Goran Bregoviçit, miku i Putinit dhe i Ramës dhe Moldavia dinjitoze!

21 Gusht 2023, 10:43 / IDE NGA SHABAN MURATI

Goran Bregoviçit, miku i Putinit dhe i Ramës dhe Moldavia dinjitoze!

Në 20 gusht 2023 në aeroportin e Kishinaut autoritetet moldave i ndaluan muzikantit serb Goran Bregoviç hyrjen në Moldavi. Arsyeja është se këngëtari serb është një adhurues i flaktë i Rusisë dhe i presidentit Putin dhe ka përkrahur agresionin e tanishëm ushtarak të Rusisë në Ukrainë. Bregoviç përkrahu edhe pushtimin dhe aneksimin e dhunshëm të Krimesë ukrainase nga Rusia në 2014 dhe për t’i dëshmuar Kremlinit prorusizmin e tij dha koncert në Krimenë e pushtuar në vitin 2015. Autoritetet e Moldavisë, siç njofton media moldave “moldova1.md”, kishin deklaruar më parë se “personat publikë, që bëjnë thirrje për luftë dhe për urrejtje janë të padëshirueshëm në territorin e Republikës së Moldavisë”. Zëvendëskryeministri dhe ministri i zhvillimit ekonomik të Moldavisë, Dimitri Alajba, deklaroi me këtë rast se “Të vallzosh sot me muzikën e Bregoviçit është njësoj si të vallzosh mbi varret e ukrainasve të vrarë nga agresioni rus”. Media ruse “eadaily.ru” njoftonte në 21 gusht se “autoritetet e Moldavisë i refuzuan Bregoviçit hyrjen për shkak të qendrimit të tij për konfliktin në Ukrainë”.

MPJ e Serbisë dhe ministri i jashtëm, Ivica Daçiç, një filorus patologjik, bënë një protestë të ashpër, duke i kërkuar shpjegime Moldavisë për këtë ndalim, dhe Daçiç kërcënoi se “ndalimi i Bregoviçit ka shkaktuar reagime ekstremisht negative në Serbi”. Bregoviçin e ka ndaluar më parë të hyjë edhe Polonia, për të njejtat arsye.

Shtetet, që kanë dinjitet, e ruajnë atë duke mbrojtur interesat e veta dhe të aleatëve të tyre. Moldavia e ka dënuar ashpër agresionin rus në Ukrainë, sepse dhe vetë ndodhet nën kërcënimin ushtarak rus dhe një pjesë të territorit të saj e ka pushtuar Rusia.

Sa për levantinët shqiptarë, që papagallojne parimin e tyre qiellor se “arti është vetëm art”, që nuk ka lidhje me politikën, do të mjaftonin vetëm artistët zyrtarë serbë për të dëshmuar se arti bëhet politikë dhe instrument i politikave më kriminale. Prorusizmi i shëmtuar i artistëve të njohur serbë nuk është art. Emra të tillë si regjisori Emir Kusturica, këngëtarët Goran Bregoviç apo Ivana, e kanë njësuar artin e tyre me politikat kriminale të Serbisë dhe të Rusisë.

E di se në Tiranë, ku Bregoviç ka miq të vjetër në qeveri dhe në biznes, do t’u vijë keq. Por mund të ngushëllohen se me këtë rast ndajnë të njejtën ndjenjë si Daçiçi, Vuçiçi, Putini, etj.