Heronjë me vorre të vogla

6 Mars 2024, 13:38 / IDE NGA ERL KODRA

Heronjë me vorre të vogla

Në korrik të vitit 1999 - vetëm një muaj pas çlirimit - udhëtova për herë të parë në Kosovë bashkë me tre shokë.

Të nesërmen u nisëm drejt Prekazit.

Kudo kishte shtëpi të djegura, të rrënuara dhe toka djerrë.

Sapo kaluam rrethinat e Prishtinës, një burrë i gjatë me kapuç ngriti dorën me na përshëndetë; volvo-ja ime me targa të Tiranës binte menjëherë në sy.

Ndaluam dhe e pyetëm burrin me kapuç se për ku ishte nisur. Ta tha se ishte për Skënderaj.

"A po vjen me ne" - pyetëm me mirësjellje.

U nisëm, duke vozitur ngadalë. Pyetjet tona silleshin rreth gjendjes së popullsisë, luftës që sapo kishte mbaruar. Papritur na tha:

"Këtu asht vorri i Shaban Polluzhës"

Ndalova menjëherë në anë të rrugës. Varrin e kishin mbuluar bari dhe ferrat, megjithat një gurë varri nxirte krye mes barit. Mezi lexoheshin dy fjalë gdhendur në gurë: Shaban Polluzha - ku germa S ishte shkruar mbrapsht.

Vazhduam rrugën.

Bashkëudhëtarit tonë i tham se do të shkojmë për kryeshnosh në Prekaz te Familja Jashari.

E pyetëm nëse është dikush që mund të na presë.

"Po - tha ngadalë - gjithmonë ka njerëz. Por unë do vij me ju".

Na pritën në një dhomë në shtëpinë gjysëm të rrënuar. Një lëmsh i madh më ishte mbledhur në grykë, ndërsa më i vjetri ndër ne po thoshte ngushëllimet sipas zakonit.

Pasi pimë kafet, dolëm në livadhin përballë shtëpisë. Rrjeshtat e Vorreve mbuluar me lule ishin të madhësive të ndryshme; prej dy metra deri në 60 cm.

Bari kishte filluar t'i mbulonte. Teksa ecja mes tyre, imagjinoja trupat e njomë të atyre heronjëve të vegjël.

Për një moment ndalova dhe ktheva kryet mënjanë. Nuk po përballoja dot dhimbjen, por edhe njëlloj ndenje turpi nga vetja.

Dola nga rrjeshti dhe u ktheva shpinën të tjerëve. Po përpiqesha të përbija lotët.

"Çka kie" - më pyetën.

"Asgja" - fola pa e kthyer kryet, dhe shtova:

"Hajdeni ikim se e mbaruam guidën turistike" - thash me gjysëm zëri.

Kurrë nuk kam përjetuar turp më të thellë se sa atë moment para atyre vorreve.

Unë isha turisti i rradhës që po përlotesha para atyre fëmijëve - heronjë me vorre të vogla.

Fotografia: Fëmijët e familjes Jashari, para marsit 1999

Heronjë me vorre të vogla

Heronjë me vorre të vogla

 

 

 

ide