Idhujtarët e idhujtarizmi nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë!
A është normale që një parti, që pretendon se solli demokracinë, të ketë të njëjtin kryetar edhe pas 36 vitesh?
Aspak!
Ose nuk e ka sjellë demokracinë, ose nuk e ka kuptuar kurrë çfarë është ajo.
Demokraci nuk është që të ndërrohen qeveritë, të plaken militantët, të largohen themeluesit, të thinjen votuesit, të mpaken shpresat, ndërsa kryetari të mbetet aty si bust prej bronzi; si idhull; si totem. Apo si relike politike që nuk e lë askush të preket edhe pse partia mund të jetë rrënuar, copëtuar, tkurrur apo kthyer në sekt.
Demokracia nis pikërisht aty ku partia nuk uzurpohet dhe aty ku me statut, pavarësisht se mund të jetë e dhimbshme për disa, largohet “lideri i përjetshëm”. Demokracia nis aty ku partia nuk trajtohet si pronë private, vula nuk trashëgohet me tapi dhe militantët nuk sillen si militarë para një “udhëheqësi” politik.
Në demokracitë normale ndërrohen liderët, sepse idetë konsumohen, njerëzit gabojnë dhe koha ecën. Vetëm në regjime, në sekte apo në parti të ndërtuara mbi kultin e individit, kryetari trajtohet si pronar i vulës, logos dhe fatit të militantëve.
Tallja më e madhe qëndron në faktin se flasin çdo ditë për pluralizëm, por brenda partisë janë autokratë, nuk durojnë as pluralizmin e mendimit apo të fjalës. Kush flet apo mendon ndryshe përjashtohet, shpallet tradhtar, i shitur, armik apo i infiltruar, i lidhur me botën e krimit, pavarësisht se nuk kanë asnjë fakt dhe “armiqtë” nuk kanë kaluar ndonjëherë me kundërshtarin.
Plot 36 vite me të njëjtin lider nuk janë demokraci. Janë histori varësie politike dhe mumifikim politik. Janë azil nostalgjik për njerëz që ende jetojnë me vitin 1990 në kokë dhe me frikën se pa “udhëheqësin historik” partia shpërbëhet si kasolle pa trarë.
Prova se partia nuk ndërtoi institucione, por investoi në adhurues. Nuk krijoi garë, por bindje; nuk prodhoi elitë, por oborrtarë. Është prova se pas 36 vitesh nuk arritën të prodhojnë asnjë figurë që të zëvendësojë plakun e përhershëm të politikës.
Fatkeqësi që një parti që ulërin çdo ditë se solli pluralizmin njeh vetëm një emër, një zë, një vulë dhe një nerv.
Fatkeqësi që kryetari i përjetshëm i idhujtarëve kundërshtarët i quan diktatorë dhe autokratë, ndërsa vetë sillet si kryetar fisi që nuk lëshon fronin as kur partia digjet, copëtohet apo katandiset në turmë militantësh që mbrojnë një njeri dhe jo ide.
Në Dhjetor 1990 u ngritëm kundër kultit të individit. Sot në 2026-ën përsëri kult individi. Humbet partia, humben zgjedhjet, humbin qytetarët, humb shpresa, ndërsa kryetari mbetet po aty me justifikime nga më qesharaket, ngaqë askush nuk guxon ta hedhë, nga frika se mos prishet miti; nbetet aty, sepse te ky mit ka investuar edhe kundërshtari politik që ta përdorë si gogol për të mobilizuar elektoratin e vet dhe ta shkatërrojë përsëri në zgjedhje; ta përdorë si alibi për të mbuluar korrupsionin dhe keqqeverisjen në këto 13 vjet.
Në vende normale e me demokraci normale liderët largohen kur humbin.
Në PD jo!
Referendumi për rikonfirmimin në Partinë e Berishës si proces është punë e tyre. Berishën duan, Berishën le të mbajnë.
Përpjekja për të na e paraqitur si demokraci, për të na e imponuar si të drejtë e të domosdoshme, për të na e justifikuar si të vetmen e të duhurën, është e pështirë dhe fyese për inteligjencën tonë. Ajo mund të ketë vlerë vetëm për ca militarë, por opozitarizmit shqiptar e Shqipërisë i bën dëm!
Një parti me kryetar të përjetshëm nuk është parti demokratike, por sekt me logo.
PS: Është hera e fundit që shkruaj e merrem me partinë që dikur themelova dhe u uzurpua në vitin 1991 nga i njëjti njeri që vazhdon ta mbajë edhe sot!
Po ndodh...
Si i "mashtroi" Lulzim Basha demokratët për Sali Berishën!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128