Gjuha e Ramës ndaj Bashës e njëjtë me atë të Berishës. Fsheh frikën e tij nga SPAK

10 Janar 2024, 17:00 / IDE SHëNIM

Gjuha e Ramës ndaj Bashës e njëjtë me atë të

Edi Rama do të hyjë në historinë e shtetit shqiptar si kryeministri që më shumë ministra dhe bashkëpunëtor i ka brenda në burg se sa jashtë tij.

Është e paimagjinueshme që të kemi një qeveri të korruptuar dhe një kryeministër të ndershëm.

Pavarësisht kësaj, Rama bëri në Lezhë atë që di të bëjë më mirë: humor dhe batutë.

Gjuha e tij ndaj Lulzim Bashës është e njëjtë me atë që përdor Sali Berisha ndaj tij.

Sepse Rama dhe Berisha kanë të njëjtin hall: atë të përballjes me drejtësinë.

Ndonëse sot Basha është i dobët, Rama e di më mirë nga të gjithë se ai ngelet i vetmi rival i tij në opozitë.

Nuk mund të jetë as Berisha, që pensionin politik do ta kalojë brenda katër mureve të shtëpisë, për shkak të moshës, sepse mund ta kalonte edhe në qeli, askush tjetër në radhët e “Rithemelimit”, të cilët politikisht janë të lidhur me fatin politik të Berishës.

Pas humorit dhe batutës së Ramës, fshihet frika nga drejtësia, që po ngushton lakun dhe, herët a vonë, do t’i shkojë çështjes së inceneratorëve deri në fund.

Sepse masa e arrestit ndaj Sali Berishës, guximi i prokurorëve të SPAK-ut dhe vendosmëria e Gjykatës së Posaçme për t’i shkuar deri në fund, sigurisht me mbështetjen e vazhdueshme amerikane dhe britanike, pavarësisht fyerjeve, kërcënimeve, linçimeve dhe përpjekjeve për destabilizim, është një ogur i mirë, është një paralajmërim i hapur, është një shans i madh që tregon se Shqipëria është futur në fazën e pakthim të fundit të pandëshkueshmërisë në nivelet e larta të politikës.

Për Edi Ramën kanë rënë kambanat e alarmit, sepse, në dallim nga ata pak mbështetës me lidhje shpirtërore dhe historike që ka Berisha, paradoksalisht ai ka mbledhur rreth vetes urrejtjen e një pjese të madhe të socialistëve, të cilët, ndonëse e kanë votuar vazhdimisht si një marrëdhënie pragmatiste dhe klienteliste për të shkuar te pushteti, mezi presin rënien dhe përballjen e tij me drejtësinë, si një hakmarrje për ta parë në bankën e të akuzarëve atë që u shkatërroi partinë, i dha ngjyra dhe nuanca të tjera politike dhe kuptimore.

Për Ramën nuk do të ketë as “Foltore” as përpjekje për t’i dalë në mbrojtje apo për të thirrur protesta, sepse nuk ka kuptim dhe logjik që të anatemojë një strukturë dikush që deri dje është mburrur se ai dhe forca e tij politike kanë kontribuar për ngritjen e saj.

Rënia e triumviratit të tranzicionit do të shkaktojë efektin domino, vendi do duhet të hyjë në një fazë të re, ku zhbërja e ndryshimeve Kushtetuese që mban të bllokuar dhe të polarizuar skenën politike shqiptare do të hapë lojën politike, do t’i hapë rrugë figurave të tjera, larg të qenurit liderë të fortë tipik ballkanas, një narrative tjetër dhe një qasje të re ndaj pushtetit dhe shtetit./Namir Lapardhaja

Po ndodh...