Gledis Nano, si viktima e fundit e “Dumanit”

31 Gusht 2022, 21:57 / IDE NGA RED VARAKU

Gledis Nano, si viktima e fundit e “Dumanit”

Në një njoftim të beftë dje, një portal që njihet si snajper politik i kryeministrit, paralajmëroi largimin e drejtorit aktual të policisë z. Gledis Nano, që me sa duket pas refuzimit të dorëheqjes të mundshme të tij u shkarkua sot nga ministri Çuçi , sigurisht me urdhër të z. Rama .

Argumentimi për largimin e tij që parashtrohej dje në këtë lajm të pregatitur në kryeministri dhe vërehej sot në lajmin për shkarkimin e tij, është provë e qartë ku lexohet me lehtësi që jemi përballë një largimi politik të drejtorit të policisë, pasi ky i fundit ka refuzuar t’i bindet urdhërave politike të kryeministrit.

Përpjekja për ta bërë atë “kokë turku” për situatën aktuale kriminale në vend, duke e akuzuar atë si përgjegjës për dekonspirimin e rastit Dumani dhe vrasjet apo pengmarrjet e ndodhura së fundmi midis grupeve kriminale, është një provë që jemi përballë një inskenimi politik të kryeministrit për largimin e tij.

E kundërta është e vërtetë në fakt. Hetimet e tij për rastin Dumani, që është edhe i vetmi produkt i punës së tij, po e çonin atë në zemër “të makinerisë elektorale“ të kryeministrit, çka ka alarmuar enturazhin e afërt të tij, sepse hetimet e tij po rrezikonin kolonat e pushtetit të tij.

Pa diskutim që përgjegjësia për situatën e jashtëzakonshme kriminale bie edhe mbi drejtorin e policisë, por nuk duhet të harrojmë qe ai ende nuk ka mbushur vitin e emërimit në këtë post dhe deri tani ai thjesht po korr atë që të tjerët kanë vite që e mbjellin.

Nëse vërtetë dikush ka vërtetë përgjegjësi për kthimin e axhendës shtetërore në axhendë kriminale, kthimin e policisë në një organizatë kriminale dhe fuqizimin e grupeve kriminale është personalisht z. Edi Rama.

Ky i fundit me fuqinë politike që i ka dhënë këtyre grupeve, tani nuk i kontrollon dot më, aq sa që këta të fundit mund të kërkojnë edhe largimin e vetë drejtorit të policisë , në rast se ky i kërcënon interesat, pasi drejtorët e policisë në rrethe i kanë kthyer në rrogëtarë të tyre.

Gjithsesi, lajmi për largimin e tij konfirmon një të vërtetë të madhe. Ai konfirmon faktin që Nano ka refuzuar t’i bindet urdhërave politikë të kryeministrit, çka do të thotë që Rama është vërtetë në rrezik nga ata që e kanë nxitur promovimin e Gledis Nanos në krye të policisë së shtetit.

Me sa duket mbështetja e ambasadës Amerikane për këtë individ, vizitat e tij në Washington dhe Berlin, takimet e tij me drejtues të CIA dhe FBI, në kuadër të goditjes së korrupsionit të lartë shtetëror, e kanë trembur Edi Ramën, kokën e establishmentit të korruptuar shqiptar.

Tashmë është bërë e qartë që stina politike ku po hyjmë paralajmëronte arrestime të kupolës së krimit krimit të organizuar me sfond politik. Roli i drejtorit të policisë në projektin për të eliminuar mekanizmin që ka bllokuar demokracinë shqiptare është rol i padiskutueshëm.

Në këtë kuptim goditja e Gledis Nanos është një përpjekje e dëshpëruar e kryeministrit për të vonuar “gijotinën” ku do të përfundojnë të gjitha kokat e korruptuara të kulçedrës së korrupsionit që ka marrë peng të ardhmen e shqiptarëve .

Po ndodh...