Edi Ramës në atë periudhë, çfarë është ilustruar me plot shembuj të tjerë, ky episod është një grimcë ku dendësohet e vërteta për hierarkinë në piramidën e regjimit komunist.

Në atë hierarki Edi Rama ka qenë mbi operativin, mbi kryetarin e degës së punëve të brendshme, mbi shefat e sigurimit. Mbi bashkëpunëtorët e thjeshtë e të rëndomtë po se po. Ka qenë shumë më shumë se ata. E dëshmon qartë brofja e tij kundër operativit që tregon Zhiti. E themi dhe sot: I lumtë! Por Rama nuk mund ta bënte këtë as si artist, as si pedagog i thjeshtë. Bujar Xhaferri, një nga poetët me sarkastikë e më antiregjim që unë kam njohur, nuk kishte frikë të ulej për kafe me ish të burgosurin Zhiti dhe t’ua prezantonte shokëve të tij nga Tirana. Kjo e nderonte atëherë dhe sot. Por Xhaferri nuk mund të bënte atë që bëri Rama. Thjesht do të merrte veten në qafë dhe do t’i bënte dëm edhe shokut të tij.

Fuqija dhe siguria e Ramës ishte familja e tij, gjyshi i tij anëtar i Byrosë Politike. Edhe pse rebel nga natyra (Ka pasur shembuj edhe më të spikatur të rebelimit brenda kastës, pa hequr dorë nga privilegjet bazë), në sytë e funksionarëve të Partisë, Drejtësisë, Sigurimit, Policisë dhe mbarë qytetarëve të thjeshtë, pinjollët si Rama ishin njerëz të shtresës së lartë të regjimit, mbroheshin nga regjimi, e mishëronin regjimin me atë që bij dhe nipa të kujt ishin.

Ka pasur plot intelektualë e pinjollë pa poste në atë kohë, para të cilëve rrinin sus jo thjesht sera e operativit të Lushnjës, por edhe Sekretarët e Parë të Partisë, kryetarët e Komiteteve Ekzekutive, Ministrat e qeverisë.

Këtë aspekt të hierarkive në komunizëm nuk e ka rrokur e nuk rrok katrahura e ligjeve të paketuara me etiketën e Dekomunistizimit.

Dhe unë nuk po i shkruaj këto radhë për t’u ankuar pse nuk i ka rrokur. Kam neveri edhe ta mendoj. Nuk e kam menduar në vitet e para të demokracisë, e jo më sot pas tridhjetë e ca vjetësh. Komentin e episodit që tregon Visar Zhiti ma nxiti ricikilimi i gjithë keqkuptimeve, klisheve, injorancës, prishamendjeve dhe ligësive pas paketës së nismave të fundit që ka ndërmarrë Rama me të tijtë në edicionin e ri të “dekomunistizimit”.

Dihet se nxitja për ketë paketë ka ardhur pas relacionit të Autoritetit të Dosjeve drejtuar Kuvendit të Shqipërisë ku Ilir Meta akuzohet se i ka shpëtuar lustracionit të vitit 1996 dhe atij të vitit 1997.

Në parantezë, Ilir Meta duhet të provojë se Komisonet “Mezini” dhe “Bezhani” të asaj kohe nuk i kanë fshehur apo toleruar asgjë që lidhet me kërkesat e ligjeve të pastërtisë së figurës së zyrtarëve. Ato ligje kanë qenë të padrejtë, antidemokratikë dhe antinjerëzorë. Ndëshkuan me qindra mijëra njerëz me shenjën e grupit. U hoqën të drejtat kushtetuese dhe të drejta të tjera më të vogla, u mbyllën gojën dhe kërkuan turpërimin e tyre pa ua treguar cili ishte krimi që kishin bërë.

Por posaqë kanë qenë në fuqi, ligjet duhet të zbatoheshin njëlloj për të gjithë.

Për t’u kthyer në temë, ia vlen të shënojmë se populli shqiptar u nda nga komunizmi me votë plebishitare. Në zgjedhjet e vitit 1992 Partia Komuniste nuk mori as një përqind të votave. Kjo është një e dhënë madhore që duhej t’u kishte shërbyer politikaneve si udhërrëfyes për të ardhmen. Por përballë sfidave të qeverisjes dhe dështimeve për të menaxhuar sistemin e ri demokratik të lirive e të drejtave, ish Presidenti Sali Berisha me njerëzit e tij më të afërt konsideruan se ndarja “nga poshtë”, me votë të fshehtë, që në fakt mbetet ndarja më reale nga komunizmi për njeriun e lirë, nuk ishte e mjaftueshme, nuk quhej.

Duhet ta ndanin ata nga lart me ligjet e tyre speciale! Këtu zë fill një proces i gjatë në formën e stafetës nga një qeveri në tjetrën i të ashtuquajturës “ndarje nga komunizmi” nën etiketën e “dekomunistizimit”. Që në thelb është investuar për të kundërtën: ka kërkuar dhe kërkon ta mbajë individin të lidhur përgjithmonë me komunizmin, me mekanizmat e vdekur të diktaturës. Edhe kur ky individ është ndarë vetë, pa ndihmën e kujt prej tyre.

“Dekomunistizimi” nga lart është marrë shumë pak, sa për të kaluar radhën, me diagnostifikimin e shkaqeve, mekanizmave dhe veprimeve që e materializojnë diktaturën, çfarë do ta bënte dhe e bën atë dobishëm për brezat. Ndërkohë është fokusuar me përndezjen e një pesëmbëdhjetë vjeçari që sheh filma pornografikë dhe me pasionin e një inkuizitori, siç thotë Adam Mihnik, në kapjen në çark të njerëzve nga shërbimet speciale.

Si rregull, sa i takon përgjegjësive dhe ndëshkimit “Dekomunistizimi” nga lart ka venë në një plan kastën e regjimit që i ka konceptuar, votuar e imponuar ligjet e diktaturës me ata që më së shumti kanë qenë viktimat e atyre ligjeve. Me ndryshimin se anëtarët e byrosë politike dhe pjesëtarët e tjerë të kastës ishin larguar nga politika ose jeta përgjithmonë pasi i kishin shijuar sundimin dhe privilegjet përkatëse, pra sa për sy e faqe citoheshin e citohen sot e kësaj dite si kategori në ligjet e dekomunistizimit.

Kjo qasje ka prodhuar përçarjen dhe kulpabilizmin e padrejtë e të paturpshëm të qindra mijëra pjesëtarëve të shtresimit të djathtë antikomunist që mezi kishin pritur shembjen e regjimit, duke mbështetur e votuar kur erdhi dita PD-në dhe partitë e tjera të spektrit të djathtë. Në anën tjetër ka prodhuar krenarizimin, fuqizimin dhe çimentimin në pushtet të palës që rrjedh nga komunizimi.

Kjo është një sarkazëm e madhe e tranzicionit tonë, për të cilën nuk mjafton një libër për ta treguar. Le të mjaftohemi këtu me një episod që sintetizon në shkallën sipërore trumfin e spostimit mostruoz të barrës së përgjegjësive për krimet e komunzimit, duke ia kaluar fajin viktimës dhe të drejtën viktimizuesit.

Një deputet i Rilindjes me prejardhje nga një familje e nomenklaturës së lartë komuniste, i drejtohet një deputeti me prejardhje nga një familje e persekutuar: “Po ta fal kësaj radhe, por radhën tjetër nuk ta fal’!

“Nganjëherë i falim viktimat tona”, është kuptimi lugubër i kësaj “tolerance”.

Çfarë nuk do t’i falte? Atë që babai i tij ish zyrtar Iartë i regjimit, vartësit dhe simahorët e tij në degën e Sigurimit, me sa duket e merrnin peng sa herë të donin (Kush do t’i ndalonte!), e mbanin në lidhje në një proces të marrjes torturuese në pyetje për të afërmit dhe miqtë, marrje në pyetje të cilën lustratorët me ballë bakri vdesin të quajnë bashkëpunim.

Pavarësisht akrobacive për t’u hedhur hi syve publikut dhe donatorëve, lavjerrësi i “dekomunistizimit” ka shkuar gjithnjë, sot e kësaj dite, si të tërhiqej nga një fushë manjetike e fuqishme, te arshiva dhe regjistrat e ish Sigurimit, te kategoria e bashkëpunëtorëve pa vullnet, pa kërkesë e shumë shpesh edhe pa aktivitet dëmprurës, që nuk kishin të drejtë të bëheshin anëtarë të Partisë së Punës sepse nuk i lejonte biografia e tyre familiare.

Rama e ka kuptuar se “Dekomunistizimi” del bosh në piramidën zyrtare të ish regjimit që kriminalizoi në kodin penal fjalën e lirë, lëvizjen e lirë dhe gjithçka tjetër të lirë. Duke i dhënë kësisoj avantazh të majtës në retorikë dhe në aspektin elektoral. E ka zbuluar edhe ai, si të ishte një “minierë ari”, gërmadhën toksike të ish sigurimit të shtetit ku mund të hapë llagëmet e tij për të gjetur ndonjë gjë që i shërben për t’u mbyllur gojën kundërshtarëve. S’ka gjë se për një qëllim kaq meskin dhe pa të ardhme krijon pandemonionin e tij të njerëzve të ndaluar e të poshtëruar, pa ua thënë fajin.

Rama mund të ketë cekur mendjen e prishur për të cilën flet disidenti i shquar polak, Adam Michnik, krahu i djathtë i Valesës në lëvizjen antikomuniste të Solidarnosit të famshëm, që thotë: “Lustracioni është vepër e një mendje të prishur. Edhe njëherë tjetër fatet njerëzore i lë në duart e agjenturës policore që e beson si bibël”. Për tu vetdiagnostikuar saktë dhe për një terapi shëruese nga prishamendja eventuale do t’i këshilloja te lexonte librin “Në kërkrim të sensit të humbur” të këitj autori të madh që është botuar edhe në shqip. Ose librin “Opiniumi i intelektualëve”, të Rajmond Aron, mbi trajtesat e të cilit u ngrit Europa e pasluftës së dytë botërore. Po mjaftohem me dy citime nga  ky mendjendritur. E para: “Formula jo lirie të drejta për armiqtë e lirisë lejon me justifikuar të gjitha llojet e tiranive”. E dyta: “Gykimi digresiv i historisë, si nga sot për dje, duke u nisur nga pasojat të çon në padrejtësi të tmerrshme”.

Korrupsioni ka shkuar aq larg e aq thellë në qeverinë e Edi Ramës sa ky nuk ka gjasa të frenohet në nismat e tij të frymëzimit makartist, ku njoftohet ndalimi i të drejtave kushtetuese dhe i shumë të drejtave të tjera civile për qindra mijëra njerëz pa ua cilësuar krimin që kanë bërë. Kështu ndodh shpesh: Kush flet si Robespieri për virtytin dhe pastërtinë, pasi është prej shumë vitesh në pushtet, dëshmon zhytjen e pushtetit të tij në korrupsion dhe degradim.

Në këto kushte opozita, Partia Demokratike, duhet të tregohet e kujdesshme dhe largpamëse. Demokracia fiton mbi komunizmin me një mendim më të lartë. Kjo është aksiomë që nuk ndryshon.

Nëqoftëse nuk janë përgatitur ta çojnë për skrap gërmadhën toksike të ish Sigurimit që mbahet siç mbahet kryesisht për të shtypur liritë dhe të drejtat demokratike të shtetasve, së paku të mos i pasojnë pa dashje ndonjë top zotit Rama. Njëherësh të evitojnë qasje tipike për parti të vogla që nuk kanë qëllim marrjen e pushtetit.

Është rasti që PD, pas kaq vitesh, të reflektojë për efektet e ligjit të saj, vitit 1996. Trasparencë po. Ndalime antikushtetuse me ligje speciale dhe ndëshkime me shenjën e grupit jo.

Fajësia a pafajësia, pastërtia apo papastërtia, janë reale kur shpallen nga drejtësia. Të tjerat janë gjueti shtrigash.

Po ndodh...